Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, në një intervistë për Euractiv, në margjinat të Konferencës së Sigurisë së Mynihut, ka theksuar rolin strategjik të rajonit në arkitekturën e sigurisë evropiane.
“Rajoni ynë nuk është periferia e sigurisë europiane, por pjesa e sistemit të saj nervor. Përballë kërcënimeve që sot njeh Europa Juglindore, synojnë që Shqipëria të jetë një vlerë e shtuar, një hallkë e fortë dhe e besueshme në zinxhirin e sigurisë europiane”, ka deklaruar Vengu.
Duke folur për ambicien e Shqipërisë për anëtarësim në BE deri në vitin 2030, Vengu tha se zgjerimi i BE-së drejt Europës Juglindore ka të bëjë po aq me koherencën dhe vendosmërinë gjeopolitike të vetë BE-së, sa edhe me standardet europiane të vendeve kandidate.
“Është e vetëkuptueshme që ne duam të jemi një vlerë e shtuar, një hallkë e fortë në zinxhirin evropian“, tha Vengu.
Lidhur me mësimet nga lufta në Ukrainë, Vengu theksoi: “Sot, për Forcat e Armatosura, shpejtësia dhe masa kanë marrë sërish rëndësi thelbësore, inovacion, kapacitete, prodhuese, logjistikë dhe rezerva. Qëndrueshmëria është, para së gjithash, një detyrë kombëtare përpara se të jetë një përgejgjësi aleate. Gatishmëria e një vendi nuk mund të delegohet”.
Ministri theksoi gjithashtu se Shqipëria po ringjall segmentet e fjetura të industrisë së saj të mbrojtjes, duke krijuar sipërmarrje të përbashkëta në sisteme kundër dronëve, automjete taktike dhe pajisje mbrojtëse.
“Të gjitha marrëveshjet tona të modernizimit janë lidhur me kompani nga vendet aleate dhe partnere, si Lockheed, Elbit, Thales, SAAB, dhe po negociojmë me Leonardo e Fincantieri. Ne synojmë të jemi një shtet anëtar i besueshëm, i parashikueshëm që kontribuon në stabilitetin rajonal dhe prosperitetin evropian. Nëse Europa dëshiron të dëshmojë thellësi strategjike, duhet të anëtarësojë ato vende që kontribuojnë vazhdimisht për ta garantuar atë”, shtoi Vengu.











