
Kopenhageni bëhet kuqezi, tifozët shqiptarë “pushtojnë” kryeqytetin danez (Fotot)
Tifozët kuqezinj po marshojnë drejt Kopenhagës. Të gjithë të veshur me ngjyrat identifikuese të kombëtares shqiptare, të kombit tonë. Nëse nga Shqipëria janë nisur dje mbi 10 autobusë, duke iu nënshtruar një rrugëtimi të gjatë e të lodhshëm prej mbi 2000 km, të tjerë kanë fluturuar sot nga Aeroporti i Rinasit. Në total, tifozë nga brenda kufijve shtetërorë të vendit tonë, që janë pajisur me bileta, janë 2150 persona, por shumë të tjerë, rreth 4 mijë, kanë siguruar bileta të ndeshjes në mënyra të ndryshme.

Ky kontigjent përbën problemin më të madh për organizatorët, sepse ata, nëse lejohen të hyjnë në stadium, duhet të vendosen në pjesën e tifozëve danezë. Policia dhe DBU ka thënë se do të ketë kontroll të rreptë dhe asnjë nuk do të lejohet në “Telia Parken”, në vende që nuk janë rezervuar për shqiptarët. E megjithatë, tifozët kuqezinj nuk janë tutur nga ky paralajmërim, kanë udhëtuar që nga Kanadaja e largët e thuajse të gjitha vendet e Europës për të qenë sonte në kryeqytetin danez, me shpresën se të besuarit e De Biazit do të marrin një rezultat pozitiv dhe rruga drejt finaleve të “Euro 2016” do të bëhet më e sigurtë.
Që dje, kur kombëtarja shqiptare mbërriti në Aeroportin e Kopenhagës, qindra tifozë i kanë mirëpritur beniaminët kuqezinj. Në mbrëmje dhe sot paradite kanë qëndruar jashtë hotelit ku është sistemuar përfaqësuesja shqiptare, duke brohoritur e dhënë zemër lojtarëve. Ndonjëri prej tyre, si Ballist Morina, ka arritur të hyjnë edhe në hollin e hotelit, duke bërë foto me kapitenin Lorik Cana dhe lojtarë të tjerë. Sidoqoftë, festa e vërtetë kuqezi, demonstrimi i tifozëve të kombëtares shqiptare do të nisë rreth orës 16:00.

Organizimi dhe drejtimi është marrë përsipër nga “Tifozat Kuq e Zi”, dega e Skandinavisë. Salih Shala, përfaqësuesi i tyre, thotë se tashmë është fiksuar dhe bërë e ditur vendi i takimit të tifozëve shqiptarë në Kopenhagë, prej nga do të nisë marshimi nëpër qytet dhe mbërritja në stadium. “Ne jemi në rrugëtim e sipër, drejt Kopenhagës. Jemi nisur nga Stokholmi i Suedisë me dhjetëra tifozë dhe me autobusë do të mbërrijmë në kryeqytetin danez pak mbas mesditës.
Me vete kemi edhe flamurin gjigand, sa pjesa e stadiumit ku do të vendosen tifozët shqiptarë. Kemi marrë lejen e policisë daneze, në takimet e mëparshme me të, dhe do ta shpalosim gjatë intonimit të himnit kombëtar, por edhe në rast të golit të shënuar nga Shqipëria. Sikurse e shihni edhe në fotot që po ju dërgoj, ne do të marshojmë me një pankartë të Gramoz Palushit, njërit prej tifozëve kuqezinj, që u vra më 4 shtator të vitit 204, pas fitores historike ndaj Greqisë së saposhpallur kampione Europe, nga racistët grekë. Eshtë përvjetor, që koinçidon me një ndeshje tjetër tepër të rëndësishme, ndaj do ta kujtojmë si tifo-grup, në mënyrën tonë. Ai do të jetë gjithmonë në zemrat tona. I yni, Gramoz Palushi,” – nënvizon Shala.

Jemi një – Më tej, Salih Shala, shton për “telesport.al”: “I kanë kap ethet miliona shqiptartë. Kombëtarja e tyre për herë të parë në histori është më pranë një kampionati se kurrë më parë. Euforia në maksimum, presioni gjithashtu. Shumë vetë po më thonë, paramendo nëse humbim dhe e gjitha kjo për së koti. Por…, po më vijnë foto dhe video nga Tirana, Presheva, Shkupi, Tetova, Kumanova, Peja, Gjermania, Zvicra, Kopenhaga, Amerika, Australia.
Shqipet gjithandej të bashkuar rreth një flamuri, në përkrahje të një kombëtareje, të gjithë duke thirrur “Shqipni Etnike”. Me të tjera fjalë, Shqipëria dhe shqiptarët qysh sot kanë marrë fitoren më të madhe se çfarëdo pike të çfarëdo ndeshjeje të mundshme. Kjo kombëtare dhe këta tifozë po e bashkojnë një popull, që pothuajse secili shtet fqinj ka investu shekuj me e përça, me e zhduk, por kot e kanë! JEMI NJË e s’ka kush në botë që na ndan!”

Pritja në aeroport – “Shqipëri, Shqipëri, Shqipëri!” Koret jehojë ritmikisht në hotelin “Hilton”, në Aeroportin e Kopenhagës. Por jo, nuk është një demonstratë kundër qeverisë, apo diçka tjetër që zgjon ndjenja të forta në kryeqytetin danez. Krejt në të kundërt, jemi duke folur për adhurimin e heronjve kuqezinj. Në një nivel mjaft intensiv, në fakt. Sepse, kur yjet e ekipit kombëtar shqiptar u larguan nga autobusi, që i kishte transportuar ata 200 metra nga pista e avionit deri në një dalje të fshehtë, në sallën e mbërritjeve, në derën e përparme të hotelit, tifozët shqiptarë shkaktojnë “luftë”.

Nuk është fjala për dhjetëra, por pothuajse qindra, të veshur kuq e zi. Jehojnë me një zhurmë që mbyt edhe motorët e mëdhenj të avionëve, që ulen e ngrihen në këtë aeroport, disa qindra metra larg. “Ne kemi ardhur të gjithë nga Toronto e Kanadasë. Jemi shqiptarë në zemër, – thotë njëri nga tifozët kuqezinj, që e thërrasin Siar, i cili mbështetet nga shoku i tij, Novi: “Ne kemi ardhur për një fitore. Do ta mbështesim ekipin me çdo gjë.”
Ata nuk kanë asnjë dyshim, e duan ekipin kombëtar shqiptar në finalet e Kampionatit Europian, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Francë, sepse kështu bëjnë historinë e një vendi të vogël. “Nuk bazohemi të ndeshja e parë, nëse ajo përfundoi 1-1 apo 1-0 në Shqipëri. Më vjen keq për kombëtaren tuaj, por ne kemi nevojë për një fitore. Për këtë kemi bërë një rrugë shumë të gjatë,” – thotë Novi për gazetarët danezë.
“Kjo lloj atmosfere që krijojnë tifozët tanë nuk ka shkuar pa u vënë re kudo kemi luajtur, – thotë kapiteni Lorik Cana. – Kur udhëtojmë nëpër Europë, gjithmonë marrin mirëpritjen e ngrohtë nga tifozët tanë. Ata janë mjaft të rëndësishëm për ne. Tifozët kuqezinj kanë të njëjtën ëndërr që kemi edhe ne futbollistët. Po përpiqemi t’i bëjmë ata krenare. Ata janë forca jonë kryesore,” – thotë lojtari i FC Nantes./Alfred Lleshi/Telesport









