Besnik Krasniqi tashmë është prezantuar si futbollist i ri i Flamurtarit të Vlorës. Mirëpo, Gjilani nuk e ka ndërmend ta lëshojë, me arsyetimin se ka kontratë me mbrojtësin anësor deri në qershor. Madje, drejtori i gjilanasve, Agron Korça, u ka thënë mediave shqiptare se klubi nga Anamorava do të bëjë ankesë nëse është nevoja edhe në UEFA, transmeton Zëri.
“KF Gjilani do të angazhojë avokatë dhe do të paraqesë ankesë në të gjitha organizatat, përfshirë Federatën e Futbollit të Kosovës, Federatën Shqiptare të Futbollit dhe UEFA, konform rregulloreve përkatëse”, ka thënë Korça për “Shekullin”.
Siç dihet, Kosova është në sistemin TMS, dhe klubet e vendeve tjera më nuk mund t’i marrin lojtarët që kanë kontrata me klubet kosovare, siç i merrnin dikur. /Zëri/