• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, November 8, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Kujtim Laro, kompozitori që i dha shpirt dhe emocion filmave shqiptarë

by Ilir Çumani
09/05/2026 11:40
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga ILIR ÇUMANI

Plot 79 vjet më parë, më 8 maj të vitit 1947, lindi një nga personalitetet e shquara të artit muzikor shqiptar, i cili nuk do të bëhej thjesht një kompozitor, por një nga emrat e përveçëm që vendosi një gurthemeli të rëndë në ngrehinën e historisë së muzikës bashkëkohore dhe asaj moderne shqiptare.

Kujtim Laro, “Artist i Merituar”, do të bëhej zëri më domethënës, por i padukshëm, i shumë filmave artistikë shqiptarë që sot qëndrojnë në panteonin e artë të filmografisë shqiptare.

Në çdo skenë dhe kuadër të paharruar të filmave “Lulëkuqet mbi mure”, në heshtjen dramatike te “Nusja dhe shtetrrethimi” dhe “Rrugica që kërkonin diell”, në frymën epike te “Nëntori i dytë”, në mallin dhe dritën njerëzore te “Udha e shkronjave”, në ritmin dramatik te “I teti në bronz”, në atmosferën poetike te “Në fillim të verës”, në emocionin thellësisht njerëzor te “Fletë të bardha”, në kontrastin shpirtëror te “Lule të kuqe, lule të zeza”, në tensionin e errët “Nga mesi i errësirës”, në frymën e sakrificës dhe heroizmit te “Liri a vdekje”, në universin dramatik te “Vendimi”, në jehonën historike te “Militanti”, në atmosferën e paharruar te “Yjet e netëve të gjata”, në ndjeshmërinë njerëzore te “Partizani i vogël Velo”, apo në skenat e qëndresës epike te “Dimri i fundit”, gjendet një puls plot kolorit dhe dinamizëm muzikor që mban firmën e këtij mjeshtri të kompozimit.

Kujtim Laro nuk kompozonte vetëm nota, por, përmes tyre, skaliste peizazhin e kohës ku zhvilloheshin ngjarjet, duke evidentuar mrekullisht dhe me shumë emocion shpirtin njerëzor.

Në një kohë kur arti shqiptar përpiqej të mbijetonte mes kufizimeve ideologjike dhe realiteteve të vështira shoqërore, ai arriti të krijojë një univers muzikor ku njeriu mbetej në qendër.

Muzika e tij nuk ishte thjesht dekor i filmit, por drama e brendshme e personazheve. Ishte ankthi, dashuria, sakrifica, vetmia, shpresa, heroizmi, qëndresa stoike, lavdia, triumfi, por edhe dhimbja e tyre. Prandaj kolonat e tij muzikore nuk harrohen, sepse ato nuk dëgjohen vetëm me veshë, por më së shumti ndihen në shpirt dhe në ndërgjegje.

Nëse filmat shqiptarë të asaj kohe kishin fytyrën e aktorëve të mëdhenj dhe gjuhën e regjisorëve të talentuar, ata kishin edhe frymëmarrjen e padukshme të muzikës së Kujtim Laros. Ishte muzika e tij ajo që shpesh u jepte dimensionin e dytë emocioneve, duke i kthyer skenat filmike në përjetime të thella shpirtërore.

Shpesh, publiku nuk e kuptonte menjëherë se përse një skenë mbetej kaq gjatë në kujtesë, ngase pas saj qëndronte pikërisht ai univers tingujsh që kompozitori kishte ndërtuar me kaq finesë psikologjike dhe ndjeshmëri të rrallë artistike.

Kujtim Laro mbetet një nga figurat më autentike dhe më origjinale të muzikës në kinematografinë shqiptare.

Ai solli një gjuhë muzikore që bashkonte madhështinë simfonike me ndjeshmërinë popullore shqiptare.

Ishte i aftë të krijonte tension dramatik me pak tinguj, por edhe të ndërtonte horizonte të gjera emocionale me një orkestracion të pasur e poetik.

Pikërisht, kjo bëri që shumë profesionistë të fushës ta cilësonin si “Ennio Morricone-n e muzikës shqiptare të filmit”, një krahasim që nuk lidhej vetëm me supertalentin e tij kompozicional, por edhe me aftësinë për t’i dhënë figurë emocionale imazhit kinematografik përmes krijimtarisë së tij.

Ajo që e bënte të pazëvendësueshme krijimtarinë e tij të begatë nuk ishte vetëm mjeshtëria teknike, por edhe mënyra se si ai arrinte të depërtonte në psikologjinë njerëzore.

Ai e kuptonte më së miri heshtjen, ankthin, pritjen, humbjen dhe mallin. Në muzikën e tij nuk kishte zhurmë të panevojshme. Çdo tingull kishte peshë emocionale. Çdo motiv muzikor dukej sikur vinte nga vetë ndërgjegjja njerëzore.

Madhështia e tij nuk qëndronte vetëm te arti. Në një shoqëri ku shpesh fama deformon karakterin e njeriut, Kujtim Laro mbeti një institucion artistik i pacenueshëm nga vesi i delirit, nga vetëkënaqësia dhe egoja. Modestia e tij deri në heshtje dhe përulje ishte pothuajse e pabesueshme për dimensionin artistik me përmasa oqeanike që ai kishte.

Nuk rendi kurrë pas titujve dhe ofiqeve që, me të drejtë, mund t’ia jepte statusi i talentit të tij të lartë artistik. Kurrë nuk kërkoi privilegje dhe nuk ndërtoi kult rreth vetes.

Ai i përkiste asaj race të rrallë artistësh që besojnë se vepra duhet të flasë vetë, ndërsa autori të ecë i qetë në heshtjen e tij njerëzore. Dhe pikërisht këtu fillon dimensioni më i thellë antropologjik i figurës së tij.

Shoqëritë e vogla, sidomos ato që kanë kaluar trauma historike, mbijetojnë falë kujtesës kolektive.

Muzika e Kujtim Laros u bë pjesë e kësaj kujtese. Ajo shoqëroi fëmijërinë e shumë brezave, netët familjare para ekranit dhe emocionet e para estetike të shqiptarëve.

Në mënyrë të pavetëdijshme, ai ndikoi në formimin emocional të një populli të tërë. Kolonat e tij muzikore nuk ishin thjesht tinguj filmash; ato u shndërruan në një lloj identiteti emocional kombëtar.

Në shumë familje shqiptare, filmat e asaj kohe nuk kujtohen vetëm për historinë dhe personazhet, por edhe për emocionin që linte muzika.

Ajo hynte ngadalë në ndërgjegje dhe mbetej aty për vite të tëra. Ishte një muzikë që nuk kërkonte të impononte veten, por të mbushte dhe të shoqëronte shpirtin njerëzor.

Pikërisht për këtë arsye, kolonat muzikore të Kujtim Laros kanë mbijetuar përtej kohës së tyre historike.

Ka artistë që krijojnë sukses, por ka të tjerë që krijojnë epokë. Kujtim Laro ishte nga këta të fundit, sepse me krijimtarinë e tij ndërtoi atmosferën shpirtërore të një kohe të tërë shqiptare.

Ai nuk kompozoi vetëm për ekranin. Në një kuptim më të thellë, ai kompozoi për kujtesën emocionale të shqiptarëve. Breza të tërë janë rritur me tingujt e tij pa e kuptuar se sa shumë ata tinguj kishin ndikuar në shijet, ndjeshmërinë, kujtesën dhe formimin e tyre estetik.

Muzika e tij kishte fuqinë e rrallë për të depërtuar në botën e brendshme të njeriut. Meloditë e tij bartnin një trishtim fisnik, një mall të pashpjegueshëm dhe një dritë të heshtur njerëzore që edhe sot prek zemrat me të njëjtën forcë e mallëngjim.

Ai e kuptonte shpirtin njerëzor pa pasur nevojë ta zhurmonte atë. Në muzikën e tij nuk gjeje patetizëm, as britma artificiale, por një ndjenjë të vërtetë. Ndoshta kjo është arsyeja pse krijimtaria e tij vazhdon të jetojë edhe sot, të shijohet gjithmonë e më tepër, në një kohë kur prodhohet shumë zhurmë, por mbetet pak ose aspak emocion.

Në një epokë moderne ku arti shpesh matet me shpejtësinë e konsumit dhe jo me thellësinë e ndikimit, figura e Kujtim Laros bëhet edhe më domethënëse.

Ai i përkiste atyre krijuesve që nuk e shihnin artin si spektakël egoje, por si mision njerëzor dhe shpirtëror. Për të, muzika nuk ishte zbukurim i realitetit, por mënyra e duhur për ta kuptuar më thellë jetën dhe njeriun.

Kujtim Laro ishte prej atyre artistëve që nuk e ndanin jetën nga arti. Humanizmi i tij reflektohej natyrshëm në krijimtari. Ishte njerëzor deri në skajshmëri, i qetë, fisnik dhe i përulur. Ai mbeti shembulli i artistit që nuk e humbi kurrë raportin me thjeshtësinë. Ishte i madh sepse nuk kishte nevojë të dukej i tillë.

Edhe sot, kur dëgjon muzikën e Kujtim Laros, krijohet ndjesia sikur ajo vjen nga një kohë më e pastër shpirtërisht. Tingujt e tij nuk lodhin, nuk plaken dhe nuk humbasin kuptimin. Përkundrazi, sa më shumë kalon koha, aq më tepër zbulohet thellësia emocionale dhe artistike që ato mbartin.

Sot, kur kujtojmë lindjen e tij, nuk kujtojmë vetëm një kompozitor të madh, por një epokë emocionesh dhe vlerash, një thesar të jashtëzakonshëm që, sa më shumë kalon koha, aq më tepër ridimensionohet me përmasa universale, identitare dhe kombëtare.

Kujtim Laro ishte artisti që i dha zë heshtjes së filmit shqiptar, kompozitori i pashoq që i dha muzikës dinjitet, ndërsa jetës njerëzillëk dhe dimensionin e humanizmit.

Padyshim, ai mbetet një nga ata artistë që nuk jetojnë vetëm në arkiva, në tituj apo në histori arti, por në kujtesën emocionale të shqiptarëve.

Ai jeton në tingujt që rikthejnë mallin e një kohe, në emocionet që zgjojnë filmat e vjetër, në heshtjen e dhimbshme të skenave që, pa muzikën e tij, nuk do të kishin të njëjtën madhështi shpirtërore.

Ndoshta, te artistë të mëdhenj si ai, kjo është pavdekësia më e bukur që mund të arrijë një krijues: të jetojë jo vetëm në histori, por në zemrën dhe qënien shpirtërore të popullit të vet.

Tiranë, e premte – 8 maj, 2026

Next Post
Rama krah ambasadorit Gonzato: Europa për ne mbetet tokë e premtuar!

Rama krah ambasadorit Gonzato: Europa për ne mbetet tokë e premtuar!

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Drejtuesit politik të PS, Andoni: PD në Fier e ka të vështirë! Me kandidimin jashtë liste, Rama i dha një mësim opozitës

Etnografia absurde e komunikimit Rama-Berisha?!

November 7, 2026
Sherr mes dy grupeve në Vlorë, policia qëllon me armë në ajër për të ndaluar një prej tyre! Shoqërohen të gjithë në Komisariat, s’ka të lënduar

Sherr mes dy grupeve në Vlorë, policia qëllon me armë në ajër për të ndaluar një prej tyre! Shoqërohen të gjithë në Komisariat, s’ka të lënduar

November 7, 2026
Një skandal dhe kapërcim shumë i madh ligjor, etik dhe deantologjik nga prokurorët Dado dhe Dumani

Pa popull me vete dhe shih si zihen…

November 7, 2026
“Të bashkohemi pavarësisht kundërshtive”- Berisha thirrje partive opozitare: E keqja e ka emrin Rama! Studentët dhe qytetarët…

“Të bashkohemi pavarësisht kundërshtive”- Berisha thirrje partive opozitare: E keqja e ka emrin Rama! Studentët dhe qytetarët…

November 7, 2026
“Pesë persona në spital, u tremba se…”- Zjarri në Lezhë, administratori i pallatit: Flakët nisën nga kati i parë, zjarrfikësit erdhën në kohë!

“Pesë persona në spital, u tremba se…”- Zjarri në Lezhë, administratori i pallatit: Flakët nisën nga kati i parë, zjarrfikësit erdhën në kohë!

November 7, 2026
“Nuk ka krim më të shëmtuar, e la vendin pa opozitë”- Avokati Beqiri: Berisha po saboton hyrjen e Shqipërisë në BE!

“Nuk ka krim më të shëmtuar, e la vendin pa opozitë”- Avokati Beqiri: Berisha po saboton hyrjen e Shqipërisë në BE!

November 7, 2026
Superliga/ Tirana fitore në “frymën e fundit” ndaj Teutës!

Superliga/ Tirana fitore në “frymën e fundit” ndaj Teutës!

November 7, 2026
“PD është kthyer në sekt berishian”- Meçe: Nuk mbledh dot as 500 vetë për të protestuar! Agjentura ruse pas dhunës në shesh

“PD është kthyer në sekt berishian”- Meçe: Nuk mbledh dot as 500 vetë për të protestuar! Agjentura ruse pas dhunës në shesh

November 7, 2026
“Islami radikal po copëton Evropën”- Netanyahu sulmon partitë arabe: Një qeveri e varur nga mbështetësit e terrorizmit do shkatërrojë Izraelin

“Islami radikal po copëton Evropën”- Netanyahu sulmon partitë arabe: Një qeveri e varur nga mbështetësit e terrorizmit do shkatërrojë Izraelin

November 7, 2026
“Mbetet krenari”- U la jashtë listës së Kombëtares, reagon Anis Mehmeti: Dua të sqaroj disa gjëra të pavërteta!

“Mbetet krenari”- U la jashtë listës së Kombëtares, reagon Anis Mehmeti: Dua të sqaroj disa gjëra të pavërteta!

November 7, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In