Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me dy ligje tjera, u miratua të premten, në një seancë të dytë brenda ditës së sotme të Kuvendit të Kosovës, me 61 vota pro, në një procedurë të përshpejtuar, të vendosur në seancën paraprake gjatë pasditës. Në shqyrtimin e parë në seancën e nisur paradite, të ndërprerë tre herë nga gazi lotsjellës i opozitës, e të vazhduar pasdite pa opozitën e përjashtuar, Projektligji u miratua në parim me 70 vota pro e 2 abstenime. Kjo seancë, e para e sesionit pranveror me 22 pika në axhendë do të vazhdojë javën e ardhëshme, të mërkurën, me pikat e papërfunduara. Sipas raportit të Komisioni Evropian, të 18 dhjetorit 2015, një nga tetë kërkesat për liberalizimin e vizave përmbushet “duke siguruar pavarësinë operacionale të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik”.
Haradinaj dorëhiqet nga mandati i deputetit
Ndërkohë, Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj nëpërmjet një komunikate për media bëri të ditur se dorëhiqet nga mandati i deputetit. “Duke e parë se Kuvendi i Kosovës, është shndërruar në një institucion për mbulesën e shkeljeve kushtetuese që i ka bërë qeveria; duke e parë se Kuvendi është shndërruar në një vend ku deputetët me urdhër politik, tërhiqen zvarrë nga policia; dhe duke e parë përjashtimin arbitrar të deputetëve të opozitës nga Kuvendi, jap dorëheqje të parevokueshme nga mandati i deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, shprehet Haradinaj përmes një deklarate për mediat.
“Në mandatin tim prej deputeti, jam munduar që të ngre shqetësimet e mia serioze për çështje me interes për vendin, duke përfshirë edhe gabimet që po bëheshin me nënshkrimin e dy marrëveshjeve kontestuese, demarkacionin dhe asociacionin, por jam injoruar nga uzurpatorët e pushtetit e të Kuvendit. Pikërisht si rezultat i një injorimi të tillë dhe e një papërgjegjësie ekstreme të pushtetarëve të këtij vendi, e vetmja r rugë veprimi e imja si deputet, kishte mbetur logjika e kundërshtimit me gaz”, shprehet më tej ai. Pas ditës së sotme, vijon Haradinaj, “konsideroj se Kuvendi i Republikës së Kosovës, nuk është më një institucion demokratik dhe rrjedhimisht unë nuk e shoh vetën më pjesë të kësaj legjislature”.
Deputetët e opozitës tentojnë të hyjnë në sallë por nuk lejohen nga sigurimi
Gjatë ditës së sotme seanca plenare e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë disa herë për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës nga opozita. Nga seanca zyrtarisht janë përjashtuar 23 deputetë të opozitës. Pas rifillimit të seancës (15:00), deputetë të opozitës kanë tentuar të futen në sallë por nuk janë lejuar nga sigurimi i Kuvendit. Lideri i Lëvizës Vetëvendosje, Visar Ymeri, ai i Nismës Fatmir Limaj dhe ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, së bashku me disa deputet të tjerë të opozitës po qëndrojnë në hollin e Kuvendit, pasi po pengohen nga sigurimi i Kuvendit që të hyjnë në sallën plenare, pas vendimit të Kryesisë për t’i përjashtuar disa prej tyre. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në një prononcim për mediat tha se tërheqja zvarrë e deputetëve nuk është as legjitime dhe as demokratike. Ai tha se nuk dihet se kush ka marrë vendim për përjashtimin e deputetëve.
Po ashtu, Ymeri theksoi se nuk e ka parë vendimin me shkrim për moslejimin e tyre që të hyjnë në sallën plenare. “Ne bëmë përpjekje që ta shohim vendimin e shkruar por një gjë të tillë se kemi parë. Përjashtimi është bërë në mënyrë arbitrare dhe s’po dihet nga kush është bërë. Ky shtet është i kapur nga klika e Mustafës dhe Thaçit, te cilët kanë vendosur që shtetin ta përdorin për interesa të veta”, ka thënë Ymeri. Ndërsa, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj e cilësoi arbitrar, vendimin për përjashtimin e opozitës. “Një pjesë e deputetëve janë burgosur”, tha Limaj duke shtuar se “kjo është demokracia e koalicionit qeverisës”.
Delawie, i neveritur nga liderët e opozitës
Ndërkohë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie i konsideroi “të neveritshme veprimet e opozitës”, duke kërkuar që të ketë një rifunksionalizim të Kuvendit. “Jam këtu për të mbështetur Kuvendin e Kosovës. Duhet të ketë një Kuvend funksional që të zgjidhen problemet. Mua më vjen keq që kushtet e deputetëve janë minimale për të bërë punën e tyre, për shkak se disa persona nuk po e lejojnë këtë. Shumë qytetarë të Kosovës kanë ikur e kanë vdekur vite me radhë që të kenë këtë pavarësi, që sot të jetojnë të lirë. Kjo që po bënë opozita është e neveritshme”, tha Delawie. Ndërkohë policia ka vijuar me arrestimin e të gjithë deputetëve që kanë hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës. Gjatë ditës janë arrestuar Shqipe Pantina, Donika Kadaj-Bujupi, Pal Lekaj dhe Besa Baftiu. Ndërkohë pasdite bëhet e ditur se janë arrestuar edhe Mytaher Haskuka, Teuta Haxhiu dhe Enver Hoti. /KosovaPress/