Nga Adriatik Doçi
Në 2019 i akuzuan si të blerë me para të pista, ndërsa sot mbledhin vota bashkë, me synimin për të qeverisur vendin pas 25 prillit. Pas Monika Kryemadhit, edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka ‘rehabilituar’ dhe madje ka përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit, disa deputetë aktualë, të cilët i ka akuzuar si të blerë me paratë e drogës, pasi pranuan të merrnin mandatet e dorëzuara nga PD-ja në vitin 2019, në kuadër të strategjisë politike për rrëzimin e qeverisë Rama. Basha ka përfshirë në listën e kandidatëve për Tiranën, Korab Litën, ish-nënkryetarin e Bashkisë së Kamzës, i cili në prill të vitit 2019, refuzoi t’i bindej vendimit politik të PD-së, duke pranuar të marrë mandatin e ish-deputetit Dashamir Shehi.
Basha ka përfshirë në listën e Tiranës edhe kreun e Ballit Kombëtar, Artur Roshin, i gjithashtu pranoi mandatin e dorëzuar nga Partia Demokratike, duke hyrë në listën e ‘tradhtarëve’. Në Lezhë, Lulzim Basha ka përfshirë në listë Salvador Kaçaj, i cili pati përplasje me PD-në në vitin 2019, pasi iu bashkua partisë Bindja Demokratike të Astrit Patozit, madje shpalli edhe kandidaturën në zgjedhjet e 30 qershorit për Bashkinë e Lezhës, zgjedhje këto të bojkotuara nga PD-ja. Megjithatë, ish-kreu i Komunës Shëngjin u tërhoq nga gara.
Në mars të vitit 2019, Basha i konsideroi kandidatët e PD-së që pranuan mandatin si tradhtarë dhe që nuk kishin fytyrë për të dalë para shqiptarëve. “Ata të mjerë, ata pak të mjerë që futen në atë godinë, shesin shpirtin, ata janë turpi i familjeve të tyre. Tradhtarët që kurrë nuk do t’i falë historia. Zoti pastë mëshirë për shpirtrat e tyre, se fytyrë ata nuk kanë më para shqiptarëve”, thoshte Basha. Për disa muaj me radhë, Lulzim Basha, Sali Berisha dhe mediat pranë tyre nisën në fushatë të egër sulmesh, akuzash, denigrimi dhe balosje ndaj këtyre deputetëve, të konsideruar edhe si opozita e re.
Një tjetër kandidat i Partisë Demokratike, i cili mori mandatin e deputetit, është përfshirë nga Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta në listat e LSI-së në Berat. Bëhet fjalë për Lefter Maliqin, i cili kur vendosi të pranojë mandatin ishte nëndrejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, nëndegë qeverisë ‘Rama’. Maliqi u sulmua nga PD-LSI pas kësaj lëvizje, por sot këto dy parti shpresojnë se Maliqi do të mbledhë vota për ta në Berat. Ndërkaq, Kryemadhi ka po bën fushatë në Përrenjas, duke dalë me në krah deputeten Suzana Topi, e cila doli nga listat e LSI dhe pranoi mandatin e deputetit, veprim për të cilin Kryemadhi e akuzoi si të shitur.
Ndërkaq, në mars të vitit 2019, reagimi i Monika Kryemadhit, për kandidatët që pranuan mandatet, ishte dhe më i ashpër se i Lulzim Bashës. Sipas saj ata ishin blerë me paratë e drogës. “Nuk ka për t’ju falur asnjëri, tradhtarë. Doja t’i falënderoja të gjithë kandidatët e LRI-së, të cilët jo vetëm që nuk u joshën nga paratë e drogës dhe nga paratë e bankave të vjedhura, por përveç asaj, qëndruan përballë çdo presioni…mëkatet e njerëzve që hyjnë dhe dalin në listat tona ne do ti paguajmë, por edhe një gjë, tradhtinë të gjithë e përdorin, por tradhtarin asnjë nuk e do”. (Shqiptarja.com)