Kandidati i Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, është ndalur pasditen e së shtunës në një takim me banorë të Njësisë 3 në kryeqytet, të zhvilluar në sheshin “Strauss”.
Duke theksuar se, gjatë kësaj fushate elektorale do të prezantojë planet dhe objektivat për secilën lagje të kryeqytetit, në ndalesën e radhës ai është ndalur me disa projekte konkrete, duke nisur që nga luftimi i problemeve kryesore, si higjiena dhe pastërtia e qytetit.
Më tej, ndër projektet e tij, një vend të rëndësishëm, për të mos thënë parësori, ishte ulja e taksave të bashkisë me 30%, aq sa ia lejon ligji aktual, siç përmendi kandidati Kosova, e më pas vijoi edhe me premtime për furnizim me ujë të pijshëm në 24 orë në ditë, duke i dhënë fund tejmbushjes së pallateve me depozita.
“Bashkia e Tiranës do të merret edhe me të gjithë sistemin parashkollor dhe parauniversitar, në mënyrë që të përmirësohet infrastruktura arsimore. Së dyti, do të ulen taksat dhe çmimet, në mënyrë që të krijojmë mundësi për më shumë parà për të shpenzuar në xhepat e njerëzve, sigurisht edhe për të hapur më shumë vende të reja pune nga bizneset. Sa për shtresat në nevojë, hallet e tyre janë të paimagjinueshme, ndaj dhe duan një vëmendje speciale”, tha ndër të tjera kandidati Halimi.
Pas prezantimit të disa prej pikave kryesore të këtij programi, Kosova është përballur edhe me pyetjet dhe kërkesat e qytetarëve.
Qytetari: E dëgjova kryeministrin Rama që tha shihni si ligjëron Halimi, duke thënë se premtimet e tua janë false. Keni një përgjigje?
Halim Kosova: Në jetë nuk e kam humbur kurrë drejtimin. Nuk i kam prishur asnjërit familjen për të ndërtuar familjen time. E kam ndërtuar me djersë. Kam pasur dy mundësi të shtrija dorën tek ju, apo të ndërtoja diçka vetë në kohën e lirë. Në çdo hap të jetës sime, puna dhe ndërshmëria ka qenë numri një.
Ai është ndalur edhe tek takimi që pati me gratë në një biznes fason, ku u filmua teksa qepte me makinë qepëse. Halim Kosova tha se ky profesion do ti hyjë në punë pasi do ti qepë xhepat kujtdo që do punojë me të.
“Më kishin kapur kamerat duke qepur me makinë qepëse me fasonët. Sa e pashë nuk i rezistova dot. Në kohën time nuk ka pasur shumë mënyra për të kaluar kohën. Mamaja ime rrobaqepëse dhe i hipja makinës qepëse se më dukej si makinë. Po si puna e biçikletës që nuk harrohet ashtu edhe makina qepëse, futa copën dhe doli tegeli…Do më hyjë në punë ky zanat. Me këtë zanat do qep xhepat e të gjithë ata që do punojnë me mua. Që të më gjëmosh nga prapa, me mua duhet ti kesh xhepat e qepur”, tha Kosova.









