• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, August 31, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Kujtim Buza, njeriu që ma rrëfente Shkupin

by Skënder Asani
31/08/2026 09:18
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter
Me ikjen e Kujtim Buzës, kultura shqiptare humbi një artist. Familja humbi njeriun e saj të dashur. Miqtë humbën mikun e tyre. Por Shkupi humbi një nga rojtarët e kujtesës së vet. Një njeri që e bartte këtë qytet në rrëfimet e familjes së tij, në kujtimet e trashëguara nga i ati dhe në pamjet e fëmijërisë së vet. Sa herë kthehej në Shkup, nuk dukej sikur vinte në një qytet të huaj; dukej sikur kthehej te një pjesë e vetvetes.
Nga Prof.dr. Skender ASANI
Ka njerëz që, kur largohen nga kjo botë, nuk marrin me vete vetëm jetën e tyre. Marrin një zë, një kujtim, një rrëfim, një copëz të një kohe që nuk kthehet më. I tillë ishte për mua Kujtim Buza. Me ikjen e tij, nuk po humbim vetëm një piktor të shquar dhe një personalitet të rëndësishëm të artit e të kulturës shqiptare; po humbim edhe një nga ata njerëz të rrallë që e bartnin Shkupin brenda vetes dhe dinin ta rrëfenin me dashuri e përkushtim.
Njohja ime me Kujtim Buzën nisi përmes mikut tim Fatmir Toçi. Ende më tingëllojnë në kujtesë fjalët me të cilat ai ma prezantoi:
“Ja ku e ke një njeri që është vetë rrëfimi i gjallë për Shkupin.”
Në atë çast mund të më jetë dukur si një fjali e thënë natyrshëm mes miqsh. Por, me kalimin e viteve dhe me shtimin e bisedave të mia me Kujtimin, kuptova se Fatmiri e kishte përshkruar me pak fjalë dhe me një saktësi të jashtëzakonshme. Kujtim Buza ishte vërtet një rrëfim i gjallë për Shkupin.
Sa herë takohesha me Kujtimin, herët a vonë biseda jonë kthehej te Shkupi. Ai ma rrëfente qytetin me një ngrohtësi që nuk vinte nga librat, por nga kujtesa. Më fliste për rrënjët familjare, për kujtimet që kishte trashëguar nga i ati, piktori i madh Abdurrahim Buza, dhe për një Shkup që sot gjithnjë e më shumë mbijeton në fotografi, në dokumente dhe në kujtesën e atyre që ende e bartin brenda vetes.
Ndër rrëfimet që ndante me mua, njëri më ka mbetur veçanërisht në kujtesë. Kujtimi më tregonte se si, kur ishte fëmijë, shkonte te magazat e Hasan Prishtinës në Shkup. Nuk e rrëfente këtë si një episod të largët historik, por përmes syve të fëmijës që kishte qenë dikur. Pikërisht në çaste të tilla e kuptoja vlerën e jashtëzakonshme të kujtesës së tij: nga një kujtim në dukje i thjeshtë i fëmijërisë, ai mund të hapte papritur një dritare drejt një bote të tërë që tashmë nuk ekziston.
Për mua, si historian, rrëfime të tilla kishin një vlerë të veçantë. Hasan Prishtina i përket historisë së madhe politike të kombit shqiptar, por në kujtimet e fëmijërisë së Kujtim Buzës emri i tij hynte edhe në gjeografinë intime të Shkupit në rrugët, ndërtesat, jetën e përditshme dhe kujtesën e familjeve të këtij qyteti. Në rrëfimin e Kujtimit, historia për një çast pushonte së qeni vetëm renditje datash dhe ngjarjesh. Ajo bëhej njerëzore. Merrte rrugë, hapa, fytyra dhe kureshtjen e një fëmije që ecte nëpër Shkupin e dikurshëm.
Ky ishte një nga dhuntitë e Kujtimit.
Ai mund të të çonte nga ngjarjet e mëdha të historisë te një hollësi e vogël e jetës së përditshme dhe, pikërisht nga ajo hollësi, të të kthente sërish te historia.
Bit-Pazari, Çarshia e Vjetër, Ura e Gurit, Sahat-Kulla, Gazibaba, rrugët e vjetra dhe njerëzit që dikur u jepnin jetë atyre nuk ishin për të thjesht emra vendesh. Ishin copëza të një bote familjare, fragmente kujtese të bartura nga një brez në tjetrin. Teksa e dëgjoja, shpesh kisha ndjesinë se nuk po bisedoja vetëm me një piktor, por me një njeri që po më dorëzonte një pjesë të kujtesës së qytetit tim.
Dhe sa më shumë e dëgjoja, aq më shpesh më riktheheshin fjalët e Fatmir Toçit:
“Ja ku e ke një njeri që është vetë rrëfimi i gjallë për Shkupin.”
Pikërisht për këtë arsye, në një nga bisedat tona e pata nxitur Kujtim Buzën që një pjesë të atyre kujtimeve, njohurive dhe reflektimeve të tij ta kthente në një dëshmi të shkruar me karakter shkencor. E ftova të përgatiste një punim për revistën shkencore “Studime Albanologjike”, revistë e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Për mua ishte e rëndësishme që ajo që Kujtimi e bartte në kujtesë dhe e rrëfente me aq pasion të mos mbetej vetëm brenda bisedave tona, por të hynte edhe në fondin e shkruar të dijes dhe të kujtesës sonë kulturore.
Kujtimi iu përgjigj kësaj nxitjeje. Shkrimi i tij u bë pjesë e “Studimeve Albanologjike”, duke lënë kështu në Shkup edhe një gjurmë të shkruar që do të jetojë përtej bisedave dhe kujtimeve tona personale. Sot kjo më duket edhe më e çmuar. Fjala e thënë jeton në kujtesën e atyre që patën fatin ta dëgjonin; fjala e shkruar mbetet për brezat që vijnë.
Ndoshta atëherë asnjëri prej nesh nuk e mendonte se një ditë ai shkrim do të merrte edhe peshën e një kujtimi. Sot, kur Kujtimi nuk është më mes nesh, ai tekst mbetet edhe si dëshmi se lidhja e tij me Shkupin nuk ishte vetëm emocionale. Ajo u bë pjesë e kujtesës sonë institucionale dhe shkencore.
Kjo është arsyeja pse ikja e tij më dhemb edhe si një humbje për Shkupin.
Sepse qytetet nuk përbëhen vetëm nga ndërtesat, sheshet, urat dhe rrugët. Qytetet jetojnë përmes njerëzve që i kujtojnë. Jetojnë përmes atyre që dinë t’ua rrëfejnë historinë brezave që nuk patën mundësinë ta shihnin atë botë të zhdukur. Dhe sa herë largohet një njeri që di të rrëfejë, bashkë me të mbyllet edhe një dritare nga e cila mund ta shihnim të kaluarën.
Kujtim Buza ishte një nga ato dritare.
Sot, takimet tona në koloninë artistike “Shkupi në Telajo” më rikthehen me një domethënie krejt tjetër. Sa simbolike më duket tani: Shkupi në telajo dhe Kujtim Buza mes piktorëve që përpiqeshin ta kapnin qytetin me ngjyra. Sikur vetë jeta kishte bashkuar aty dy botë që ai i kishte aq pranë artin dhe kujtesën për Shkupin.
Por Kujtimi nuk e pikturonte Shkupin vetëm me penel.
Ai e pikturonte edhe me fjalë.
Në rrëfimet e tij kishte ngjyra. Kishte mall. Kishte emra njerëzish, vende, rrugica dhe histori familjare. Kishte edhe ato ecje të fëmijërisë drejt magazave të Hasan Prishtinës kujtime në dukje të vogla, por që sot marrin peshën e dëshmisë. Ishte aty Shkupi që brezat e rinj nuk patën mundësi ta njihnin, por që mund ta përfytyrojnë ende përmes kujtimeve të njerëzve si ai.
Sot më vjen keq për çdo pyetje që nuk ia bëra.
Për çdo rrëfim që mund ta kisha dëgjuar edhe një herë.
Për çdo hollësi të Shkupit që mund të kishte mbetur ende diku në kujtesën e tij.
Njeriu gjithmonë mendon se do të ketë një takim tjetër. Një kafe tjetër. Një bisedë tjetër. Se do të ketë kohë ta pyesë përsëri: Kujtim, si ishte atëherë Shkupi? Çfarë të tregonte babai? Çfarë kujtoje nga fëmijëria? Si ishin magazat e Hasan Prishtinës? Kush jetonte aty? Si dukej ajo rrugë?
Por vjen një ditë kur pyetjet mbeten, ndërsa njeriu që mund t’u përgjigjej nuk është më.
Prandaj sot, përpara se ta kujtoj vetëm si piktor, dua ta kujtoj si njeriun që më rrëfente.
Si mikun që, sa herë fliste për Shkupin, ma sillte më pranë një qytet që koha e kishte ndryshuar.
Me ikjen e Kujtim Buzës, kultura shqiptare humbi një artist. Familja humbi njeriun e saj të dashur. Miqtë humbën mikun e tyre.
Por Shkupi humbi një nga rojtarët e kujtesës së vet.
Një njeri që e bartte këtë qytet në rrëfimet e familjes së tij, në kujtimet e trashëguara nga i ati dhe në pamjet e fëmijërisë së vet. Sa herë kthehej në Shkup, nuk dukej sikur vinte në një qytet të huaj; dukej sikur kthehej te një pjesë e vetvetes.
Dhe ndoshta kjo është forma më e bukur e përkatësisë ndaj një qyteti: jo vetëm të kesh jetuar në të, por ta bartësh me vete. Ta ruash. Ta rrëfesh. Ta shkruash. T’ua lësh të tjerëve si kujtim.
Kujtim Buza e bëri pikërisht këtë.
Tani është përgjegjësia jonë t’i ruajmë rrëfimet dhe gjurmët që ai la pas.
Sot, ndërsa shkruaj këto rreshta, më rikthehet edhe një herë çasti i njohjes sonë dhe fjalia e Fatmir Toçit. Atëherë ishte thjesht një prezantim. Sot tingëllon pothuajse si një porosi që na është lënë:
“Ja ku e ke një njeri që është vetë rrëfimi i gjallë për Shkupin.”
Ai zë sot ka heshtur.
Por kujtesa që na la nuk duhet të heshtë.
Lamtumirë, Kujtim.
Do të më mungojnë bisedat tona. Do të më mungojë mënyra se si ma rrëfeje Shkupin – Shkupin e kujtimeve të babait tënd, Shkupin e fëmijërisë sate, Shkupin e Çarshisë e të Urës së Gurit dhe Shkupin ku, si fëmijë, shkoje te magazat e Hasan Prishtinës. Por më ngushëllon mendimi se një pjesë e zërit tënd mbeti e shkruar këtu, në Shkup, në faqet e “Studimeve Albanologjike”. Dhe sa herë të kërkoj gjurmët e këtij qyteti, do të kujtoj se ishte një piktor që Shkupin nuk e mbante vetëm në telajo e mbante në zemër, në kujtesë dhe në fjalën e shkruar.
Next Post
Kujdes kur qesh pushteti!

Qorrsokaku i Elitës tonë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Kush është Bekim Sejdiu, kandidati për president me karrierë në drejtësi dhe diplomaci

Kush është Bekim Sejdiu, kandidati për president me karrierë në drejtësi dhe diplomaci

August 31, 2026
Rama: 20 shkolla në Tiranë pajisen me kamera inteligjente, teknologjia në shërbim të sigurisë së fëmijëve

Rama: 20 shkolla në Tiranë pajisen me kamera inteligjente, teknologjia në shërbim të sigurisë së fëmijëve

August 31, 2026
Vdiq shtatzënë rrugës për në spital, flet motra e 37-vjeçares: Kërkoj drejtësi!

Vdiq shtatzënë rrugës për në spital, flet motra e 37-vjeçares: Kërkoj drejtësi!

August 31, 2026
VIDEO / Banorët e Vuklit kundër ndërtimit të HEC-it: Duam garanci se nuk do të dëmtohet zona

VIDEO / Banorët e Vuklit kundër ndërtimit të HEC-it: Duam garanci se nuk do të dëmtohet zona

August 31, 2026
Gara për Prokurorin e Përgjithshëm, Berisha: Nuk marrim pjesë në përzgjedhjen e emrit

“Më presin republikanët në Teksas”, Berisha zbulon detaje nga vizita në SHBA

August 31, 2026
Aksident i dyfishtë në Fier/ Mjeti me targa italiane përfundon në kanal, shkak parakalimi i gabuar

Aksident në Lushnjë-Berat, makina përmbyset në kanal, plagoset një pastor i huaj

August 31, 2026
Horoskopi ditor për nesër, e hënë 1 qershor 2026

Horoskopi ditor për nesër, e Martë 1 Shtator 2026

August 31, 2026
“Këta që kanë mbetur janë zogjtë e një klloçke plakë”, deputetja e PS: Protesta është e lidhur me Berishën

Berisha: Çmimet në Shqipëri janë rritur 5.2 herë më shumë se mesatarja e BE-së!

August 31, 2026
“Tym i bardhë” në Kosovë! LDK dhe VV arrijnë marrëveshje për presidentin, kandidat do të jetë Bekim Sejdiu

“Tym i bardhë” në Kosovë! LDK dhe VV arrijnë marrëveshje për presidentin, kandidat do të jetë Bekim Sejdiu

August 31, 2026
“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, Ibrahimaj: Javën e ardhshme lançohet portali për kreditë e bizneseve

“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, Ibrahimaj: Javën e ardhshme lançohet portali për kreditë e bizneseve

August 31, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com