Pas vendimit të Gjykatës Themelore që vendosi masën e arrestit 30 ditë burg, për deputeten e opozitës Donika Kadaj- Bujupi, protestuesit kanë përshkallëzuar situatën duke i vënë flakën një makine, që sipas medias lokale ishte me targa zyrtare. Të revoltuar ndaj vendimit protestuesit janë përleshur me forcat e policisë duke gjuajtur me gurë. Policia ka përdorur po ashtu gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Ndërkohë, deputetë të opozitës shprehen të vendosur për të vazhduar protestat e tyre kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Deputeti i VV-së, Dardan Molliqaj tha: “Ose do të na arrestojnë të gjithëve, ose nuk do të mbesë asnjë prej nesh i gjallë”.
Më poshtë njoftimi i Gjykatës themelore për deputeten Bujupi.
Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda sot mbajti seancën dëgjimore,me rastin e vendosjes sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tani të pandehurës Donika Kadaj-Bujupaj për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 375 par.2 lidhur me nenin 31 të KPK, dhe veprën penale: përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 375 par.1 të KPK dhe vendosi që ndaj të njëjtës të caktoi paraburgimin në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji llogaritur nga data e ndalimit përkatësisht nga data 18.11.2015.












