• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, February 14, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Kopshti Botanik i Tiranës/ Profesorët: Pse duhet të mbetet gjithmonё pranë UT!

by Java News
29/02/2020 18:25
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Kopshti Botanik i Tiranës – Pse duhet të mbetet gjithmonё pranë UT!

Nga: Prof. Spiro Drushku, Prof. Alfred Mullaj, Prof. Ferdinand Bego, Prof. Petrit Hoda, Prof. Aleko Miho, Dr. Ermelinda Mahmutaj, FShN, UT

 

Si është bërë e ditur, Qeveria me anë të VKM 510, në Korrik 2019 vendosi të transferojë përkatësisht pronësinë dhe administrimin e Kopshtit Botanik të Tiranës (KBT) nga Qeveria dhe Universiteti i Tiranës (UT) tek Bashkia Tiranë. Mbështetur në Ligjin 80/2015 të Arsimit të Lartë, Rektorati i UT e çoi menjëherë çështjen në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë. Me këtë Aktpadi u bashkua dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës (FShN), Sindikata e Punonjësve të FShN, UT, dhe Këshilli Studentor i FShN, si palë drejtpërdrejt të ndikuara nga ky Vendim. Pas dy seancash në këtë Gjykatë, për rëndësinë e saj kjo çështje u kalua pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë. Edhe në këtë Gjykatë janë zhvilluar deri tani dy seanca, dhe e treta është në fillim të muajit mars 2020. Për të ndihmuar trupin gjykues dhe mbarë opinionin akademik, studentor dhe më gjerë, më poshtë po sjellim arsyet tona lidhur me tejkalimin e kompetencave dhe mungesën e transparencës së Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë (MASR) në kërkesën e saj dhe argumentimin për ‘dhurimin’ e KBT në pronësi dhe administrim të Bashkisë Tiranë, e cila u bë menjëherë ligjore me anë të VKM 510/2019.

 

Cilat janë arsyet tona për këtë vendimmarrje të gabuar?

KBT është njësi kërkimore-shkencore universitare e krijuar, zhvilluar dhe mirëmbajtur nga FShN, UT, që prej vitit 1965. Ai është sot pjesë e Qendrës Kërkimore të Florës dhe Faunës (QKFF), FShN, UT. Është i vetmi institucion në Shqipëri, me karakter kërkimor, mёsimor dhe edukues. Misioni kryesor është njohja në terren, grumbullimi dhe ruajtja jashtë habitatit natyror (ex situ) në Kopsht e specieve të florës së Shqipërisë, veçanërisht atyre të rralla, të kërcënuara dhe endemike. Bëhet fjalë për rreth 1000 lloje bimësh të vendosura sipas parimeve fitogjeografike moderne në ekspozicione të ndryshme, si Sistematikë bimësh barishtore, Bimë aromatiko-mjekësore, Dru-shkurre sipas brezave bimorë, Bimë zbukuruese, Pemëtore, Bimë ujore, Serë etj. Për qëllime kërkimore të studimit të florës dhe bimësisë së vendit, KBT ka vendosur lidhje të ngushta bashkëpunimi me shumë Kopshte Botanike homologe në Europë dhe më gjerë. Disa prej tyre janë sot edhe mbështetës të kësaj çështje, duke u shprehur me shkrim (si OPTIMA, HAABG, SBI, NBG & NAS Ukraine).

Gjithashtu, KBT gjithmonë është përpjekur në përhapjen e vlerave të florës dhe bimësisë së Shqipërisë nëpërmjet sektorëve tërheqës përkatës, si dhe nëpërmjet ekspozitave, publikimeve dhe takimeve shkencore. Si i tillë, Kopshti ka edhe karakter edukues dhe informues, duke zgjuar interesin e nxënësve dhe studentëve, si dhe të dashamirësve të botës bimore shqiptare dhe më gjerë. Askush nuk është penguar të hyjën si vizitor në KBT. Edhe bileta e hyrjes është shumë simbolike, dhe asnjëherë UT nuk e ka parë atë si një institucion fitimprurës. Por të kuptohemi hyrje-daljet kanë qënë gjithmonë të kontrolluara dhe me një orar të caktuar. Si i tillë, KBT nuk është dhe nuk mund të jetë një park publik i mirëfilltë! Pretendimi i Bashkisë Tiranë, se me investimet e saj do rrisë praninë e publikut në KBT nuk na duket me vend për një institucion të tillë.

Njëkohësisht, si pjesë e QKFF, Kopshti është i lidhur ngushtë me mësimdhënien dhe kërkimin në biologji, në fushën e florës dhe bimësisë së Shqipërisë, në formimin e specialistëve të lartë të florës dhe bimësisë së vendit. Pranë KBT ka pasur gjithmonë një grup botanistësh me grada e tituj shkencorë që janë kujdesur drejtpërdrejt me përmbushjen e kërkesave shkencore të Kopshtit. Gjithashtu, këta zhvillojnë edhe lëndë të ndryshme botanike në programet biologjike, bachelor, master dhe doktoratë, pranë Departamentit të Biologjisë (DB), FShN, UT. Hapësira e KBT ka qënë përherë një laborator i hapur në natyrë për gjithë studentët e degëve Biologjike, të FShN, UT, por jo vetëm. Në këtë mjedis, studentë të biologjisë dhe doktorantë kanë kryer në vite shumë punë diplomash dhe doktoratash në bashkëpunim dhe me Departamentin e Biologjisë, FShN, UT.

Të gjitha këto detyra KBT i kryen sot në përputhje me Ligjin 80/2015, duke filluar nga Neni 1 si një e mirë dhe përgjegjësi publike, Neni 3 mbi lirinë akademike dhe autonominë e institucioneve të arsimit të lartë, Nenin 93 mbi veprimtarinë kërkimore-shkencore, Nenin 95 mbi kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë, si dhe Nenin 117 mbi pronat e institucioneve publike të arsimit të lartë. Vetë KBT, apo QKFF, apo Universiteti ku bën pjesë nuk kanë kërkuar (ankuar) te MASR që të ndryshojë pronësinë dhe administrimin duke e kaluar atë tek Bashkia e Tiranës. Kjo pavarësisht nga vështirësitë në vite, në shumë prej të cilave vetë Qeveria dhe Ministria përgjegjëse kanë patur përgjegjësinë e tyre; ose po në raste të tjera vetë Bashkia Tiranë ka pasur edhe ajo përgjegjësinë e vet.

 

Disa fakte më shumë lidhur me qëndrimin e Qeverisë dhe Bashkisë

Ja disa fakte që rrisin edhe më shumë mosbesimin tonë për qëndrimin shpërfillës madje deri pengues të Qeverisë dhe të Bashkisë në zhvillimin e KBT,të FShN dhe të vetë UT: Në 1997 hapësira në oborrin e FShN u pushtua padrejtësisht për ndërtim pallati, pavarësisht nga përpjekjet tona. Në 2007, ndërtesa e Institutit të Perim-Patateve, ku është sot ALUIZN-i iu caktua FShN, por nuk iu dha realisht. MShN kishte hapësirë prej rreth 4500 m2 në rrugën e Kavajës, shumë të volitshëm për një Institucion të tillë; me shumë përpjekje, madje korruptive, Muzeu përfundoi sot i rrudhur shumë në hapësirë (rreth 1500 m2) te Tregu Elektrik; e gjithё kjo për të ndërtuar dy kulla të larta pa ndonjë funksion të mirëfilltë! Nuk kanë kaluar shumë vite ku Bashkia dërgoi dy herë Policinë Ndërtimore në mjediset e FShN, dhe prishi një shtesë që Fakulteti kishte filluar për nevojat tona urgjente. Gjithashtu, Departamenti i Bioteknologjisë, i krijuar nga reforma e instituteve në 2007 trashëgoi një hapësirë të mirë laboratorike, e cila u aneksua nga Bashkia e sotme në mënyrë arbitrare pa asnjë shpërblim, për të ndërtuar ArTurbinën. Edhe hapësira ku UT u josh në shumë vite të ndërtonte të famshmin Kampus, sot është në përdorim nga Bashkia për parkim dhe terminal autobuzash.

Edhe për vetë KBT mbijetesa nuk ka qënë fort e lehtë në periudhën e tranzicionit. Menjëherë pas viteve 1990-të, infrastruktura e furnizimit me ujë nga Liqeni artificial i Tiranës dhe nga i Farkës u shkatërrua. Po në këtë mënyrë, ishpronarët mundën të ndërtojnë me forcë pa leje brenda dhe jashtё Kopshtit; kjo bëri të mundur pushtimin e një pjese të sipërfaqes fillesare të Kopshtit dhe tharjen e Ujëmbledhësit jashtë Kopshtit, i cili shërbente për vaditjen e tij; kjo ka ndikuar rëndë në mbijetesën e ekspozicioneve bimore. Edhe sot hapësira e Kopshtit është shumë e lakmuar për ndërtime fitimprurëse. Kopshti ka pasur dëmtime të vazhdueshme edhe nga banorët e zonës, duke kaluar pa kujdes mes për mes Kopshtit, prishje të rrethimit etj.

I fundit presion i radhës ka qenë projekti i Unazës së Re, që i shkëputi Kopshtit një pjesë të mirë të hapësirës më funksionale të tij (Sistematikën e bimëve barishtore), si dhe një ndërtesë dy katshe, ndërtuar me fonde të gjetura me shumë mundim nga punonjësit e Kopshtit. Gjithë ky presion ka bërë që hapësira e Kopshtit të zvogëlohet nga rreth 15 ha që ishte fillimisht në rreth 12.4 ha sot. Këtu nuk mund të mos përmendim edhe vështirësitë që krijoi VKM 1242/2009 për heqjen e makinave nga institucionet; Kopshti u ndëshkua sërish duke u privuar nga një makinë fuoristradë, e gjetur ndër të tjera po me shumë mundim; kjo ndihmonte punonjësit e Kopshtit jo vetëm për transportin brenda vetë Kopshtit, por edhe për të gjurmuar dhe grumbulluar bimët dhe farat e tyre, kudo që ato të ndodheshin në territorin jo fort të lehtë shqiptar. Në gjithë këto vështirësi, Kopshtit nuk i janë gjendur pranë asnjëherë, as Qeveria, jo më Bashkia; e gjitha ka qënë falë përpjekjeve të punonjёsve të Kopshtit, ku vlen tё dallohen përpjekjet në vite të Prof. L. Dinga.

 

Ҫfarë nuk shkon me VKM 510/2019

Pavarësisht nga gjithë këto vështirësi, përsëri mund të pohojmë se KBT është sot një hapësirë e mirëorganizuar shkencërisht për përmbushjen e misionit të tij. Kjo falë edhe mbështetjes financiare të vazhdueshme nga FShN, si dhe nga shumë donatorë të tjerë brenda dhe jashtë vendit. Ai është sot një pasuri intelektuale brenda QKFF, e lidhur ngushtë dhe me DB, pranë FShN, UT, me varësi të ndërsjelltë që nga themelimi i tij prej rreth 55 vitesh më parë. Kujtojmë se këtu kanë dhënë kontributin e tyre shumë botanistë të shquar të vendit, si K. Paparisto, M. Demiri, I. Mitrushi, L. Dinga etj. Duke ndryshuar pronësinë dhe administrimin, vështirë se Kopshti do të mund të përmbushë misionin e tij në të ardhmen.

Ndryshimi i pronësisë dhe administrimit, do të bëjë gjithashtu, që edhe misioni i QKFF të cungohet. Vështirë se UT do të mund të përfitojë prej kësaj VKM-je në kërkim dhe mësimdhënie ashtu si deri sot; kjo pavarësisht nga investimi që Bashkia Tiranë kërkon të bëjë me projektin e saj. Për rrjedhojë veprimi i MASR për kalimin e hapësirës së KBT në pronësi dhe administrim të Bashkisë Tiranë, nuk është aspak në të mirën e KBT, në Misionin e tij, dhe aspak në dobi të Universitetit të Tiranës. Kujtojmë MASR dhe Qeverinë se UT si IAL publike i garantohet e drejta të ketë dhe administrojë prona të paluajtshme, përfshirë këtu edhe një hapësirë si ajo e KBT (Ligjit 80/2015, Neni 117, pikat 1 & 2); po ashtu, MASR mbështet me infrastrukturën e nevojshme institucionet publike të arsimit të lartë për veprimtaritë e tyre mësimore-kërkimore (Neni 7, pika 2, gërma gj), ndërsa me anë të VKM 510 (2019) bëhet e kundërta.

Po ashtu sipas Nenit 94 (po Ligji 80/2015) strukturat e kërkimit shkencor nuk mund të vendosen pranë Bashkive. Pra Bashkia Tiranë nuk mund të ketë nën administrim një institucion kërkimor-shkencor si KBT, duke ja hequr atë QKFF-së; një veprim i tillë nuk do jetë pa pasoja edhe në gjithë misionin e kësaj Qendre, të FShN, UT. VKM 510 (2019) këtu bie ndesh me gjithë kërkesat e Nenit 93 mbi veprimtarinë kërkimore-shkencore dhe Nenit 95 mbi kërkimin shkencor (Ligji 80/2015), të cilat nuk mundet kurrësesi të përmbushen nga Bashkia Tiranë. Arsyeja se Bashkia Tiranë ka një projekt për të investuar për zhvillimin e Kopshtit Zoologjik dhe lidhjen e tij me Kopshtin Botanik nuk mundet kurrë ta justifikojë një veprim të tillë. Madje ky transferim pronësie dhe administrimi bie ndesh edhe me Ligjin 8744/2001 mbi llojet e pronave të paluajtshme që lejohet t’i transferohen qeverisjes vendore (Nenet 3 & 4), si dhe po me këtë Ligj nuk ka siguri afatgjatë nga tjetërsimi si pronë (Neni 11).

Nga ana tjetër, po sipas Ligjit 80/2015, Bashkia Tiranë i ka të gjitha mundësitë të mbështesë financiarisht UT, në pronat që Universiteti ka në administrim (pra pa ndryshuar as pronësinë dhe as mënyren e adimistrimit); madje në varësi të mbështetjes financiare Bashkia mund të marrë pjesë me antarësim në Bordin e Administrimit të vetë UT (Neni 48, pika 2). Deri sot Bashkia Tiranë nuk i ka kthyer asnjëherë sytë nga Universiteti i Tiranës për ndihmë, edhe pse UT është institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend, dhe mbi 14,000 studentë të këtij Universiteti për vit i japin jo vetëm jetë dhe gjallëri, por dhe shumë të ardhura, vetë qytetit të Tiranës. Kjo e shton edhe më shumë mosbesimin tonë, dhe rrit bindjen se projekti i Qeverisë me anë të VKM 510/2019 për të kaluar KBT me pronësi dhe administrim të Bashkisë së Tiranës është i nxituar, i dyshimtë, dhe kurrësesi në ndihmë të UT.

Next Post
Është një nga kurat më të përdorura/ Pastroni enët e gjakut me hudhër dhe limon

Është një nga kurat më të përdorura/ Pastroni enët e gjakut me hudhër dhe limon

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Mediaset: Donald Trump blen një ishull në Shqipëri

Mediaset: Donald Trump blen një ishull në Shqipëri

February 13, 2026
Babai kërcënon vajzën me thikë në Durrës, plagos veten pas ndërhyrjes së policisë

Babai kërcënon vajzën me thikë në Durrës, plagos veten pas ndërhyrjes së policisë

February 13, 2026
Murrizi flet hapur: Deputetët e opozitës kanë një vit nuk shkelin në zonat që janë zgjedhur, nuk gëzojnë reputacion

Murrizi flet hapur: Deputetët e opozitës kanë një vit nuk shkelin në zonat që janë zgjedhur, nuk gëzojnë reputacion

February 13, 2026
“Duan të më shantazojnë me video intime!”, Rivali i Orbanit akuza partisë në pushtet dy muaj para zgjedhjeve

“Duan të më shantazojnë me video intime!”, Rivali i Orbanit akuza partisë në pushtet dy muaj para zgjedhjeve

February 13, 2026
Akuzohet për krime lufte në Kosovë/ Serbia arreston një ish-anëtar të UÇK-së

Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Andoni: Presim zbutje dënimi. Qeveria e Kosovës dështoi në mbrojtjen e tyre

February 13, 2026
Debate të forta në Kryesinë e PD, Salianji përplaset me Nokën: Ke shkatërruar partinë! Jep dorëheqjen, Flamur!

Opozita në rrugë, Çejku: Duhet të përgatisë alternativë, të dallojë nga qeveria

February 13, 2026
“Trazira gjatë demonstratës”/ Mediat e huaja pasqyrojnë protestën e PD: U hodh molotov drejt Parlamentit

Biberaj: Kam pasur oferta nga Edi Rama, ja çfarë do të ndodhë më 20 shkurt

February 13, 2026
Baraba u lirua, Shabani u kryqëzua

Dashi e mundi Berishën në lojën e vet

February 13, 2026
“Thaçi dhe të tjerët”, Prokuroria kërkon 180 vjet burgim për ish-krerët e UÇK

Rezolutat e Shqipërisë dhe Kosovës për ish-krerët e UÇK-së, analistët: Duhet ofensivë diplomatike e përbashkët

February 13, 2026
Katastrofë në Luvër, përmbyten sallat me kryeveprat italiane. Dëmtohet rëndë afresku i shekullit XIX

Katastrofë në Luvër, përmbyten sallat me kryeveprat italiane. Dëmtohet rëndë afresku i shekullit XIX

February 13, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In