Dy persona janë arrestuar, një është proceduar në gjendje të lirë dhe një tjetër është shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit policor të koduar “Poker 5”, për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Shërbimet e policisë kanë goditur një rast i organizimit të lotarive të palejuara, në ambientet e një lokali në Koplik, që ishte i paregjistruar në organet tatimore.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: S. Z., 22 vjeç dhe Sh. B., 34 vjeç, banues në Koplik, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.
Ndërkohë, në kërkim është shpallur pronari i lokalit, shtetasi L. G., 25 vjeç.
Gjithashtu u referuan materialet në prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. H., 45 vjeç, banues në Bogiq, Malësi e Madhe, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në Koplik, në ambientet e lokalit janë gjetur 1 tavolinë pokeri, 5 makineri elektronike për lojëra fati, një valixhe me çipsa që përdoren për lojëra fati, letra bixhozi dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike canabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
/s.f