• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, August 10, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Editorial

Kombëtarja e vetme Shqiptare fillon nga Abetarja

by Lorenc Vangjeli
07/10/2016 16:04
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter
Nga Lorenc Vangjeli

Të enjten në mbrëmje futbolli shqiptar prodhoi dy lajme. Një i mirë dhe një i keq. E enjtja solli fitoren e Kombëtares së Shqipërisë (Urrrra!) dhe humbjen e Kombëtares së Kosovës (uaaau!).

E para gëzoi shumëkënd, edhe nga ata që nuk shohin kurrë futboll, e dyta i mërziti dhe ata që kanë zgjedhur të mos shohin kurrë futboll. Megjithatë pati edhe në Tiranë që u gëzuan për humbjen e Kombëtares së Kosovës, siç pati edhe në Prishtinë që nuk ju pëlqeu fitorja e Kombëtares së Shqipërisë.

Mes dy kombëtareve dhe rezultateve të tyre ka nisur rivaliteti dhe kunjat që hidhen sa andej, këtej. Në këtë verë ai arriti dhe kulme mërie e mërzie, me vendimet e një numri futbollistësh për të kaluar nga njëra tek tjetra kombëtare. Duke ndryshuar referencën gjeografike, kush quhej tradhëtar në Tiranë se ikte, quhej hero në Prishtinë kur vinte. Mes shqiptarësh, zakonisht, nuk para ka nuanca të tjera mes të bardhës dhe të zezës. Grija ka munguar gjithmonë dhe asaj nuk i referohet askush. Si një ngjyrë pa identitet. Pa seks. Dhe shqiptarët e Ballkanit ngordhin për seksin me identitet.

Rezultatet e të enjtes në mbrëmje ishin një leksion më shumë aritmetik. Ose një leksion i matematikës politike. Dy gjysma së bashku bëjnë më shumë se një të tërë. Një kombëtare e vetme me shumë gjasë matematikisht është më e fortë; ka më shumë probabilitet të bëhet një skuadër e mirë sesa dy të tilla veç e veç. Të dyja bashkë mund të formojnë një ekip që nuk quhet as Kombëtarja e Shqipërisë dhe as Kombëtarja e Kosovës;  por fillon nga e para  një kombëtare e re evropiane: Kombëtarja Shqiptare. Një skuadër me pankinë të hapur edhe për çuna nga Tetova apo Mali i Zi e kudo gjetkë tjetër në diasporën shqiptare. Kjo eshtë më shumë se vetëm teori banalisht e thjeshtë numrash që rrisin probabilitetin për sukses të shqiptarëve në futboll, por dhe në sporte të tjera dhe jo vetëm. Edhe në politikë që është një sport që përgjithësisht luhet në një nivel amator.

Teoria e numrave më të mëdhenj është dhe çështje tregu dhe politike dhe politikë që mund të ngrihet edhe mbi treg të integruar lokal. Në fund fare është edhe themel patriotizmi. I atij të vërtetit që do të duhej të bënte bashkë edhe ata që në Tiranë janë mësuar t’i shohin ekstremisht të ndarë Ramën, Berishën, Metën, Bashën, Idrizin, Dukën apo Fevziun, Ballën, Vasilin, Taren e të tjerë, gjithkënd tjetër që ka një zë publik. Që Rashica që mos synojë portën e Berishës dhe Basha të mbrojë me raste edhe portën e Ujkanit.

Fatkeqësisht, si robër të formës dhe jo të përbajtjes, këtej dhe andej kufirit me Morinë në mes, në modë janë ende patriotët që mbajnë qeleshe në kokë, pavarësisht se e shkelin me këmbë, ata që veshin fustanella si trima Rilindjeje, por nuk veshin të mbathura si malësorët skocezë, ata që bëjnë shqiponjën mbi gjoks me duar, por i vënë të ndenjurat lakuriqe vendit. Ata mund të jenë gjithçka, por nuk janë shqiptarë të mirë. Shqiptarë patriotë janë vetëm shqiptarët normalë. Të zakonshmit. Dhe nuk para ka shumë shqiptarë normalë.

Çfarë nis me futboll, mund të vazhdojë dhe me politikë.

Politikë ishte dhe takimi i ministrit të jashtëm Ditmir Bushati që priti një panel me përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Mal të Zi. Janë nëntë të tilla, gjashtë parti dhe tre lëvizje që do të konkurojnë për zgjedhjet parlamentare të tetorit në Mal të Zi. Për herë të parë ato janë grupuar në tre koalicione duke rritur probabilitetin për një përfaqësim më të mirë shqiptar në parlamentin malazez. Për herë të parë në Tiranë, për shembull, u panë në publik një politikan karriere si Gëzim Hajdinaga, ish-ministër, ish-deputet dhe ish-kryetar i komunës më të madhe me shqiptarë, Ulqinit me kundërshtarin e tij Nazim Cungu. “Eshtë marrëzi të jemi kaq shumë shpinë më shpinë me njëri-tjetrin. Gjithsej janë 19 mijë shqiptarë në lista dhe vota e tyre copëzohet e pjestohet duke u bërë pothuaj e pavlefshme dhe duke e bërë zërin tonë më të dobët”, thotë Hajdinaga. “Vazhdoni më tej bashkëpunimin tuaj për të realizuar një platformë të përbashkët politike në parlamentin e ri në funksion të mbrojtjes së interesave të të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi”, tha  ministri i jashtëm Bushati për një çështje jo aq shumë të jashtme për shqiptarët e Ballkanit në ndoshta aktin e tij më politik në këto tre vjet në krye të diplomacisë së Tiranës. Me gjasë një gjë e ngjashme do të ndodhë edhe me shqiptarët në Maqedoni, që janë larg njëri-tjetrit në Tetovë pothuaj po aq sa shqiptarët në Tiranë.

Shumë vite më parë, diku në shtator të vitit 1999, mbas përfundimit të konfliktit të Kosovës, ish-kryeministri Majko foli për idenë e ndërtimit të rrugës që do të lidhte Prishtinën me Kukësin dhe portin e Durrësit. Më herët një gjë të tillë e kishte thënë e pothuaj lënë si projekt edhe ish-kryeministri Aleksandër Meksi dhe para të dyve e kishte në planet e tij edhe Enver Hoxha; idenë e shndërrimit të Kosovës në një vend bregdetar. Fatmirësisht, njëlloj si këta tre personazhe kaq të ndryshëm me njëri-tjetrin, mendonin edhe strategët e NATO-s që planifikuan sulmin në Beogradin e Milosheviçit për të çliruar Kosovën e shqiptarëve dhe të pakicave të tjera nga fashizmi serb.

Bashkë me asfaltin e rrugës atëherë u fol për një abetare të përbashkët. Sot, 17 vjet më pas sistemi arsimor mes dy vendeve është integruar dhe po ecën në rrugën e integrimit të plotë. Eshtë e një rëndësie e dorës së parë që të krijohen sisteme të përbashkëta referimi për fëmijët dhe të rinjtë e të dy vendeve. Që diploma e marrë në Prishtinë të ketë të njëjtën vlerë me atë të marrë në Tiranë.

Kjo është politikë. Dhe duke shtuar edhe matematikën, kjo bëhet matematikë politike. Eshtë matematikë e thjeshtë politike që dëshmon se dy gjysma bëjnë më shumë se një. Leksioni i vjen edhe nga Lindita e arsimit dhe nga ish-ministri kosovar i arsimit që me emër e mbiemër, të kujton qytetin e famshëm francez të historisë shqiptare, Ram Buja. Të dy kanë firmosur që në qershorin e dy vjetëve më parë që Shqipëria dhe Kosova të kenë një sistem të unifikuar arsimor. Dy vendet kanë ndryshuar ligjin dhe e kanë bërë sistemin njëlloj dhe kanë të njëjtën kornizë kurrikulare si Kosova, që do të thotë, programe dhe tekste të njehsuar.

Sepse është gjithashtu çështje shifrash. Eshtë çështje probabiliteti: sa më e madhe shifra e njërezve, aq më i madh edhe probabiliteti që mes tyre të dalin futbollistë të talentuar, politikanë të ndershëm, administratorë të aftë, hidraulikë të zotë, elektriçistë që nuk i zë korrenti apo zdruktarë që nuk presin gishtat e tyre ne sharrë.

Mund të mos kushtojë asgjë të ëndërrosh, por ndodh që paguhet shumë shtrenjtë zgjimi. Sepse nis me “krijimin” edhe nëpërmjet politikës, arsimit apo dhe futbollit të qytetarit normal evropian dhe pastaj vazhdon me modelimin e hapësirës evropiane shqiptare. Pjesë e ëndrrës së përbashkët mund të jetë një Kombëtare shqiptare e njehsuar, që luan edhe topin e politikës në ligën e Brukselit. Qoftë dhe për të folur me gjuhën e akullt të interesave të përbashkëta që dinë të bashkojnë edhe më shumë se dashuria e nxehtë. 

Next Post
Stojanoviç, zëvendëskryeministri i Kosovës: Serbët do bojkotojnë Kuvendin

Stojanoviç, zëvendëskryeministri i Kosovës: Serbët do bojkotojnë Kuvendin

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Pezeshkian raportohet se u takua me Udhëheqësin Suprem Khamenei: Do të publikojmë edhe pamje -

Pezeshkian raportohet se u takua me Udhëheqësin Suprem Khamenei: Do të publikojmë edhe pamje –

August 9, 2026
Trafik i rënduar dhe radhë kilometrike në kthim nga jugu, kolona automjetesh nga “Tuneli i Llogarasë” drejt Vlorës!

Trafik i rënduar dhe radhë kilometrike në kthim nga jugu, kolona automjetesh nga “Tuneli i Llogarasë” drejt Vlorës!

August 9, 2026
Arabët e Al-Ittihad refuzojnë ofertën e Interit, 20 milionë euro plus Asllanin për Diaby!

Arabët e Al-Ittihad refuzojnë ofertën e Interit, 20 milionë euro plus Asllanin për Diaby!

August 9, 2026
VIDEO/ Bie përsëri numri i pjesëmarrësve në protestën e 71-të kundër Qeverisë, pamjet me dron!

VIDEO/ Bie përsëri numri i pjesëmarrësve në protestën e 71-të kundër Qeverisë, pamjet me dron!

August 9, 2026
VIDEO/ Jorge Messi përcillet në banesën e fundit në Rosario, ceremonia familjare! Leo i dha lamtumirën babait me zemër të thyer (FOTO)

VIDEO/ Jorge Messi përcillet në banesën e fundit në Rosario, ceremonia familjare! Leo i dha lamtumirën babait me zemër të thyer (FOTO)

August 9, 2026
Kruja nuk gjen qetësi nga zjarret, në flakë zona pyjore në Krastë! Ndërhyhet nga ajri

Kruja nuk gjen qetësi nga zjarret, në flakë zona pyjore në Krastë! Ndërhyhet nga ajri

August 9, 2026
VIDEO/ Rebelët Huthi bombardojnë Arabinë Saudite, të paktën 11 të vdekur dhe 30 të plagosur! Goditet edhe rafineria e “Aramco”

VIDEO/ Rebelët Huthi bombardojnë Arabinë Saudite, të paktën 11 të vdekur dhe 30 të plagosur! Goditet edhe rafineria e “Aramco”

August 9, 2026
VIDEO/ Rikthehen radhët kilometrike në Kakavijë, fluks i lartë udhëtarësh dhe mjetesh në kufirin Shqipëri-Greqi!

VIDEO/ Rikthehen radhët kilometrike në Kakavijë, fluks i lartë udhëtarësh dhe mjetesh në kufirin Shqipëri-Greqi!

August 9, 2026
Rikthehen zjarret në Mallakastër, situatë kritike në një prej fshatrave! Rrezikohen dhe banesa, era favorizon flakët! Dyshohet i qëllimshëm

Vihet nën kontroll situata e zjarreve në tre fshatrat e Mallakastrës!

August 9, 2026
Konjufca reagon ndaj deklaratës së Zelenskyt: Kosova ishte dhe është me Ukrainën, kurse Serbia jo!

Konjufca reagon ndaj deklaratës së Zelenskyt: Kosova ishte dhe është me Ukrainën, kurse Serbia jo!

August 9, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com