Nga Agron Gjekmarkaj
Çuditë s’kanë të sosur! Kur ti je zgjuar gjithë bezdi, me zile te koka për të kapur avionin, i mufatur, goja shkrumb nga jermet e natës, qejfprishur shfaqesh krejt i dorëzuar ndaj kuriozitetit, mendjen e ke të dremitësh pak e në djall të tjerat!
Por jo gjithmonë shabllonet e përftuar nga eksperienca e jetës i shkojnë skenarit deri në fund!
Në sallën e përgjumur të aeroportit, katër burra me 24 baule e valixhe hynë njëri pas tjetrit, të veshur habitshëm e hukubetshëm!
Në fakt, ata ishin më të panjohur normal se të maskuar, po ashtu jua kishte thënë mendja në ato orë kritike ankthi!!
Gjithsesi, kishin bërë të tyren! Me rroba të ndezura ngjyrash, me këshillën e Sofianit, ishin tebdilosur: dy zëvendësministrat e financave dhe një si biçim i paidentifikuar; në fund, vetë Sypetriti, i hutuar si avdall!
Ata tërhiqnin karrelin me ngarkesën e madhe bina, ministri e shtynte nga pas, duke thirrur: hop la la, hop la la, edhe pak, edhe pak!
Kur na pa, desh veten; djersët i dolën mbi kominoshet që kishte veshur për t’u dukur si punëtor aeroporti! U topit!
Ju afruam ngadalë dhe i thamë: po ti këtu që me sabah, more tutkun, po arratisesh, e?
Belbëzonte, çapitej, kërkonte ujë; dikur e mblodhi veten e tha: “Jo, mo, po meqenëse erdhëm herët se kemi samit, ne jemi njerëz të punës; na ka mësuar Babo të shfaqim dobi komunitare dhe menduam t’u japim një dorë këtyre të shërbimeve e të mirëmbajtjes”, por ishte dukshëm i shqetësuar!
Për t’u dukur më bindës në tezën e tij, shtoi: “Ja, për shembull, që ju ta kuptoni më mirë: Braçes i ka lënë detyrë të pastrojë letrat dhe kanoçet nëpër lulishtet e Tiranës në kohën e lirë, meqë ka shfaqur ambicie për Bashkinë; Ervin Hoxhës të ndihmojë pleqtë të bëjnë pazarin dhe të ngjisin trastat nëpër shkallë; Antonetës, Evisit dhe Irisit t’i bien qemanes nëpër sheshe për atmosferë; Delinës të shpërndajë byrekë, shama e gurabi nëpër festa; Ciut, tashmë në ilegalitet, të lexojë pjesëza nga ‘Kurbani’ nëpër universitete; asaj të shëndetësisë të mballosë miletin me gjilpëra antiviroze e antigrip nëpër rrugë; por mbi të gjitha, që rrisin besimin tek Babua, Albanës Koçisë të shëtisë nëpër sokaqe që gjindja të kuptojnë çfarë është kotësia! Saimir Hasalles të ruajë traditën e Dash Sules dhe të qepë shamiza e thile për xhaketat e të gjithë deputetëve që namuzin e thërrasin namuz e ashikllëkun ashikllëk!
Karakaçit të marrë të pamundurit në shpinë dhe t’i bartë aty ku rrugët janë të prishura dhe ura me vrima; Nufit të shtjerë me top mbi Surrel që të trembë laraskat; e plot gjëra të dobishme! Zeniqja të rrijë ulur kundër syrit të keq në vend të kërpudhës pranë Kryeministrisë! Pirro Dengut t’i qethë viçat e Vlorës!
Gonxhes i ka lënë detyrën e shenjtë që, bashkë me stafin e tij të patentave që i ka bërë drejtorë kulture, të pastrojë qenefet me parullën: “Në të vërtetë e dhjesim, po përpiqemi ta mbulojmë”!
Po këta arka ç’i ke? e pyesim me naivitet.
“Janë kapitujt e integrimit në formë origjinale, bio, që po çojmë në Bruksel”, u përgjigj me zërin e fikur!
Një dhimbje e brendshme më përshkoi të gjithin, lere mos e nga po të ishte me ne Kryezevendes Lideri Flamur, në çast do ia sekuestronte dhe do ia shpërndante fakir fukarase si dora e Zotit!
Njëra ka vizionet e Babos për Shqipërinë europiane në formë mendimesh dhe eseshë dhe librin e fundit “Sofra e ariut”, ajo e madhja në cep, kujtimet e Belës plot daramete, shënime për miqtë dhe armiqtë në parti; kjo e murrmja është me CD me këngët që Tezja ka kënduar gjatë këtyre viteve për gëzime e ziafete; ajo me kuadrate, petkat e takemet e Mamices para gijotinës, veshur për të lartuar vatanin në takime ndërkombëtare; tjetra me dërrasa, fjalimet e Taos që t’i mësojnë nëpër shkolla fëmijët e Europës; ajo në cep është me këshillat e Ulsiut, Xhafës e Tonit si të reformohet, komisioni europian me dy shpejtësi, në mes, kërkesat e Lamellarit për gaz lotsjellës për protestën e opozitës, të paskaduar, të lirë e të mirë; ajo në majë ka meloditë e Ismet Beqirit për në UNESCO; më delikatja, e ambalazhuar mirë, ka lotët e djersët e katër viteve të shkuara nëpër shishe e damixhane që mblodhi Laert Duro gjatë punës për hapjen e negociatave!!
E pa që nuk i besuam dhe në të gjitha cepat la si roje sejmenët lozonjarë që kishte me vete! Zëvendësministrave u la porosi të hynin në barkun e avionit bashkë me bagazhet dhe t’i ruanin si sytë, madje më shumë se aq!
Arkat bënë një zhurmë të madhe, tipiken e monedhave metalike prej floriri! Një u thye duke e ngjitur, e ca kallëpe ranë prej tyre si shkronjat e Dhaskal Todrit!
Në fillim autobusi mori popullin e thjeshtë e më pas solli tek pullë Sypetritin, të cilin e vuri tek zona biznes dhe i mbyllën perden! Si ministrat që mezi i kemi, duhet të kenë rehatllëk, me aq travajë sa u shkakton Gaz Bardhi, që mos bëftë hajër; është bërë si seleksionues i shpirtrave të këqij: kudo dosje, përgjime, video, foto, zëra, allah allah! Se ç’ka në dorë tani !!??!!!
Stjuardesa tha: “Mos bëni zhurmë se ministri po numëron!”
Heshtëm ne, por nga një cep dukej Sypetriti që njomte gishtat me pështymë dhe i jepte krahut vët, vët, vët!
Megjithëse ishte herët dhe nuk e kishte kuptuar që ishim në një avion, i tha zonjës së shërbimit: qerasi me birra të gjithë udhëtarët!
Kur kaluam mbi Mal të Zi, u dëgjua një piskamë: “A medet, medet, a ku ku ku, kemi harruar katër baulet më të rëndësishme në Tiranë, ku të mbytemi tani?!”
“Atë me kriptomonedha e inxhi e kemi”, vërejti ndihmësi!
“Ah, jo more, jo! Tjetra, tjetra, metalikja me tapitë e pronave të paluajtshme nëpër botë! Ku të gremisemi tani, se me kesh deri në një pikë nuk shkohet më tej, ja Orbani iku e rrëzoi Magjari, ku i dihet na merr me vete?!”
Zhurmë e potere, vaj e lot, çirrje e ndukje! Shyqyr që nuk qe me ne Jorushi i Tabakave se kushedi nuk e duronte dot atë lebeti!?
Ne shkuam aty afër për të parë se çfarë ndodhi; ai zgurdulloi sytë: “Mosss, edhe ju këtu?!” — rënkoi dhe u zalis!
Dikur e sollën në vete, duke e fërkuar me ujë e ufuth! Nga mesi i Sllovenisë, lart në qiell, një britmë që u dëgjua edhe në Lubjanë na shkundi të gjithëve: “Dua një parashutë, dua një parashutë!”, kërkonte pareshtur për vete dhe baulet Sypetriti!
“Kronika” po na përndjek!!
Të gjorat stjuardesa nuk e kuptonin se për çfarë bëhet fjalë…! Ai rrekej t’u shpjegonte se është diçka e tmerrshme, që të skuq, të jep të kruara, të vë brirë e bishta, të heq qejfin e jetës dhe arratisjen për një jetë më të mirë, pa travaje, ta quan faj e ta helmatis!!
Në Vjenë, sa zbritëm, na u shfaq Slloboda: “Po Etilda ku është, si është, kur vjen?”
“S’e dimë vallahi; janë ca baule të mëdha, po nuk më duket se kanë fshehur njerëz aty brenda për momentin!”
“Ajo po ndihmon Babon për Shqipërinë 2030 me siguri se për pak do hyjë në Qeveri!”











