Nga Mero Baze
SHBA, OSBE dhe Bashkimi Europian u investuan që Lulzim Basha të pranonte më në fund kthimin në tryezë bisedimesh për zgjidhjen e krizës, duke e lavdëruar paraprakisht atë për hapin që duhej të hidhte. Ivi Kaso, një ekspert i opozitës, u ul në tryezë, lexoi një deklaratë si Neritan Ceka në Parlamentin e 1991 dhe iku duke ngritur një stuhi, e cila për pak prishi tryezën.
Nervozizmi erdhi nga përplasja mes opozitës parlamentare, e cila është bashkëdrejtuese e Komisionit të Reformës Elektorale, dhe qëndrimeve të të dërguarit të opozitës joparlamentare.
Thelbi i konfliktit është që Lulzim Basha kërkon të kthehet në sistem, pra të pranojë dështimin e strategjisë së tij, por sfiduesit e tij, opozita parlamentare, të ndëshkohen. Me pak fjalë, ai pranon që e ka humbur betejën e rrugës, por nuk pranon dot, që fitimtarët e asaj beteje, opozita që nuk pranoi të dalë në rrugë, të jetë faktor.
Ky është i vetmi rast në histori, kur një humbës kërkon të ndëshkojë fitimtarët, dhe t’u vjedhë atyre fitoren.
Lulzim Basha nuk ka asnjë problem me Edi Ramën në këtë histori. Edi Rama ja ka lënë opozitës të drejtën për të bërë propozimet për reformën zgjedhore. Problemi që ka opozita është se ka humbur përfaqësimin dhe nuk bie dakord çfarë t’i propozojë qeverisë për të miratuar.
Opozita parlamentare ka prioritet sistemin, Basha ka prioritet financimin e partive, pasi është djegur nga paratë ruse, partitë luajale të Bashës, kanë prioritet garancinë që Basha të ketë mundësi t’i fusë prapë në Parlament…
Në këto kushte, suksesi i tryezës parlamentare nuk varet më nga vullneti i qeverisë, pasi ajo ja ka deleguar opozitës të drejtat e propozimeve, por nga paqja brenda opozitës.
Lulzim Basha para se të dërgojë Ivi Kason me një copë letër në tryezë, sa për të bërë adetin, duhet të guxojë dhe të ulet me opozitën parlamentare, të pajtohet me ta, t’i rikonsiderojë pjesë të opozitës dhe t’i përdorë si mekanizëm për të kthyer në sistem, Partinë Demokratike.
Ata janë listë e tij, produkt i tij, dhe sfiduesit e tij. Ata e fituan betejën që nisën në shkurt kundër Lulzim Bashës dhe tani është Basha që ka nevojë për ata, e jo ata për Bashën.
Pajtimi i opozitës parlamentare me opozitën e rrugës, është e vetmja zgjidhje që opozita të ngjallë shpresë dhe të diktojë rregullat në tryezën e reformës elektorale e më tutje.
Dhe natyrisht, Basha duhet të paguajë një taksë për dështimin e revolucionit të tij. Sa e lartë është ajo, e ka në dorë opozita, ajo parlamentare dhe ajo e rrugës, dhe jo dy- tri vetë që shkojnë pas Bashës për t’i mbajtur çantën.
Ky është rasti kur Basha do paguajë çmimin për mungesën e lirisë dhe rregullave brenda PD-së së tij dhe jo për mungesën e rregullave në zgjedhjet parlamentare.
Nëse Basha nuk ka fuqi të pajtohet me të vetët, nëse nuk ka fuqi të pranojë dështimin dhe të gjejë fuqi të ribashkojë opozitën, tryeza për reformën elektorale nuk i hyn në punë askujt, pasi ne do të vazhdojmë të kemi një opozitë humbëse, të pashpresë dhe ndoshta përsëri duke bojkotuar zgjedhjet, nga frika e humbjes së Lulzim Bashës.
Tani që i doli turpi dhe u kthye në tryezë, mirë është t’i dalë turpi e të ulet me Rudina Hajdarin, Murrizin e Patozin. Se pavarësisht vërejtjeve që kemi për të, ai e ka një talent, që nuk e ka askush. Nuk ka turp kur gënjen. Dhe ky është rasti kur ky talent i hyn në punë. (Tema) /l.m