Një komision i Senatit votoi të enjten për të shpallur Dr. Anthony Fauci në akuzë për shpërfillje të Kongresit dhe për ta referuar atë në Departamentin e Drejtësisë për ndjekje të mundshme penale. Vendimi erdhi si pasojë e refuzimit të tij për t’iu përgjigjur pyetjeve gjatë një seance dëgjimore të zhvilluar javën e kaluar, e cila kishte në fokus trajtimin e pandemisë COVID-19.
Votimi partiak për miratimin e rezolutës për përbuzje u zhvillua saktësisht një javë pasi Dr. Fauci thirri të drejtën e tij të Amendamentit të Pestë kundër vetë-inkriminimit më shumë se 100 herë përpara Komitetit të Senatit për Sigurinë e Atdheut dhe Çështjet Qeveritare.
Kryetari i komitetit, senatori republikan i Kentucky-t, Rand Paul, mbrojti qëndrimin se mbrojtja kushtetuese nuk mund të zbatohej në këtë rast, pasi Dr. Fauci ka marrë vitin e kaluar një falje nga Presidenti Demokrat Joe Biden dhe rrjedhimisht nuk përballej me kërcënin të ndjekjes penale federale.
Në hapje të seancës dëgjimore, senatori Paul u shpreh se “Dr. Fauci nuk përballej me rrezik të ndjekjes penale federale. E tëra çfarë duhej të bënte ishte të thoshte të vërtetën.”
Paul nënvizoi se votimi nuk lidhej me politikat, opinionet apo deklaratat e mëparshme të Fauci-t në Kongres, por me zbatimin e autoritetit të komitetit.
“Po votojmë nëse një dëshmitar që ka përfituar nga një falje gjithëpërfshirëse mund të urdhërohet nga ky komision që t’u përgjigjet pyetjeve dhe më pas ta sfidojë atë urdhër pa pasoja.”, tha ai.
Nga ana tjetër, Dr. Fauci dhe demokratët që kundërshtuan rezolutën deklaruan se ekzistonte një frikë e bazuar nga vetë-inkriminimi, duke pasur parasysh dëshirën e shprehur publikisht nga republikanët për të kërkuar ndjekjen e tij penale.
Në një deklaratë ku shpjegonte vendimin për të shfrytëzuar të drejtat e Amendamentit të Pestë, Dr. Fauci argumentoi se kishte arsye të forta për t’u frikësuar nga akuzat penale, duke i mëveshur këtë vendosmërisë së senatorit Paul: “për të më bërë të them diçka, çdo gjë, që mund të justifikonte premtimet e tij të përsëritura publike se unë përfundoj, sipas fjalëve të tij, citoj, pas hekurave, pa citoj.”
Korniza ligjore e faljes së dhënë nga Presidenti Biden mbulon aktet nga viti 2014 deri në momentin e lëshimit të saj në janar 2025. Megjithatë, ajo nuk e mbron Dr. Fauci-n nga ndjekjet penale në nivel shtetëror apo nga hetimet për dëshmi të rreme të dhëna para ligjvënësve.
Pas këtij votimi, referimi i kalon zyrës së prokurorit të SHBA-së në Uashington, e cila do të vendosë nëse do të nisë një hetim apo nëse do të tentojë ndjekjen penale të mjekut për shpërfillje të gjykatës. Senatori Paul pranoi se rezolutat e tilla zakonisht kalojnë nëpër të gjithë Senatin, por sqaroi se nuk donte të “humbiste kohë” me atë procedurë, pasi rezoluta vështirë se do të mblidhte 60 votat e nevojshme për avancim.
Ky zhvillim ngre pyetje të ndërlikuara mbi mundësinë e ligjvënësve për të detyruar dëshminë e personave të falur më parë — një precedent që mund të ketë ndikim edhe përtej rastit të Fauci-t, duke marrë parasysh mundësinë që edhe Donald Trump t’u japë falje ndihmësve të tij përpara largimit nga Shtëpia e Bardhë.











