Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka është vënë nën hetim nga 5 prokurori të ndryshme të Shqipërisë, për falsifikim firmash, abuzime dhe shpërdorim detyre.
Aktualisht janë dy Shoqata Rajonale të Futbollit, ajo e Tiranës, përmes bashkisë e cila është aksionere e KF Tirana, dhe e Durrësit, që kanë depozituar në Prokuroritë e qyteteve përkatëse kallëzimet ndaj Armando Dukës dhe drejtuesve të tjerë të FSHF për abuzime të rënda me detyrën, si dhe përpjekje për të manipuluar rezultatin për llogari të Armand Dukës.
Fshehja e listave të votuesve dhe futja e delegatëve fiktivë në lista ka bërë që bota e sportit të ngrihet kundër Armand Dukës, të cilët po i drejtohen organeve të drejtësisë që të rikthejnë legjitimitetin e zgjedhjeve.
Me shkresën me nr. 23859 prot. më datë 26.11.2021, Bashkia e Tiranës i ka referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë materialin procedurial për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i k. Penal në ngarkim të drejtuesve e punonjësve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në lidhje me këtë çështje, bashkia ka dërguar material shtesë me shkresën 23859/k/1, prot më datë 03.12.2021. Gjithashtu, me shkresën 23859/k/2 prot. më datë 16.12. 2021, është dërguar sërish material shtesë ku faktohen abuzimet e Dukës dhe të drejtuesve të tjerë të FSHF me detyrën.
Në Durrës situata është e njëjtë: përmes manipulimit dhe presioneve, Armand Duka arriti të manipulojë rezultatin dhe të caktojë njerëzit e tij si delegatë, duke shtuar emra fiktivë. Për këtë arsye, SHRF e Durrësit ka regjistruar pranë Prokurorisë së Rrethit një kallëzim për manipulim të rezultatit, abuzim me detyrën dhe falsifikim të firmave për drejtuesit e FSHF-së. Burime nga prokuroria e Durrësit shprehen se hetimet kanë nisur ndërkaq.
Padia e Bashkisë së Tiranës
Sikurse është bërë publike, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në cilësinë e aksionierit të FK Tiranës, kanë paditur dy sekretarët e FSHF-së, Ilir Shulkun dhe Ardian Haçin, për falsifikim dhe shpërdorim detyre pasi kanë paracaktuan rezultatin për interes të Dukës në kryeqytet. Mësohet se Prokuroria e Tiranës ka nisur me shpejtësi hetimet dhe ka marrë në pyetje dy të akuzuart, Shulkun dhe Haçin.
Ilir Shulku, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, dhe Ardian Haçi, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, akuzohen se kanë manipuluar zgjedhjet për kreun e Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës. Bashkia e Tiranës rendit një sërë shkeljesh, teksa thekson se ato janë bërë me një qëllim të vetëm, ndikimin apo paracaktimin e rezultatit të zgjedhjesh së Kreut të Shoqatës së Futbollit të Tiranës, sipas interesave klienteliste të kreut aktual të FSHF-së. “Ka informacione se në mbledhjen e datës 24.01.2022 të orës 15 të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, me telefon nga Sekretari i Pergjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku është kërkuar e kanë marrë pjesë në këtë mbledhje persona që nuk kanë asnjë lloj lidhje me shoqatën, në kundërshtim të plotë me statutin e federatës që përcakton se delegatët duhet të jenë punonjës të anëtarëve të SHRF Tiranë. Personat për të cilët ka një informacion të tillë janë: Altin Kello, Ajson Lala, Ervin Bukaci dhe Aldi Masha” thuhet në kallëzimin penal.
Aty nënvizohet se Komisioni i Verifikimit nuk ka bërë identifikimin e plotë të delegatëve me të drejtë vote, si dhe lista përkatëse e delegatëve legjitim nuk i është vënë në dispozicion kandidatëve paraprakisht. Kjo ka bërë që në atë mbledhje të jenë prezent 67 persona nga 41 që duhet të ishin, sipas 41 shoqatave që ekzistojnë në Tiranë.
Tre kallëzime të reja të hënën
Në vijim të Durrësit dhe Tiranës, mozaikun e super-akuzave do ta plotësojnë ditën e hënë edhe tre kallëzime të tjera ndaj drejtuesve të FSHF me të njëjtat akuza: abuzimet me detyrën dhe falsifikim. Mësohet se Shoqata Rajonale e Gjirokastrës, ajo e Fierit dhe e Korçës, kanë bërë gati dosjen e plotë me të gjitha shkeljet që Armando Duka, bashkë me stafin e tij të FSHF, kanë kryer për të siguruar me çdo kusht edhe mandatin e 6-të.
Të treja këto shoqata i cilësojnë vendimet e marra dhe veprimet procedurale të kryera, deri më tani, nga FSHF dhe disa SHRF, në lidhje me organizimin e zgjedhjeve për caktimin e delegatëve në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së, të pavlefshme dhe të marra në kundërshtim dhe mosrespektim të përcaktimeve të bëra në Statutin e SHRF-së dhe Rregulloren e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së. Njëzëri, të treja shoqatat theksojnë se FSHF-ja po i kryen zgjedhjet në mungesë të plotë të transparencës dhe në mosrespektim të hapur të përcaktimeve statusore.
Sipas tyre, FSHF po tenton me sajime mediatike dhe shkresore të transformojë dhe të inskenojë si një ndërhyrje politike në proces, çdo pretendim të përligjur të anëtarësisë për zhvillimin nga FSHF të një procesi të parregullt zgjedhor.
Hetimi ndërkombëtar
Pak ditë më parë në media u publikua lajmi se një skuadër juristësh shqiptarë, amerikanë dhe britanikë po asistojnë Bashkinë e Tiranës, si aksionere e FK Tiranës, në një dosje voluminoze shkeljesh, për t’ia prezantuar FBI, DEA, NCA, Scotland Yard, SPAK, Prokurorisë së Tiranës, Krimit Ekonomik, Agjencisë së Pastrimit të Parave, AMA, Hetimit Tatimor, AKU, si dhe ambasadave Amerikane e Britanike në Tiranë.
Çështjet e shitjeve ndërkombëtare të ndeshjeve dhe basteve të paracaktuara do t’i paraqiten oficerëve rajonalë të FBI. Po ashtu, agjentet e DEA me qendër rajonale në Athinë – agjencia amerikane e antidrogës – do të prezantohen me të gjitha provat e parave të drogës në sport, me dijeni e mbështetje të Armando Dukës me elementë të botës së krimit në Shijak e vende të tjera të Europës e Amerikës Latine.
Nuk mbetet pas dosja britanike, për të dhëna të burimeve dhe shpenzimeve të pajustifikuara të familjes Duka në blerje pronash, makinash luksoze e asetesh në shifra të jashtëzakonshme. Scotland Yard dhe NCA, që gjurmon posaçërisht pastrimin e parave nga subjektet e huaja në Britaninë e Madhe, do të kenë të hënën prova të pakundërshtueshme sipas aksionerëve të Tiranës.
Një sërë veprash të tjera për të drejtat e transmetimit, pastrimin e parave, apo kontratat e paligjshme në konflikt interesi të marketingut në futboll të kompanive të Dukës si AIBA, SuperSport, EcoMarket, GoTech, Kantina Duka, do t’i paraqiten për evazion fiskal agjencive shqiptare të Pastrimit të Parave, Krimit Ekonomik dhe Hetimit Tatimor! Duke qenë se aksionet janë të përbashkëta mes Armando Dukës dhe vëllait deputet Agron Duka, dosja voluminoze do t’i paraqitet edhe SPAK dhe ILDKP, si institucione që ndjekin posaçërisht politikanët e përfshirë në aktivitet kriminal./m.j