Policia e Shtetit, në prag të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë, për arsye sigurie vendosë të “blindojë” qytetet e Tiranës dhe Elbasanit. Duke filluar nga dita e sotme, që përkon me ardhjen e Kombëtares serbe në vendin tonë, si dhe ditën e ndeshjes, policia thekson se, do të bllokohen disa segmente rrugore në kryeqytet dhe në rrugët lidhëse me Elbasanin, ku do të zhvillohet ndeshja.
Kështu, do të jenë në gatishmëri rreth 1500 forca policie, të ndihmuar edhe nga shërbimet inteligjente në vend, të cilët do të monitorojnë situatën hap pas hapi për të shmangur çdo incident të mundshëm. Drejtori Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ia ka besuar drejtimin e sigurisë para dhe pas ndeshjes Shqipëri- Serbi, numrit dy të policisë, Altin Qatos.
Akset rrugore që do të bllokohen
Sot, prej orës 17:00 deri 20:00 – segmenti rrugor i bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, “Ura e Lanës”, sheshi “Skënderbej” do të qëndrojë i bllokuar. Bllokim segmenti përkohësisht do të ketë nga Rinasi, “Qafë Kashari”, në autostradën Tiranë-Durrës, si dhe rrugët dytësore që lidhen me autostradën, duke vijuar te mbikalimi i Kamzës, rruga “Dritan Hoxha”, rruga “29 Nëntori”, rruga e “Durrësit”, rruga “Ismail Qemali” deri te rruga e “Elbasanit”. Po ashtu, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve dhe nuk do te lejohet kalimi i këmbësorëve pranë hotel “Sheraton” dhe “Universitetit të Arteve”, si dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në sheshin “Italia”. Bllokimi do të vazhdojë në të gjitha segmentet, të cilat lidhen me Hotel “Sheratonin”. Drejtuesit e mjeteve do të duhen të ndjekin rrugë të tjera alternative për të shkuar në qytetin e Elbasanit ditën e nesërme, ku do të zhvillohet edhe ndeshja më e shumëpritur për bashkëkombësit tanë, ajo me Serbinë.
Nesër, nga ora 12:00- 19:00 – do të bllokohet segmenti nga rruga “Dervish Hima”, rruga e “Elbasanit”, tuneli i Elbasanit, ku nuk do të lejohen kalimi i mjeteve deri në përfundim të aktivitetit sportiv në qytetin e Elbasanit. Pra për të ndjekur ndeshjen, një tifozi do t’i duhet të udhëtojë nëpërmjet qytetit të Durrësit për të mbërritur në “Elbasan Arena”.