Kryetari i bashkisë së Stilidës në Greqi, Joanis Apostolou, një kontraktor dhe pronari i një parku eolik u la në paraburgim pas dëshmisë mbi hetimet për zjarrin që shpërtheu në një park eolik në Viotia dhe u përhap me shpejtësi në Atikën Perëndimore, duke djegur sipërfaqe të mëdha pyjore.
Hetuesit arritën në përfundimin se zjarri filloi nga shkëndijat e shkaktuara nga defektet në një rrjet transmetimi të energjisë elektrike të ndërtuar nga kompania e kryetarit të bashkisë. Vendimi erdhi pas një procesi të gjatë dëshmish që përfundoi në orët e para të 7 gushtit në një gjykatë në Tebë.
Joanis Apostolou, pas vendimit deklaroi se i respekton plotësisht institucionet dhe vendimet e gjyqësorit grek, por këmbënguli se nuk është përgjegjës për tragjedinë, duke shtuar se e vërteta do të dalë në dritë. Më 27 qershor, në të njëjtën linjë elektrike kishte shpërthyer një zjarr tjetër, rreth 100 metra larg vendit ku dyshohet se nisi vatra e fundit.
Edhe pse u vu shpejt nën kontroll, autoritetet po verifikojnë nëse pas incidentit u kryen kontrollet e nevojshme të sigurisë dhe nëse u morën masat për eliminimin e problemeve të konstatuara. Kryebashkiaku Apostolou dhe dy personat e tjerë përballen me akuza të rënda penale dhe dosja e çështjes ndaj tyre do të përfshijë gjithashtu edhe përplasjen fatale të dy helikopterëve në Psatha gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit në Atikën Perëndimore, ku humbën jetën dy persona.











