Meta ka bllokuar përkohësisht reklamat e fushatës në faqen e Facebook-ut të presidentit brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve presidenciale të 4 tetorit, raporton Novara Media.
Ekipi i Lula-s e ka apeluar vendimin dhe ka kërkuar shpjegime nga kompania. Sipas agjencisë shtetërore braziliane Agência Brasil, kufizimi u hoq brenda së njëjtës ditë, ndërsa Meta nuk ka dhënë ende një shpjegim publik për arsyen e bllokimit.
Lula, 80 vjeç, kandidon për mandatin e tij të katërt dhe të fundit përballë Flávio Bolsonaro-s, djalit të ish-presidentit të djathtë Jair Bolsonaro.
Incidenti vjen në një moment kur Meta po përballet me kritika mbi mënyrën se si Facebook moderon përmbajtjen politike përpara zgjedhjeve në Brazil.
Amnesty International testoi sistemin e platformës duke dorëzuar 15 reklama eksperimentale, 14 prej të cilave përmbanin dezinformim elektoral. Tetë prej reklamave me informacion të rremë u miratuan nga Facebook, ndërsa ato që u refuzuan nuk u identifikuan specifikisht si dezinformim. Reklamat nuk u publikuan realisht.
Mes reklamave të miratuara kishte edhe nga ato me propagandë që bënte thirrje për ndërhyrje ushtarake dhe bojkot të zgjedhjeve. Amnesty e cilësoi rezultatin “thellësisht alarmues”, duke ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e Meta-s për të parandaluar përdorimin e platformës për manipulim elektoral.
Zgjedhjet e këtij viti zhvillohen gjithashtu nën një klimë tensionesh mes qeverisë së Lula-s dhe administratës amerikane të Donald Trump. Lula ka akuzuar Uashingtonin se po ushtron presion ekonomik me ndikim politik mbi Brazilin, ndërsa Trump ka shprehur mbështetje për kampin Bolsonaro.
Përplasja mes dy kandidatëve shtrihet edhe në politikën e jashtme: Lula ka qenë një kritik i fortë i qeverisë izraelite, ndërsa Flávio Bolsonaro ka premtuar afrimin e Brazilit me Izraelin në rast fitoreje.












Meta komandohet nga Eleon Musk qe pagoi 250 milion follar per fushaten e presidentit Tramf . E pabesushme?