Shpresa te rigjallërimi i interesit të të huajve për bregdetin shqiptar. Ukrainas, norvegjezë etj kërkojnë shtëpi në një vend të ngrohë. Rriten edhe kërkesa për qira, kryesisht nga të moshuarit e huaj, jashtë sezonit…
Nga Deada Hyka / Monitor
Viti 2015 pa një ngërç në tregun e pasurive të patundshme, që sipas aktorëve kryesorë të tregut u shkaktua nga tre faktorë: rritja e taksës së shitjes prej 15%, ndalimi i lejeve për ndërtime të reja dhe domosdoshmëria për rikthim të ligjit të vlerësimit të pasurive të patundshme. Ndërtimi i fshatrave turistikë dhe godinave multifunksionale në bregdet, uli çmimet e tregut për apartamentet verën e kaluar, ndërsa turistët e huaj, kryesisht europianoveriorë, kanë mundësi të arta këtë vit të investojnë në pasuri të patundshme në bregdet…
Pronat e palegalizuara konsiderohen një problem aktual për tregun e pasurive të patundshme, ndërsa edhe zgjatja e procedurave për kredidhënie nga bankat përbën një tjetër pengesë për këtë treg.
Aktorët kryesorë të tregut imobiliar tregojnë për “Monitor” se viti 2015 ka pasur thuajse të njëjtën ecuri si një vit më parë për shitjen dhe qiratë në tërësi, ndërsa ka pasur edhe probleme likuiditeti. Frenimi i shitjeve për shkak të taksës prej 15% (taksa mbi fitimet nga shitja e pasurisë së paluajtshme u rrit nga 10% në 15%, duke filluar nga 1 janari 2015), një ndër parashikimet e fillimvitit 2015 qëndron, mirëpo agjencitë pohojnë se edhe gjendja ekonomike e shqiptarëve ka një ndikim të madh.
Dhënia e lejeve të reja të ndërtimit është një ndër ndryshimet që agjencitë e pasurive të patundshme po kërkojnë të realizohet këtë vit. Dritan Caka, nga DevInformation, tregon se në këtë mënyrë, klientët do të kenë më shumë mundësi për të zgjedhur, si rrjedhojë edhe cilësia e ndërtimit do të aplikohet sipas standardeve të kërkuara, duke ofruar cilësi më të lartë.
Të pyetur për çmimet që do të kenë pasuritë e paluajtshme gjatë këtij viti, përfaqësuesit e agjencive tregojnë se nuk priten ndryshime të qenësishme. Viti 2016 parashikohet se do të ketë të njëjtat çmime si një vit më parë, sidomos sa u përket qirave, ndërsa për shitjet mund të shihen ulje rreth 5%. Ndërsa për kërkesat këtë vit, ata pohojnë se pa u rivendosur ligji i vlerësimit të pasurive të patundshme, në rritje do të jetë kërkesa për qira. Megjithatë pohohet se tregu edhe në 2016-n nuk do të ketë tendencë në rritje të çmimeve.
Ndërkohë bregdeti ka parë një “rilulëzim”, teksa interesi në rritje i europianoveriorëve, nga ku kryesojnë norvegjezët, për blerje apartamentesh të vijës së parë në qytete si Saranda, Vlora etj., mendohet se do të vijojë edhe këtë vit.
Ilir Konomi, nga Albania Property Group, tregon se aktualisht bie në sy interesi në rritje nga qytetarë ukrainas për Shqipërinë, të cilët përveçse kanë ardhur si turistë, kanë investuar në vendin tonë duke blerë apartamente në bregdet. “Blerjet e tyre janë përqendruar më shumë në Sarandë dhe Durrës në apartamente me çmime nga 30.000-50.000 euro”,- tregon z. Konomi, duke shpjeguar se, ndikim ka pasur konflikti që vazhdon ende në Lindje të Ukrainës. “Ka familje të shtresave të mesme, të cilët kërkojnë një pronë në një vend të sigurt për çfarëdo eventualiteti, por edhe një vend ku mund të pushohet pranë detit”,- tregon ai.
Për nivel blerjeje, norvegjezët kryesojnë në apartamentet në vijën e parë të detit. Z. Konomi tregon se duke iu referuar shifrave të agjencisë, norvegjezët preferojnë apartamente të mëdha me dy dhoma gjumi dhe çmimet që ata paguajnë shkojnë mbi 65.000 euro.
Si parashikim për ecurinë e shitjeve dhe qirave në bregdet, z. Konomi tregon për “Monitor” se pritet një rritje e turistëve rusë për shkak të ngjarjeve në SharmEl Sheik (Egjipt), si dhe të acarimit të marrëdhënieve Rusi-Turqi.
Ai pohon edhe se rritja e sektorit të turizmit në Shqipëri do të vazhdojë të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e shitjeve në zonat bregdetare edhe gjatë 2016-s.
…………
Flet Dritan Caka, nga DevInformation
“Rivlerësimi i pasurive të patundshme do të çlirojë tregun në 2016”
Si ka qenë ecuria e tregut të pasurive të paluajtshme për 2015?
Tregu i pasurive të paluajtshme në vitin 2015 ka pasur të njëjtën ecuri të një viti më parë, pra të 2014, por kemi vënë re një rritje të lehtë në 4 muajt e fundit të 2015-s, me rreth 5%. Në terma të përgjithshëm ka pasur ecuri normale.
Çfarë parashikohet të ndryshojë në 2016?
Ndryshimi që të gjithë në agjencitë në treg presim është dhënie e lejeve të ndërtimit, me anë të të cilave klientët të kenë sa më shumë mundësi për të zgjedhur, si rrjedhojë edhe cilësia e ndërtimit të kërkuar, me rregullat e reja, të ketë standardet e duhura, një cilësi më të lartë.
Si pritet të jenë shitjet/qiratë në 2016?
Shitjet mendoj se do të jenë më të larta nëse do të vendoset rivlerësimi i pronave, pasi është një nga shkaqet kryesore të ngërçit të shitblerjeve. E kemi thënë edhe më parë, formula e taksimit të 15% të diferencës, në shumicën e rasteve, nuk është korrekte, pasi diferenca e përfituar prej çmimit të shitjes me çmimin e blerjes, nuk është fitim.
Sa u përket qirave, ato do të jenë në rritje, pasi kur shitjet janë në nivele të ulëta, gjithmonë rritet kërkesa për qira.
…………..
Flet Xheni Jahja, Tirana Real Estate
“Pronat e palegalizuara problem, nuk priten ndryshime çmimesh këtë vit”
Si ka qenë ecuria e tregut të pasurive të patundshme gjatë 2015?
Ecuria e tregut të patundshmërisë gjatë vitit 2015 ka qenë brenda parashikimeve, sidomos sa i përket frenimit të shitjeve për shkak të taksës së vendosur prej 15%. Po ashtu ka vështirësi që priteshin në lidhje me likuiditetin.
Cilat janë problematikat aktuale të tregut? A mund të reflektohen edhe në 2016-n?
Problematikat që janë parë më tepër kanë qenë pronat e palegalizuara, të papajisura me certifikatë pronësie. Zgjatja e procedurave të kredidhënies nga ana e bankave për një kontratë shitje, kriza ekonomike etj.
Parashikohet që këto problematika të reflektohen dhe në vitin 2016, pasi deri më tani, nuk ka një plan konkret nga pushteti vendor dhe ai lokal rreth pajisjeve me certifikatë pronësie të pronave që momentalisht nuk i zotërojnë ato.
Si ka qenë raporti shitje/qira në 2015? Si mendohet se do të vijojë?
Për sa i përket raportit shitje-qira ai ka qenë konstant, shpresonim në ndryshime pozitive, të cilat nuk ndodhen, që lidhen me problematikat që përmendëm më parë. Zgjidhja e tyre do të çlironte tregun, presim që këto ndryshime pozitive të ndodhin në 2016.
Si kanë qenë çmimet vitin e kaluar? Si priten të vijojnë?
Në vitin që kaloi nuk ka pasur tendencë në rritje të çmimeve. Duket sikur kanë arritur në vlera normale të tregut. Janë reflektuar rënie rreth 1-5% të vlerave në shitje, ndërsa çmimet e qirave në përgjithësi kanë qenë të pandryshuara. Për 2016-n, çmimet e pronave të patundshme në shitje dhe qira mendohet të kenë të njëjtin trend si në 2015.
……….
Flet Ilir Konomi, AlbaniaPropertyGroup
“Rritja e sektorit të turizmit pritet të zhvillojë tregun e pasurive të patundshme në bregdet në 2016”
Si ka qenë ecuria e tregut të pasurive të patundshme në bregdet në 2015? Çfarë problematikash pati tregu?
Niveli i shitblerjeve në bregdet mendoj se ka ruajtur ritmin e vitit të mëparshëm. Ka pasur edhe disa aspekte pozitive që kanë dalluar nga më herët, por si gjithmonë, statistika të sakta mungojnë në këtë drejtim. Theksoj praninë e klientëve ukrainas dhe francezë që kanë qenë pak ose aspak prezentë në Shqipëri më herët.
Ndryshe nga vitet e mëparshëm, bie në sy interesi në rritje nga qytetarë ukrainas, të cilët përveçse kanë vizituar vendin tonë edhe si turistë, kanë investuar në vendin tonë duke blerë apartamente në bregdet. Blerjet e tyre janë përqendruar më shumë në Sarandë dhe Durrës në apartamente me çmime nga 30.000-50.000 euro.
Pjesa më e madhe e ukrainasve kanë eksploruar vendin tonë me makinat e tyre familjare, por ndërkohë ka pasur edhe një pjesë tjetër që ka vizituar vendin tonë përmes paketave turistike ofruar nga agjenci ukrainase. Këto të fundit kanë organizuar edhe fluturime direkte me charter nga Kievi.
Ndikim sigurisht ka pasur konflikti që vazhdon ende në Lindje të Ukrainës. Ka familje të shtresave të mesme, të cilët kërkojnë një pronë në një vend të sigurt për çfarëdo eventualiteti, por edhe një vend ku mund të pushohet pranë detit.
Për shkak të një linje ajrore të vendosur nga AdriaAirlines vitin e kaluar ranë në sy edhe prania në rritje e turistëve francezë. Destinacioni kryesor i tyre ishte Riviera Shqiptare.
Lidhur me patundshmërinë, interesi i tyre përsëri ishte në zonën e Rivierës në Dhërmi, Qeparo, Himarë. Por në këtë pikë, oferta jonë në bregdet që mund t’i përgjigjet kësaj kërkese mungon, pasi në shumicën dërrmuese të rasteve ne ofrojmë apartamente, ndërkohë që kërkesat e tyre janë më së shumti për shtëpi në fshatrat e bregut.
Në përgjithësi një kërkesë e tillë është shumë e vështirë të kënaqet. Deri para dy viteve më parë mund të kishte oferta të tilla në Qeparo, apo në Vuno, me gjithë problemet e pronave që njihen tashmë në ato zona dhe që sillnin vështirësi në përfundimin e transaksioneve.
Por çmimet e pronave në shitje (shtëpi të rrënuara, me ose pa oborr) filluan të rriten shumë më shpejt se kërkesa në nivele të pajustifikueshme.
Saranda vazhdon të jetë e preferuar nga norvegjezët, të cilët janë blerës të mirë të apartamenteve në vijën e parë në qytet.
Në përgjithësi preferojnë apartamente të mëdha me dy dhoma gjumi. Dhe çmimet që ata paguajnë shkojnë mbi 65.000 euro.
Ndikim mjaft të mirë në promovimin e Sarandës si destinacion turistik ka agjencia suedeze Apollo, e cila operon si në Suedi edhe në Norvegji. Por si blerës të pronave, deri tani norvegjezët janë në nivel shumë më të lartë në numër se nacionalitete të tjera në vendet nordike. Norvegjezët e parë kanë blerë apartamente në Sarandë që në vitin 2008.
Gjatë vjeshtës 2015 është vënë re një kërkesë në rritje për apartamente me qira në Sarandë dhe Vlorë.
Këto vijnë nga njerëz të moshuar në Europën Qendrore e Veriore, të cilët duan të kalojnë pushimet në vende të ngrohta dhe me kosto jetese të ulët.
Vendi ynë ofron mjaftueshëm në këtë drejtim. Mendoj që 2016 dhe 2017 do të sjellin një rritje të qiradhënieve jashtë sezonit ku jemi mësuar të ketë kërkesë për apartamente pushimi vetëm në 2-3 muaj të verës.
Çfarë pritet të ndryshojë në panoramën e shitjeve ose qirave në bregdet në 2016?
Rritja e sektorit të turizmit në Shqipëri do të vazhdojë të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e shitjeve në zonat bregdetare edhe gjatë 2016.
Ndryshimet e pritura me koncesionarin e Aeroportit të Rinasit do të kenë peshën e vet në këtë aspekt, edhe pse konkretizimi me hapjen e një aeroporti të dytë apo të tretë në Jug do të dojë ende kohë.
Është e arsyeshme të pritet një rritje e turistëve rusë për shkak të ngjarjeve në SharmEl Sheik (Egjipt), si dhe të acarimit të marrëdhënieve Rusi–Turqi. E vërteta është që oferta jonë turistike është tepër modeste krahasuar me resortet turke, por natyrshëm Shqipëria do të ketë një rritje të numrit të turistëve prej këtyre zhvillimeve.
Shqipëria është i fundit vend me dalje në det në Jugun e Europës e cila ofron ende mundësi të mira investimi në prona të paluajtshme. Afrimi me Komunitetin Europian do të bindë përherë e më shumë qytetarët europianë të investojnë në shtëpitë e dyta në Shqipëri.