Kroacia bllokon sërish prodhimet bujqësore shqiptare.
Këtë herë, autoritetet kroate kanë ndaluar dy ngarkesa, një me fiq të thatë dhe një tjetër me speca, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar prani të lartë të aflatoksinave dhe pesticideve, mbi kufijtë e lejuar.
Sipas të dhënave të publikuara më 26 tetor në Sistemin Evropian të Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshët, RASFF, fiku i thatë me origjinë nga Shqipëria ka rezultuar me përmbajtje aflatoksinash 375% mbi normën e lejuar.
Konkretisht, kufiri maksimal i lejuar për aflatoksinat totale në fiqtë e thatë është 10 mikrogramë për kilogram, ndërsa analizat laboratorike kanë zbuluar një përqendrim prej 47,5 mikrogramësh për kilogram.
Por shkelja nuk përfundon këtu. Në të njëjtën ngarkesë është konstatuar edhe prania e aflatoksinës B1, një nga toksinat më të rrezikshme që prodhohen nga myku, e njohur për vetitë e saj kancerogjene, veçanërisht për rrezikun e kancerit të mëlçisë.
Edhe në këtë rast, rezultatet janë alarmante. Përqendrimi i aflatoksinës B1 ka rezultuar 515% mbi kufirin e lejuar.
Ndërsa norma maksimale është 6 mikrogramë për kilogram, analizat kanë zbuluar 36,9 mikrogramë për kilogram.
Për shkak të këtyre rezultateve, autoritetet kroate kanë vendosur asgjësimin e ngarkesës me fiq të thatë.
Por kontrollet e sigurisë ushqimore në Kroaci kanë zbuluar probleme edhe te perimet shqiptare. Një tjetër ngarkesë me speca të kuq është bllokuar pasi analizat kanë evidentuar mbetje të pesticidit chlorfenapyr, një substancë që përdoret për luftimin e insekteve dhe dëmtuesve të bimëve.
Sipas të dhënave të RASFF-it, prania e këtij pesticidi ka rezultuar 420% mbi kufirin maksimal të lejuar.
Konkretisht, kufiri i lejuar është 0,01 miligramë për kilogram, ndërsa analizat kanë zbuluar një përqendrim prej 0,052 miligramësh për kilogram.
Të dyja rastet janë evidentuar gjatë kontrolleve kufitare në Kroaci dhe janë raportuar në sistemin evropian RASFF.
Ndërkohë, mbetet pa një sqarim publik nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit se çfarë verifikimesh janë kryer në Shqipëri për këto dy raste dhe nëse janë marrë masa ndaj subjekteve përgjegjëse.
Po ashtu, mbetet e paqartë se çfarë masash janë marrë për ngarkesën me speca të bllokuar në Kroaci.
Këto raste ngrenë një tjetër pikëpyetje të rëndësishme:
Nëse produktet shqiptare rezultojnë me substanca mbi normat e lejuara gjatë kontrolleve në kufijtë e Bashkimit Evropian, sa garanci kanë konsumatorët për sigurinë e fiqve të thatë dhe specave që tregtohen në tregun vendas?









