Nga Kristaq Xharo
Edmund Burke, një nga mendimtarët britanikë më të thellë të filozofisë politike, na kujton se kombi nuk është pronë e brezit që jeton sot, por një amanet i marrë nga të parët dhe një detyrim moral ndaj atyre që do të vijnë. Por çfarë përfshin ky amanet? Kufijtë e dukshëm: trojet, detrat, lumenjtë, liqenet, pyjet dhe pasuritë e tjera materiale, apo edhe kufijtë e padukshëm: gjuhën, ndjenjën, moralin, karakterin që i japin një kombi identitet, vazhdimësi dhe kuptim. Një dallim midis materies dhe idesë, një dallim mes kufijve që shohim dhe atyre që ndjehen.
Kufijtë e dukshëm i përkasin shteteve. Ata vizatohen në harta, mbrohen nga ushtri, garantohen nga ligje dhe njihen e pranohen nga diplomacia ndërkombëtare. Por fatmirësisht, mbijetesa e një kombi nuk vendoset vetëm prej tyre. Ekzistojnë edhe kufij të tjerë, të cilët nuk i kap sateliti, nuk i mat gjeografia dhe nuk i ndryshon asnjë traktat. Ata jetojnë në ndjenjën e përkatësisë, në identitetin që na bashkon, në gjuhën që flasim, në kujtesën që ruajmë, në kulturën që trashëgojmë, në karakterin që formojmë, në besimin që ndërtojmë te njëri-tjetri dhe në përgjegjësinë me të cilën ua përcjellim këtë amanet brezave që vijnë. Janë kufijtë e padukshëm të kombit.
Për shekuj apo mijëvjeçarë u pushtuam nga perandori, kryqëzata e besime, me shpatë e shtizë, por nuk u pushtuan gjuha, kujtesa, identiteti dhe ndjenja e përkatësisë. U ndaluan shkollat, por nuk u shua kujtesa. Kombi u nda në perandori, shtete e besime, por nuk u këput lidhja shpirtërore që i mbajti shqiptarët një komb.
Brezi i lavdishëm i Skënderbeut mbrojti lirinë dhe nguliti emrin e shqiptarëve në memorien e Europës. Rilindësit, përpara se të ndërtonin shtetin, ndërtuan themelet e kombit: shkruan gjuhën, zgjuan ndërgjegjen kombëtare dhe i dhanë shqiptarëve një vetëdije të përbashkët. Brezi i Pavarësisë e shndërroi këtë vetëdije në shtet. Brezat pasues, me arritjet dhe gabimet e tyre, ngritën institucione, zhdukën analfabetizmin, zhvilluan arsimin, infrastrukturën dhe ekonominë. Secili brez i shtoi diçka këtij amaneti; askush nuk ia nisi nga hiçi.
Ndjehet se historia nuk u dorëzon brezave një flamur për ta valëvitur në ditë festash, as u lë një pronë për ta konsumuar. Ajo u beson një amanet, një pishtar, flaka e të cilit mbahet gjallë nga besimi dhe përgjegjësia. Çdo brez kërkohet ta përcjellë këtë pishtar më të ndritshëm se sa e mori.
Po brezi ynë?
Pa mohuar arritjet dhe zhvillimin, ndoshta jemi brezi që po ngatërron amanetin e kombit me një trashëgimi pronësore. Shpesh sillemi sikur historia të fillojë me ne dhe të përfundojë me mandatin, interesin apo jetën tonë. Por historia nuk njeh pronarë; njeh vetëm bartës të amanetit, të cilët gjykohen jo për atë që morën, por për atë që lanë pas. Sepse kufijtë e padukshëm nuk shemben me zhurmë. Ata nuk pushtohen me tanke dhe as zhduken me traktate. Ata treten ngadalë, si brigjet që deti i ha kokërr pas kokrre. Askush nuk e vëren ndryshimin nga një ditë në tjetrën. Vetëm pas shumë vitesh kupton se bregu nuk është më aty ku ishte.
Kështu po ndodh edhe me ne… Fshatra që zbrazen, shkolla që mbyllen, familje që nuk sjellin më fëmijë në jetë. Një i ri që e sheh aeroportin si portën e vetme të së ardhmes. Një pyll që zhduket. Një lumë që betonizohet. Një bregdet që humbet karakterin. Një hendek social që po kthehet në greminë, qytetarë që nuk besojnë më se ligji është i njëjtë për të gjithë. Por jo vetëm kaq… Secila duket një ngjarje e veçuar, por së bashku ato përbëjnë edhe erozionin e kufijve të padukshëm.
Ndoshta gabimi ynë është se vazhdojmë t’i trajtojmë si veç e veç, si kriza të ndara. Flasim për krizë demografike, krizë ekonomike, krizë politike, krizë në arsim, krizë të familjes apo krizë të besimit, sikur secila të jetonte më vete. Në të vërtetë, të gjitha janë degë të së njëjtës rrënjë: krizës sociale.
Dhe kjo është ndoshta kriza më e rrezikshme që kemi kaluar e parë. Jo sepse bën më shumë zhurmë, por sepse përparon në heshtje të frikshme. Është një krizë që nuk shpallet me dekret, nuk shoqërohet me sirena alarmi dhe nuk rrëzon qeveri brenda natës. Ajo hyn në heshtje në familje, në shkolla, në komunitete. Fillimisht dobëson shoqërinë. Pastaj dobëson kombin.
Kur humbet besimi, dobësohet solidariteti. Kur humbet shpresa, shtohet emigrimi. Kur zbrazet vendi, plaket popullsia. Kur lindin më pak fëmijë, dobësohet vazhdimësia. Kur zbehet kujtesa, lëkundet identiteti. Kur merita zëvendësohet nga klientelizmi, dobësohen institucionet. Kur prona publike trajtohet si plaçkë dhe jo si amanet, dëmtohet vetë ideja e së mirës së përbashkët. Kur këto procese zgjasin me vite e dekada, kriza sociale nuk mbetet më vetëm sociale; ajo shndërrohet në krizë kombëtare, sepse fillon të cenojë vetë aftësinë e kombit për t’u ripërtërirë dhe për të mbijetuar.
Përndryshe, dhe paradoksalisht, ne vazhdojmë ta masim suksesin vetëm me GDP-në, me statistika afatshkurtra: sa kulla ndërtuam e jo sa lagje të jetueshme krijuam, sa turistë pritëm, sa kilometra rrugë shtruam, edhe kur ato kalojnë nëpër fshatra të braktisur… Janë të gjitha të rëndësishme. Por historia është shumë më pak e impresionuar nga betoni sesa nga njeriu. Një ekonomi mund të rritet edhe kur një komb tkurret. Një aeroport mund të zgjerohet edhe kur mbushet kryesisht me njerëz që largohen. Një shtet mund të bëhet më i pasur, edhe kur kombi tretet.
Historia, veçanërisht ajo e jona, ka treguar se kombet rrallë zhduken nga pushtimet me ushtri apo nga një katastrofë e vetme. Më shpesh ato lodhen ngadalë, derisa një ditë kuptojnë se kanë humbur më shumë njerëz sesa territore, më shumë besim sesa pasuri dhe më shumë të ardhme sesa të tashme.
A ka rrugëdalje?
Sigurisht. Por historia na mëson se kombet nuk shpëtohen nga mrekullitë, por nga karakteri. Krizat politike kapërcehen me zgjedhje, krizat ekonomike me reforma, ndërsa krizat sociale vetëm kur rindërtohet besimi: te lidhja me trojet, te shteti, te drejtësia, te merita, te familja, te arsimi dhe te puna. Kur qytetarët binden se ligji është i barabartë për të gjithë, kur të rinjtë shohin të ardhmen në vendin e tyre, kur familja mbështetet, arsimi formon karakter dhe e mira publike trajtohet si amanet e jo si plaçkë apo favor, kufijtë e padukshëm të kombit fillojnë të forcohen sërish. Sepse një komb nuk mbahet në këmbë vetëm nga ekonomia apo ushtria, por nga bindja e qytetarëve se ia vlen të jetojnë, të punojnë dhe t’ua lënë këtë vend më të mirë brezave që vijnë.
Kombet nuk humbasin ditën kur cenohet kufiri në hartë; ato fillojnë të humbasin përditë, kur askush nuk ndien më përgjegjësi për kufijtë e padukshëm. Pikërisht aty, në atë hapësirë ku jetojnë gjuha, kujtesa, kultura, identiteti, karakteri, besimi dhe përgjegjësia, vendoset fati i sotëm dhe i nesërm i kombit.
Ndoshta një ditë, pas të nesërmes, diku nga viti 2100, një nxënës shqiptar do të hapë librin e historisë. Emrat tanë mund të jenë shuar, debatet do t’i ketë tretur koha dhe premtimet do t’i ketë marrë era. Historia nuk do të ndalet te zgjedhjet që u fituan, te kullat që u ndërtuan apo te politikanët që besuan se do të përjetësoheshin. Ajo do të bëjë vetëm një pyetje, sepse vetëm ajo i mbijeton kohës: Kur erdhi radha juaj, si e përcollët amanetin e kombit për ata që erdhën pas jush?











