Nga Iva Tiço/
Në këtë rrethin tonë mediatiko-politiko-artistiko-intelektual këto dy-tre vitet e fundit ka një shprehje që ia themi me të parën njëri-tjetrit, sapo një emër gjendet i përfshirë me apo pa të drejtë në vorbullën e portaleve: “Varja, mos thuaj asgjë se do harrohet”. Shpeshherë është gjëja më e mirë që mund të bësh, pasi, nëse flet, nëse përpiqesh të sqarohesh, vorbulla rreth teje rritet, pjell më shumë tituj që pjellin dhe më shumë tituj dhe jo vetëm që e vërteta nuk del kurrë, por mund të përlyhesh edhe me keq dhe pastaj ta gjesh veten si në filmin “Përrallë nga e kaluara”, kur Marigoja dhe të vetët vinin vërdallë dhe i kërkonin ndihmë priftit që të bënin be për të vërtetën dhe t’i mbushnin mendjen botës: “Ju të bëni be dhe Zoti ju beson, po a ju beson bota? -Po kush është më i madh, Zoti apo bota? Ku ta gjejmë qetësinë?”. Në mos si prifti në film, ne bëhemi si zoti Maliq, sa herë që dikush përgojohet. “Çudia më e madhe tre ditë zgjat”. I ruhemi si dreqi sqarimit me botën, nuk ia mbushim dot mendjen botës. Mos fol, themi, se do harrohet. Paçka se gënjeshtrat e shumëfishuara, pasi thuhen e thuhen mbeten në kujtesën e të gjithëve dhe besohen si të vërteta.
Rea Xhillarin, vajzën e Linda Ramës, gruas së kryeministrit, nuk di kush e këshilloi, por bëri të kundërtën e kësaj që bëjmë ne. Dhe bravo i qoftë! Ajo sot ka deponuar një padi (link në fund të shkrimit). Me siguri po mos të ishte e bija e Lindës për të s’do kishin shkruar portalet dhe nuk as do t’i kish hyrë gjemb në këmbë për punë thashethemesh dhe skenare romacash qeveritare. Por, siç e thoshte edhe vetë Rea, po e sulmojnë se është vajza Linda Ramës dhe familjare e Edi Ramës.
Nuk dua të mendoj se Rea ka marrë guximin të ngrejë padi sepse është familjare e kryeministrit, ndaj dhe në ndryshim nga unë i ka shpatullat të ngrohta dhe ka takat për gjyqe. Por dua të mendoj që ajo i takon atij brezit të të rinjve, për të cilët e keqja nuk është relativizuar si për brezin tim, që e mbyllim çdo bisedë me “Varja, kështu është ky vend”. Dhe për të ma vërtetuar pandehmën, vlen më së miri përgjigjja epike e Artur Zhejit, fill pas vendimit të saj për të shpënë para ligjit Zhejin dhe shtatë portale, që e shpjegojnë ngjitjen e vrullshme në karrierë të ministrit të Jashtëm në detyrë, Cakaj, me një bashkëjetësë me të. Si përfaqësues tipik i “klasës” sonë (edhe pse është më i madh në moshë, ofiqe dhe pagesa, Zhejin e quaj më tepër të brezit tim dhe vite dritë larg brezit të Reas), analisti dhe njëkohësisht drejtuesi i një portali ka bërë sërish sot atë që bëjmë të gjithë ne: relativizon të keqen. Në fillim i thotë Rea Xhillarit se bashkëjetesa dhe lidhjet na qenkan gjëra të mira dhe jo sharje dhe se ajo duhet t’i mbajë llafet në kurriz sepse është person publik. Pastaj justifikohet se ai nuk ka sajuar asgjë, por thjesht ka botuar ato që ka dëgjuar lart e poshtë dhe që shkruhen në rrjet. Pastaj, si gjithë analistët e tjerë të stilit kjo-është-keq-por-ka-dhe-më-keq, i thotë të mos mërzitet dhe aq me të se dhe fëmijët e tij mërziten kur Edi Rama e shan atë. Dhe në fund fare aludon se ajo, ndonëse në moshë madhore për të ngritur një çështje gjyqësore, po na veproka e shtyrë nga kryemninistri, që ka gjetur rastin të sulmojë Zhejin si i fundmi i opozitarëve që është.
Si e “klasës” së tij, nëse do isha pranë Zhejit këto ditë, do t’i kisha dhënë patjetër këshillën që u jap dhe shoqeve të mia në kësi rastesh: “Qepe, mos bëj lajme të tjera për portalet. Nuk do rrish t’i mbushësh mendjen botës”. Por sa mirë që ai nuk ka dëgjuar këshilla si më miat dhe foli, pikërisht për të na treguar se si është në të vërtetë bota, si merr e luan me fjalët pa të keq, si thotë “punë e madhe që unë po shpif pak, unë këtë punë kam, ndërsa ti këtë punë ke, duro!”. Dhe sa mirë që Rea (shpresoj që gjithë brezi i saj) nuk është në pikën e dorëzimit përpara llafeve. Mesa duket, këtij brezi i bën për botën, për aq kohë as mund të luftojnë për të vërtetën. Në mos do të na trimërojë ne të tjerëve, ndoshta një padi e tillë arrin t’u futë sadopak frikën atyre që nuk e kanë për gjë të shpifin e të justifikohen. Kur të gjithë të mbajnë përgjegjësi dhe të paguajnë për atë që nxjerrin nga goja, mbase do ta gjejmë paqen edhe këtu dhe jo ku na këshillon prifti i Marigosë.