Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Fabian Topollaj, ka shpjeguar për JavaNews.al arsyet e krijimit të Lëvizjes për Ringritjen e PD.
Në një intervistë të shkurtër, Topollaj shprehet se lëvizja në fjalë nuk ka asgjë personale me Lulzim Bashën. Përkundrazi – thotë Topollaj – personale e ka Basha me kryesimin e PD.
Njëherazi anëtar i Këshillit Kombëtar të PD dhe një nga iniciuesit e Lëvizjes, ai shprehet se LSI nuk mund të personifikohet me opozitën, pasi sipas tij një opozitë e ka forcën te morali.
Kritikat e tij ndaj Bashës vijojnë edhe më tej, teksa thekson se lidershipi i PD bëri sikur nuk i dëgjoi akuzat e ambasadorit Donald Lu ndaj të ashtuquajturave familje mafioze në Shqipëri.
Bisedoi Ardit Rada
Disa ditë me parë, një grup funksionarësh të Partisë Demokratike midis të cilëve dhe ju, kanë iniciuar një lëvizje të quajtur “Lëvizja për Ringritjen e PD”. Pse pikërisht tani kjo lëvizje dhe cili është qëllimi?
Si Lëvizja që nuk është gjë tjetër veçse një formë organizimi politik, ashtu edhe platforma e shpallur kanë një qëllim të vetëm: Shpëtimin nga rreziku i dobësimit të mëtejshëm apo me keq, edhe të shpërbërjes së Partisë Demokratike pas rezultatit katastrofik të marrë në zgjedhjet e 25 Qershorit. Fakti që PD humbet 230 mijë vota në një kohë që perball ka pasur një qeverisje të tejkorruptuar dhe kriminalizuar si dhe pa asnjë bilanc, e për më tepër nuk arrin të faktojë deformimin masiv të votës, janë provë e deshtimit total të lidershipit aktual të Partisë Demokratike dhe nevojës për ndryshime rrënjësore në mënyrën sesi drejtohet dhe merren vendimet në këtë parti, gjithmonë nëse kërkojmë të shpetojmë nga zhdukja asetin më të vlefshëm politik të Shqipërisë në 27 vitet e fundit. Platforma është nje projekt bashkimi, një urë lidhëse, një mundësi që i jepet lidershipit të PD që deri më tash është kujdesur vetëm për të kapur drejtimin e partisë, që kjo parti nëpërmjet bashkimit të mund të ringrihet, në mënyrë që sot të mund të shërbejë si opozita që shkurton ditët e kësaj qeverie mizerabël dhe nesër të jetë një alternativë pakrahasueshmërisht më e mirë se qeverisja e sotme për zhvillimin e vendit.
Kjo është arsyeja që Platforma nuk kërkon poste apo pozicione partiake për përfaqësuesit e saj, madje as nuk imponohet për implementimin e ideve që ajo paraqet për mënyrën e ringritjes së PD. Platforma kërkon vetëm mundësinë që të bëhet një proces i vërtetë analizë për shkaqet e humbjes dhe një proces i barabartë zgjedhjesh për të gjitha organet drejtuese në PD. Kjo, me qëllim që vendimarrëse në parti të jetë anëtarësia e saj dhe jo me një grup njerëzish që numërohen me gishtat e një dorë të vetme. Ne jemi të bindur se klientizimi i partisë, vendimarrjet individuale dhe shmangia e vullnetit të anëtarësisë e kanë çuar PD-në në katastrofë. Ndaj dhe kërkojmë vetëm të testohemi, e më pas të jetë anëtarësia që vendos se cilët ishin shkaktarët e humbjes, kush është rruga e ringritjes dhe cilët janë njerëzit që na çojnë më lehtë drejt suksesit.
Lëvizja që ka nisur a mund të shndërrohet në një Parti Politike nëse Basha nuk vjen në pozicionet tuaja?
Funksionarët apo personazhet që kanë iniciuar dhe nënshkruar këtë platformë, ku bëjnë pjesë nga themelues të PD dhe deri tek të rinj me funksione në organet ekzistuese, ndoshta do ta kishin më të lehtë themelimin e një organizmi të ri politik në rast se do të kishin parësor qëllimin e karrierës individuale. 230 mijë bojkotues në zgjedhjet e fundit janë një hambar i madh elektoral për një formacion të sapokrijuar politik. Por qëllimi nuk është ky. Unë e shpreha dhe më sipër, qëllimi parësor i lëvizjes është forcimi i PD nëpërmjet bashkimit të saj. Ne jemi të bindur se Shqipëria sot më shumë se kurrë ka nevojë për një Opozitë frontale dhe morale përballë një maxhorance të madhe në numra dhe një qeverisje të kriminalizuar që po rrezikon çdo gjë që kemi arritur në këto 26 vite pluralizëm. Dhe ne besojmë se ky mision i takon së pari Partisë Demokratike ta kryejë, partisë që imponoi pluralizmin politik.
Unë nuk gjej asnjë arsye se përse lidershipi aktual i PD po refuzon dorën e shtrirë të të gjithë atyre anëtarëve që mendojnë se shumë gjëra janë bërë gabim në këtë periudhe. Pse të anashkalojë bërjen e një analize të vërtetë për shkaqet e humbjes ku bashkërisht të themi mendimin tonë për ndikimin që ka pasur në rezultatin zgjedhor marrëveshja e 18 majit. Apo cilësia e listës së kandidatëve për deputetë të PD. Mesazhet elektorale të lëshuara nga kryetari i Partisë dhe së fundmi t’i drejtohemi të gjithë anëtarësisë që ajo të zgjedhë në një proces të vërtetë dhe jo fars si ai i 22 korrikut, të gjitha organet drejtuese të PD. Unë mendoj që pranimi i kësaj platforme jo vetëm bashkon partinë dhe fuqizon atë, por më shumë se këdo ndihmon edhe vetë kryetarin Basha që të mund të legjitimojë veten në krye të PD duke dëshmuar që ka mbështetjen e anëtarësisë. Në të kundërt, PD-së që i munguan 230 mijë mbështetes në zgjedhjet e fundit, do t’i mungojnë shumë më tepër në ato që do të vinë më pas. Dhe pavarësisht nëse ky grupim vendos për të formëzuar apo jo një organizëm të ri politik, e sigurt është që këto vota nuk do të shkojnë më për PD, por do të shpërndahen në spektrin politik dhe kjo për mendimin tim është skenari më i keq për PD, por jo domosdoshmërisht më i keqi për Shqipërinë.
A është kjo nje beteje personale kunder kreut te Partise zotit Basha?
Jo këtu nuk ka asgjë personale nga ana e kritikëve. Duket sikur personale e ka zoti Basha me kryesimin e Partisë Demokratike. Pasi mori vendimet personale për bërjen e marreveshjes me Ramën, për listat e deputetëve dhe një fushatë skandaloze që solli rezultatin katastrofik, zoti Basha nuk mori asnjë përgjegjësi për humbjen, por nxitoi për të kapur kreun e PD. Nuk lejoi garë për veten e tij brenda partisë pavarësisht se rregullat e ndershme të garës i kishte pasur kauzën kryesore politike përballë kundërshtarit. Nuk dha dorëheqjen përpara zgjedhjeve për kreun e PD, edhe pse këtë ia kishte kërkuar Ramës për 90 ditë në një protestë maratonë. Nuk shtyu madje as datën e zgjedhjeve sipas kërkesës së rivalëve potencialë, shtyrje që vetë ia mori Rames me të paktën 1 javë në zgjedhjet e 25 qershorit. Nëse dikush këtu ka një gjë personale ai fatkeqësisht është zoti Basha. Zoti Basha është i obsesuar me postin e kryetarit të Partisë Demokratike, sepse ai dëshmoi se është i gatshem të bëjë çdo gjë për mbajtjen e kreut të partisë, qoftë dhe me koston e shkatërrimit dhe shuarjes së PD. Legjetimimi i kryetarit nëpërmjet një procesi të vërtetë zgjedhjesh e bën Partinë Demokratike më vitale, opozitën më të fortë dhe Shqipërinë më të mirë.
Si i shihni raportet e PD me LSI në opozitë dhe çfarë duhet të bëjë më mirë spektri opozitar në vend sipas jush?
Të falenderoj për këtë pyetje. Kur kontaktuam fillimisht bashkë për këtë intervistë, me shpoti të tregova që kam qenë një lexues i rregullt i revistës tuaj përpara 4 vitesh, atëherë kur ju bënit një opozitë të vërtetë ndaj Qeverisë së PD, pavarësisht se në atë kohë nuk ndaja qëndrime të njëjta me ju. Opozita është vlere e madhe kudo në botë, në Shqipëri do të thoja që ndoshta është më e madhja vlerë.
Një vend si Shqipëria ku kriminelët arrijnë të ulen deri në karrige deputetësh, korrupsioni është sistem qeverisës dhe shkelja e të drejtave të njeriut është rregull, një opozitë e vërtetë është antitrupi i vetëm dhe e vetmja shpresë e shoqërisë përballë së keqes në drejtim.
Imagjinoni Shqipërinë ku nuk denoncohet fakti që përdhunuesi bëhet kryetar bashkie, që fëmijët punojnë si skllevër dhe vdesin si skllevër në ndërmarrje shtetërore si rasti i Ardit Gjonklajt, apo që kodrat dhe malet gjelbërojnë më shumë prej bimëve narkotike sesa prej bimësisë së habitatit natyror. Dhe këtë shërbim për vendin mund ta bëjë vetëm një opozitë e vërtetë dhe frontale.
Sa hërë më pyesin se mos kritikat tona për drejtimin e PD çojnë ujë në mullirin e Edi Ramës unë ju përgjigjem se e kundërta është e vërtetë. Unë mendoj se Edi Ramës mund t’i shkurtohen ditët vetëm nëpërmjet një opozite të fortë dhe frontale, ndaj dhe kërkoj me ngulm të ndreq mjetin për të arritur qëllimin final. Shqipëria sot ka nevoje për një opozitë që kartën morale ta këtë armën më të fortë të luftës së saj. Fatkeqsisht shqiptarët nuk kanë besim sot tek asnjë prej forcave politike të rreshtuara në opozitë. Lulzim Basha nënshkroi një marrëveshje të pazbardhur ende me Edi Ramën në 18 Maj dhe pasi mori një rezultat dëshpërues në 25 qershor, 3 deputetë të tij votuan pro Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit. Ndërkohë vihet re një amnisti e çuditshme e aksionit opozitar të PD ndaj fenomeneve më negative të qeverisjes së sotme. Aktorë të rëndësishëm të gazetarisë kanë vënë në vëmendje se çuditërisht lidershipi i PD jo vetëm nuk i shfrytëzoi, por bëri sikur nuk i dëgjoi fare deklaratat bombastike të ambasadorit amerikan për klanet mafioze që veprojnë të pa shqetësuar nga strukturat shtetërore.
Nga ana tjetër LSI jo vetëm e ka të vështirë të perceptohet si opozitë për shkak se sapo ka dalë nga koalicioni qeverisës me Kryeministrin e sotëm, por duket sikur e ka të vështirë ta luajë këtë pozicion. Ju kujtoj se në mbledhjen pasuese të Këshillit Bashkiak, kur Veliaj u akuzua publikisht nga LSI se rriti çmimin e ujit duke blerë këshilltarë te kesaj force politike, LSI votoi pro të gjitha akteve të Veliajt, disa prej të cilave ishin më korruptive se rritja e çmimit të ujit ndoshta.
Aksioni opozitar e ka forcën tek morali, tek shpresa që ngjall në shoqëri. Unë mendoj që këtë mision jo vetëm duhet por ka detyrimin ta kryejë së pari PD në këtë vend. Prandaj dhe kërkoj një PD me një kryetar legjitim, një PD që kundërshtarin e ka përballë për ta denoncuar dhe mundur dhe jo për t’i shtrënguar dorën dhe për të bërë marrëveshje klienteliste me të, një PD që promovon vlerat e shoqërisë shqiptare dhe jo një PD që përshtatet me të keqen për ca pushtet të një grupi njerëzish, kushdo qofshin ata.
/JavaNews.al