Doktor Kosova është një njeri që ka vendosur të flasë thjeshtë në këtë fushatë. Disa herë madje ai bie pre e mediave që ruajnë lapsuset e tij, gafat e vogla dhe ortatorinë paksa të improvizuar. Të gjitha duhen mirëkuptuar. Nuk ka asnjë dyshim se Halim Kosova po prodhon në këtë një muaj e gjysëm fushatë, një sasi fjalësh, që s’e ka nxjerrë nga goja në gjithë jetën e tij si mjek dhe si politikan.
Ndër shumë fraza të sinqerta e ndoshta edhe paksa naive që ka lëshuar në këtë fushatë, ato që kanë të bëjnë me marrëdhënien me Edi Ramën mbeten më të bujshmet. Halim Kosova ka përsëritur disa herë publikisht se Rama e ka ftuar për ta pasur pjesë të ekipit të tij politik. Ai thotë kryeministri ka respekt për të dhe se e sulmon vetëm për shkak të pozicioneve politike.
Ndoshta për këtë arsye formale, pra për afërsinë e pretenduar me Ramën, Halim Kosova ka bërë sot një gjest që shkon në të njëjtin drejtim: kandidati i djathtë po përpiqet me çdo kusht dhe mënyrë, që të shkëputet nga trashëgimia elektorale e partisë që kandidon. Pasi ka hequr nga takimet zgjedhore Berishën dhe Bashën, pasi ka zhdukur çdo simbol të PD nga fushata, pasi ka ndryshuar edhe sloganin zyrtar të partisë, Kosova po përpiqet që talljes së kundërshtarëve me “Halimin e lodhur”, t’i kundërverë qëndrimin e tij të butë, pa batuta me helm, pa sharje dhe fyerje. Një strategji e qartë e njeriut që do të fitojë vota me bluzën e barhdë të mjekut, duke na bindur se ndodhet vetëm rastësisht në një listë partiake. A do të kalojë kjo taktikë elektorale prej të “depolitizuari” dhe prej njeriu të butë?!









