Nga Ben Andoni
Cadenabbia, një lagje e vockël simpatike në fshatin Griante mbi liqenin e Komos, do të ishte një vend krejt i harruar, nëse një ditë 81-vjeçari Konrad Adenhauer nuk do shfaqej rastësisht aty në verën e vitit 1957. Kancelari i parë i Gjermanisë së pas Luftës dhe arkitekti i paqes së vendit të tij me Fuqitë e Mëdha në moshën e tretë kërkonte pak paqe për vete, pas viteve strapacim. Heinrich von Brentano, ministri i tij i jashtëm, familja fisnike e të cilit jetonte në liqen prej shekullit XII, ia kish propozuar vendin plakut që endej me javë të tëra në pushimet nga Villa “Rossa” në Villa “Arminio”. Po magjisë që provonte kancelari plak, si kish shpëtuar në kohën e vet romancieri Flaubert, muzikantët e famshëm italianë Rosini, Giuseppe Verdi dhe Vincenzo Bellini, që hartoi këtu edhe “Normën” e famshme. Sot, pothuaj pjesa më e madhe e Hollivudit kanë bujtur dhe qëndruar dhe s’është çudi t’i shohësh rastësisht në rrugët e qytettheve të vogla rreth Komos.
Vila “La Collina”
Por Villa “La Collina” iu shfaq e rrënuar Adenauerit, teksa bënte xhiron e përditshme të ditës me shokët e tij të boccia-s (lojë lokale, që ia mësoi një polic) kryetarin e komunës së Griante, shefin e policisë lokale dhe priftin, njësoj bjerraditës. Pyeti si rastësisht. Duke nuhatur kënaqësinë e gentelmanit, e duke ia ditur qejfin për lojën dhe prehjen në natyrë, italianët, si figli di buona madre do e linin atë ditë të fitonte lehtësisht. Kancelari plak kishte rënë në grackë. Adenhaueri pyeti direkt për pronësinë. Përgjigjet ishin rrufe: Milanezi që e kish ndërtuar për vilë vere më 1899, tashmë ish harruar; kish kaluar në vitin ’30 te pronësia e një fisniku frëng që në ato vite e kish braktisur gati në kushte natyre. Miqtë u shprehën të gatshëm që do e ndihnin nëse donte ta merrte me qira…Pa dashje, po ‘peshkonin’ fqinjin perfekt. Shumë vite më vonë, historinë na e rrëfen në mënyrë gati automatike Heiner Enterich, Geschäftsführer. Kudo gjermanë në vilë. Madje edhe me emërtesa. Menaxheri kryesor e sqaron me pak fjalë grupin tonë, përbërë prej profesorësh të rinj, letrarësh dhe njerëzish të shoqërisë civile shqiptaro-serbe. Më vë gati në gjumë edhe pse duhet të flas pak më vonë, derisa përmend Kokoshkën. Kthjellohem dhe tani e kuptoj pse punët e tij janë të varura ngado në faqet e “La Collina” . Po kush e ka dëgjuar vallë bisedën e Oskar Kokoshkës me kancelarin Adenhauer duhet të ketë qeshur gjatë! Kancelari i ankohej se duart e tij në portretin e mjeshtrit stononin në kompozim me përmasat. Gjë që hidhej poshtë nga piktori. “Po, edhe piktori s’do kish aq faj. Ishte mbi 80 vjeç atëherë dhe i shpjegonte një 90-vjeçari”, na shpjegon Enterich. Na e tregon imazhin pas pak dhe po afër ndalet sikur do të na thotë për një artist tjetër. Jo. Na tregon një djal’ të vogël me pantallona të shkurtra, veshur me uniformë festive të nxënësit me kësulë. “Ky është Roberto. Kuzhinieri ynë. Është i vetmi, që e ka takuar prej nesh”. E këqyr krenar. Era ashpërsohet disi dhe shushurima e degëve dhe gjetheve të pemëve e sjell më afër klimën mesdhetare të Komos, ku drurët mesdhetarë dhe sub-tropikalë lulëzojnë gjatë gjithë vitit. Liqeni, që i ngjan një grafike trekëndore të Y-së stërgjatshe ndihmon edhe për të zbutur klimën, që e sulmojnë masat e ftohta zbritur nga majat plot borë, që ndajnë Italinë më Zvicrën.
Shqiptarë dhe serbë
“La Collina” është një nga mrekullitë e gati plot 1200 vilave, që të lenë pa frymë në këtë vend dhe që e rrethojnë si në pusi liqenin, këtë destinacion turistik të parisë të Lombardisë qysh prej shekullit XVI. Dhe vetëm 40 ditë para hapjes së një EXPO të madhe ndërkombëtare, që do kapë gjithë rajonin, pothuaj gjysma e vilave e hoteleve janë të prenotuara. S’janë shumë. Ky është mu edhe shqetësimi, që shprehet në leximet e gazetave. Ani, hotelet në Komo ka pak gjasa të mbushen, edhe pse panairi do vazhdojë i hapur për gjashtë muaj, deri në fund të tetorit, kur pronarët e qytetit presin zakonisht fluksin të ardhurve. Ndërkohë në Milano, 31 kilometra më tutje, hotele i kanë rritur çmimet deri më 30-40% për aktivitetin. Neve s’na bën përshtypje. Jemi për pak ditë në Komo, ku Fondacioni “Konrad Adenhauer” me degët e tij respektive shqiptaro-serbe në vilën e babait shpirtëror të këtij subjekti, bën takime, ku zakonisht partitë e djathta gjermane përgatiten për fushatat e tyre. Këtë herë, KAS-ët ballkanikë në fokus kanë marrëdhëniet e fqinjëve shqiptaro-serbe. Vendi që mban hijen e njeriut, i cili i hoqi rrobën e rëndë armiqësisë me Francë, Anglinë dhe Amerikën është i përkryer. Edhe organizimi është i tillë. Takohemi të gjithë në Milano. Një grup specialistësh OJQ-sh serbe, që flasin në mënyrë elokuente për Serbinë Evropiane por aspak për realitete dhe shqiptarët e miksuar me profesorë të rinj të komunikimit dhe publicistë e artistë. IDMC (Instituti shqiptar për Demokraci, Media dhe Kulturë) është promotor i aktivitetit dhe moderon pjesën më të madhe. Për fat, s’ka ndërprerje diskutimesh por serbët janë mësuar të mos flasin direkt për plagën që i kanë shkaktuar fqinjëve të Ballkanit. Kjo u pëlqen dhe gjermanëve, që në fillim premtojnë thjesht të dëgjojnë dhe të asistojnë. Është e këndshme të jesh mikpritës dhe të dëgjosh në shtëpinë tënde. “Të ndalosh përkujtimin” është slogan që Dr. Thomas Schrapel, drejtori i KAS Albania ua kujton të pranishmëve dhe që ua përmend si shembullin e tyre gjerman. Ndërkohë debati ka filluar, kur shqiptarët u kujtojnë serbëve shumë gjëra. Serbët rrinë në mbrojtje dhe dalin me argumente dhe diskutime nga pozitat e Evropës. Janë të përgatitur mirë dhe anglishtja i shpëton nga grackat që u ngre arsyeja. Nuk ka Mea Culpa. Shqiptarët janë mëndjehapur dhe kthjelltësinë e kthen Dr. Jonila Godole, në cilësinë e moderatores së parë, që u kujton serbëve mu në armën e tyre më të fortë prezantimet publike: përdorimin e pamatur të fëmijëve disa herë, por edhe mungesën e argumentit të nevojshëm për të rinjtë në këtë tryezë. Është gati një mat. Shqiptarët e kalojnë më qetë parashtrimin e temave të tyre. Janë konçizë dhe njësoj si kolegët serbë tregojnë shumë maturi. Për pak orë grupi miksohet. Në tavolinë nga ana serbe qëndron romani “Komo”, shkruar prej një autori bashkëkohor serb. Srdjan Valjareviç, autori, nuk i bashkohet dot grupit. Pala shqiptare i gëzohet përkthimit por i mungon libri. E kanë lexuar vetëm dy veta. Ata gjenden në skaje: Përkthyesi dhe Godole, po vetë përkthyese. Sërish sytë na rrotullohen te vila dhe te asetet e saj kulturore.
…
Heinrich na ka thënë se Villa ishte në një gjendje të keqe, derisa në gusht 1959, pak para se të vinte kancelari, banorët e Griante vendosën ta pastrojnë parkun dhe Villën për këtë pushues të rrallë. Të vetmit bujtës, që s’kishin tradhtuar mbeteshin disa lakuriqë nate dhe disa kafshëza të tjera të vogla, që posedonin dhomat. Në një kohë rekord, banorët sollën disa mobilje të stileve të ndryshme për të bërë Vilën më të rehatshme për Adenauerin dhe stafin i tij. Kryetari i bashkisë shtoi një tavolinë dhe disa rafte librash. U instaluan menjëherë linja shtesë telefonike dhe teleks për t’i siguruar komunikimin e vazhdueshëm Bonit dhe Cadenabbias. Adenaueri dhe stafi i vet nuk donte t’ia dinte për këtë luks fshataresk, sesa për bukurinë e peizazhit, mrekullinë e parkut, si dhe bujarinë e këtyre njerëzve që plotësonin qetësinë e pasurisë vetë. Që atëherë do të vinte plot 14 herë, zakonisht dy herë në vit deri në 6 apo ndonjëherë edhe 8 javë për pushimet e tij të punës. Stilimi ka mbetur ende njësoj dhe përbën sfidën e stafit të tanishëm, që nuk duan ta transformojë Villa-ën “La Collina” në hotel luksoz në kuptimin klasik. Mungon fare televizori. Vila mbahet me vetëfinancim dhe nuk merr subvencioneve. Prenotimet i zenë radhë njëra-tjetrës. Dy ndër miqtë e tij më të zakonshëm do ishin Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Dirk Stikker dhe kryeministri italian Amintore Fanfani. Të asaj kohe janë fotografitë e kancelarit duke luajtur boccia me një qëndrim disi femëror me kostum, kravatë… Heinrich vazhdon. Është i qetë.
Në Liqen
Argumentet e ditës në takimin e residencës kryesore shkojnë më tej. Ato vazhdojnë në një anijëz marrë me qira për të parë liqenin. Ajo duhet t’i shërbejë një grupi vizitorësh të paktën 10-fishin tonë. Një burrë i vjetër, që na mirëpret, i lë vendin në timon një djaloshi të ri, që me një anglishte të çalë shpjegon, vetëm kur i afrohesh. Këtë bën Ervini Goci, pedagog komunikimi, që pak orë më parë ka treguar mrekullisht fuqinë dhe përdorimin e imazhit prej kryeministrit shqiptar në Serbi. Unë mbetem me plakun, që më tregon se shërbimi ujor i Komos përbën tashmë një sistem transporti publik shumë të zhvilluar, që i lidh bashkë shumë qytete të vogla rreth liqenit. Ka filluar që më 1836, por që më 1952 e menaxhon zakonisht shteti. Eh shteti, ia bën. Befas, shprehja “Si vis pacem, para bellum”, që e ka bërë tatuazh në parakrah timonieri më tërheq. Po, është shprehja e famshme e Çezarit: “Nëse do paqe përgatitu për luftë”. Djali ma konfirmon. Një i tillë slogan, e sjellë më afër marrëdhënien tonë me serbët, por në kushte të tjera. Rrimë të ndarë dhe pak herë bashkohemi. Femrat janë kurioze të shquajnë vilat e liqenit, ku qëndrojnë ose janë pronarë Mateu Belami, Madonna, George Clooney, Gianni Versace, Ronaldinho, Silvester Stallone, Julian Lennon, Richard Branson…Plaku më vazhdon me vendet Domaso, Gravedona, Dongo, Musso, Menaggio, Cadenabbia, Griante, Tremezzo, Mezzegra, Lenno, Ossuccio, Sala Comacina, Argegno, Brienno, Moltrasio, Bellagio…E mbyll diktofonin. Afrohem me Elianin, që flet një gjermanishte të përkryer te djali i timonit, që na del ciceron i këndshëm. Villa “Carlotta” është ndërtuar për markezin milanist Giorgio Clerici në 1690 dhe zë një vend prej mbi 70,000m². Villa “Serbelloni” në Qendrën Bellagio është e Fondacionit Rockfeller, është 200.000 m2 dhe vlen për dijetarët nga e gjithë bota. Kjo këtu është e George Clooney.
Femrat e grupit janë bërë pothuaj bashkë. Ah Clooney…, ia bën regjisori i ri Elton Baxhaku, që vazhdon i patrazuar. “Po ç’dreqin bën këtu?!”
Ekonomia
Eltoni që s’ndan kamerën nga dora por që ka një indiferencë të këndshme bën shumë hoka. Në njërën syresh më thotë se do të hasi të gjithë shqiptarët dhe do m’i tregojë. Në fakt, s’ia del asnjëherë. Derisa kur sherrosemi të paguajmë: kamerieri, mbi ne, na përgjigjet me shqipe Maqedonie me zanoret e stërgjatura. Ka pak shqiptarë në Komo, por ata që janë punojnë qetë. Komo ka problemin e gjetjes së kamerierëve dhe shefave të kuzhinës, që tani i shmangen punës. Të 2500 € në muaj s’thonë shumë për italianët! Është e vështirë për të gjetur cilësisht njerëz të gatshëm për të bërë atë, më shpjegon një italian, që e pyes për çmimet e frutave në një tezgë dhe që habitem pse mund të jenë vetëm pak më shtrenjtë apo njësoj si tek ne. “Nuk punojnë më të rinjtë”, më thotë “ndaj më duhet të dal vetëm”. Askush prej italianëve të rinj nuk fillon me rreth 1200-1300 euro për të shkuar deri në 2200-2300 dhe më gjerë. Nuk është tamam kështu, më thotë një student. “Që të rrish këtu, çmimet shkojnë nga 390 euro në muaj, që janë një garsonier i thjeshtë deri në një 1150 € për një godinë me 5 dhoma. Pse ia vlen?!”. Ndaj rrugët dhe infrastruktura duket se kanë nevojë për riparime, kurse pastrimi edhe pse është i mirë lë ende për të dëshiruar dhe këtë e shikon në plehrat që janë kudo në pjesën historike të qytetit. Ngado vigjëlon masa e të ardhurve, që të shfaqen nga tunelet historike, apo duke shitur me tezgat në krahë. Çuditërisht shqiptarëve dhe serbëve s’u afrohen. Për një gjë ia vlen Ballkani dhe këto janë tiparet tona të paqta…luftarake. Por problemi më i madh është shtimi i të zinjve dhe mos respektimi për asgjë. Por edhe egërsia e marrëdhënies. Më në fund, Eltoni e has një shqiptar në kuzhinë teksa hamë në një restorant familjar. “Është nga Lushnja, më thotë krenar. E kuptova pse ishte shqiptar”. Pse? ” Nga mënyrë si na e kish skuqur peshkun. Ashtu e skuqin andej”, ma pret me gaz. “Këta u marrin shpirtin. Ai i shkreti s’ka pushim dhe s’ka asgjë, por e shtyn”… Komo na ka mrekulluar me qytetin historik, katedralen e jashtëzakonshme, ku prifti më ka pritur në rrëfyesore. Ma bën me dorë. Pse unë, i them. Ti je këtu, ma bën me dorë. At, flet anglisht? “Pak“. Shihemi në sy. “Më flit bir!” Jam ateist, por me origjinë gjysmë mysliman dhe kristian i kishës së Bizantit, i them. Ndryshon sakaq. Më bën kryqin para fytyrës. Të bekoftë! Cili të më bekojë, kush mund t’i bekojë shqiptarët. Po, ne jemi të bekuar, më vjen ndërmend himni.
…
Në të nesërmen, diskursi me serbët bëhet teknik dhe ata kthehen shumë më tepër në realitet, por tema e punësimit që hap një koleg serb na trand të gjithëve. Ballkani është një fuçi baruti thjesht prej papunësisë së të rinjve. Po, ky është problemi. Biseda shkon tamam në rrjedhën e duhur dhe në atë që është më e vështira për këtë tryezë. Ku mund të çohet e gjithë kjo energji? S’ka kohë dhe për ne. Duhet të ikim. Pyes një bahçevan që mban pantallona kamuflazhi për Formula 1. Është i kënaqur me Vettel, gjermanin e Ferrarit. Kush kujdeset për të gjithë këtë?-ia pres. Sa i madh është? Janë 28,500 m² dhe janë vetëm dy bahçevanë dhe ndihmës, më thotë shkurt si gjerman. Duhet të ikim. Një nga serbët vonohet. Ndahemi për të filluar një kapitull tjetër. Por, me sytë pas, prej një vendi, që do të dëshironim ta kishim tek ne…Heinrich është në sportel. Të gjithë punojnë. Pranverë 2015.









