Kreu i SPAK, Arben Kraja ka shkundur dje politikën shqiptare. Ai ka folur për emisionin “31 Minuta” në RTSH. Për herë të parë me një rrëfim ekskluziv që zbardh anën e panjohur të drejtësisë që heton politikanët, zyrtarët e korruptuar të drejtësisë dhe emrat e krimit të organizuar që kanë sunduar jo pak herë Shqipërinë.
Ai ka bërë jo vetëm një bilanc të punës së këtij institucioni përgjatë 1 viti që kur ai u themelua, por ka folur edhe për sfidat me të cilat përballet ky institucion, ndërthurja e krimit me politikën, grupet kriminale, bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë etj. Por ajo që ai ka nënvizuar në këtë intervistë është se nuk ka më persona të paprekshëm përballë ligjit qofshin politikanë, zyrtarë të lartë apo kriminelë të çdo rangu.
-Z. Kraja, faleminderit! Mesazhi juaj i parë sapo morët detyrën e shefit të SPAK, ishte ndaj atyre që shkelin ligjin dhe se ata duhet të kenë frikë. Tashmë që ka kaluar 1 vit nga themelimi i SPAK, në këndvështrimin tuaj, kush duhet të ketë dhe ka më shumë frikë nga SPAK-u, politika apo krimi i organizuar?
-Për shkak të kompetencave që përfshihen në SPAK është krijuar ideja që SPAK do të ndëshkojë të pandëshkueshmit, të cilësuar të tillë edhe nga ndërkombëtarët. Sipas jush, cila është ajo kategori që konsiderohen të paprekshëm?
-SPAK-u shqiptar u ngrit sipas modelit USKOK që ngriti akuza ndaj personazheve më të lartë të politikës në Kroaci, duke përfshirë ish-ministra dhe ish-kryeministrin. A jeni të bindur se SPAK do të kapë të njëjtat nivele si USKOK kroat?
-Do të kemi një ngjashmëri me USKOK për arritjet që synoni?
USKOK-u është një nga strukturat më të suksesshme në rajon, por ju duhet ta dini që USKOK-u për të arritur aty ku ka arritur i është dashur të punojë 5 apo 6 vite. Besoj më kuptoni. Unë e kam thënë edhe disa herë të tjera që, ajo që ne garantojmë është serioziteti, vendosmëria për t’u shkuar gjërave deri në fund, por nuk mund të bëhemi arbitrarë, nuk mund të bëhemi të kundraligjshëm, sepse përkundrazi do të bëjmë pastaj dëm më të madh të sistemit. Duhet të jemi gjithmonë bazuar në prova. Provat kërkojnë kohë të merren, rezultati padiskutim kërkon kohë që të vijë. Duhet të jemi të përgatitur të gjithë.
Çështjet e hetimit janë sekret. Zakonisht edhe Kodi i Procedurës Penale e parashikon qartë që të gjitha çështjet që janë në fazën e hetimit paraprak janë sekrete dhe nuk mund të jepen dhe të bëhen publike të dhëna apo detaje nga dosja. Megjithatë unë mund të them këtë që ne nuk kemi asnjë limit, asnjë kufizim kushdo që do përfshihet padiskutim që do të hetohet deri në fund dhe do të kërkojmë përgjegjësi për atë që ka bërë.
-Kur thoni që është sekret hetimor, unë kam të drejtën të nënkuptoj që ka nën hetim?
Ju keni të drejtë të thoni që ka, unë kam të drejtë dhe detyrim të them atë që më detyron ligji të them.
-Ka patur realisht prokurorë të kërcënuar të SPAK gjatë kësaj periudhe apo gjyqtarë të posaçëm të GJKKO që kanë hetuar çështje të caktuara, që mund të jenë intimiduar apo të jenë dërguar mesazhe të caktuara dhe nëse po, kush i ka dërguar këto mesazhe?
Prokurorët e SPAK-ut, ashtu edhe gjyqtarët, padiskutim që merren me personazhe që janë të rrezikshëm, organizata kriminale, grupe të strukturuara, por edhe nëpunës shtetërorë të niveleve të larta, të cilët ndoshta jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, por indirekt bëjnë edhe presione. Dhe në këto raste ligji ka parashikuar shumë qartë mbrojtjen e secilit prej tyre. Ka disa prokurorë edhe disa gjyqtarë, të cilët kanë mbrojtje fizike për arsye që kanë patur çështje më herët. Nuk dua të futem në detaje sepse nuk janë për publikun, por e rëndësishme është që të gjithë janë të vendosur për ta bërë punën deri në fund dhe nga ana tjetër ka siguri dhe garanci për mbrojtjen e tyre e parashikuar në ligj, por edhe realizuar konkretisht në mbrojtjen fizike, qoftë individuale të prokurorëve dhe gjyqtarëve, por edhe të familjeve të tyre.
-Prokurorët e SPAK-ut dhe gjyqtarët e posaçëm janë kërcënuar duke dërguar mesazhe me nënkuptime kërcënuese gjatë këtij viti?
Thashë edhe njëherë nuk është vetëm gjatë këtij viti, por këto janë histori të trashëguara edhe nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, të cilët për siguri vazhdon mbrojtja fizike e tyre, janë procese që janë në gjykim, janë procese që janë tepër të rëndësishme me personazhe të përfshira në botën e krimit të organizuar, por që normalisht prokurorët dhe gjyqtarët kanë mbrojtje fizike.
-Si përkthehen në zyrat e SPAK, mesazhet e politikës? Shpesh gjatë këtij viti kanë dhënë mesazhe të pafundme, kanë kërkuar hetime për dosje të mëdha. Është përfolur një nga dosjet përsa u takon çështjeve së zgjedhjeve për të cilat u shpall moskompentenca. Si përkthehen në këto zyra? Janë thjesht batuta të politikës apo kanë edhe ngarkesa të tjera?
Ne kemi diskutuar patjetër me njëri-tjetrin në mbledhje dhe kemi vendosur diçka që çdo debat që bëhet të jemi shumë të ftohtë dhe të rrimë sa më shumë profesionalisht. Secili nga jashtë ka të drejtë, politika të bëjë deklaratat e veta, qytetarë të ndryshëm kanë të drejtë të ankohen, të bëjnë letra. E rëndësishme është që prokurori kur merr një vendim ta ketë të bazuar në ligj, ta këtë të bazuar në prova që ka në dosje dhe të marrë vendimin që duhet të marrë. Në këtë sens, mesazhe qoftë të politikës, askujt tjetër nuk i vlerësojmë në sensin as shqetësuese apo intimiduese, secili nga prokurorët është i përgjegjshëm për punën që bën dhe vendos mbi bazën e provave gjithmonë, pavarësisht i pëlqen dikujt apo nuk i pëlqen dikujt tjetër.
-Por goditja më e bujshme ishte zbardhja e dy vrasjeve së Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, vrasje të cilat ishin harruar dhe mbuluar nga pluhuri i viteve. Ka prova SPAK që veç dëshmitarit kryesor apo është një histori që vazhdon dhe po hetohet ende?
Ajo është një histori padiskutim nën hetim. Ka një vendim gjykate që ka caktuar masat e sigurimit, pra për sa kohë që ka një vendim gjykate pa diskutim që është dhënë mbi bazën e provave.
-Z. Kraja, në një nga daljet tuaja publike, ju keni thënë që ju e dini që njerëzit presin rezultate, rezultate. Çfarë ka për t’i thënë SPAK publikut?
Njerëzit kërkojnë që të gjitha hallet t’i zgjidhin tek SPAK-u. Vijnë tek ne letra të pafundme, nga më të çuditshme. Ndonjëherë njerëzit për një gardh që ngatërrohen me njëri-tjetrin thonë nuk ma ka zgjidhur strukturat lokale kërkoj të ma zgjidhni ju, sepse kam besim tek ju. Kjo ka dy anë, e para tregon besim, na ngarkon ne me përgjegjësi edhe më të madhe. Kjo ishte e para që duhet t’iu them njerëzve, që ne veprojmë në bazë të kompetencave të caktuara dhe janë ato që parashikon Kodi i Procedurës Penale dhe nuk mund të bëjmë gjithçka, e dyta, ajo që duhet t’i garantoj është edhe mesazhi që kam dhënë me rastin e një vjetorit kur botuam treguesit e përgjithshëm, është që, ne garantojmë që pandëshkueshmëria nuk do të jetë më fenomen në Shqipëri, për rastet që janë objekt i hetimit apo kompetencë e Prokurorisë së Posaçme. Të pandëshkueshmit nuk do të kenë më sukses dhe nuk do të mbijetojnë.
-Kush ka qenë gjatë këtyre viteve më e paprekshme politika apo krimi i organizuar?
Të gjithë nga pak. Të gjithë të përfshirë, qoftë politika, qoftë strukturat e krimit të organizuar, por qoftë edhe strukturat e drejtësisë për rastet kur kanë kryer aktivitet jo të ligjshëm.
-Do veprohet me të njëjtën forcë tek të gjithë?
Nuk kemi dallim fare. I vetmi dallim është që kush ka prova dhe kush i plotësohen kriteret për t’u hetuar fillimisht dhe pastaj për t’u dërguar për gjykim në varësi të provave që mblidhen.
-Ka kapacitetet e duhura SPAK për të hetuar këtë lloj krimi, kaq të sofistikuar? Në rast se të gjithë bashkë janë bërë bashkë, tashmë dhe janë aleatë në botën e krimit.
SPAK-u ka strukturën e vet që do të ketë, pra grupin e prokurorëve dhe grupin e hetuesve të cilët janë të pavarur dhe garantojnë që të bëhet hetimi pa problematika. Megjithatë SPAK-u i vetëm s’mund ta bëjë kurrë. Duhet të jemi të qartë për këtë punë. Është e padiskutueshme që ka nevojë edhe për strukturat e tjera shtetërore, ka nevojë edhe për Policinë e Shtetit. Ne e kemi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit. Ka nevojë për shërbimet informative, ka nevojë për shërbimet e inteligjencës, ka nevojë edhe për strukturat e hetimet pasuror, të tatimeve, të doganave, ka nevojë për Kontrollin e Lartë të Shtetit apo edhe për strukturat e tjera. Në këtë sens ne kemi filluar si të themi një praktikë pune të shkëmbimit të informacionit diku duke lidhur marrëveshje, diku duke vendosur kontakte të drejtpërdrejta me qëllim të gjithë të shkëmbejmë informacion, informacion që ne na duhet për efekt të hetimit që ne kryejmë.
-Ju keni vendosur në web-in e SPAK edhe një rubrikë “raporto korrupsionin”. Ka pasur kërkesa të qytetarëve të cilët kanë denoncuar korrupsionin?
Patjetër që ka pasur. Unë e thashë edhe më përpara jo vetëm që ka patur për korrupsion, jo vetëm aty, por edhe letrat që vijnë nëpërmjet postës me protokoll apo qytetarë që vijnë dhe kërkojnë të bëjnë kallëzim për raste konkrete të korrupsionit dhe të gjitha kanë marrë zgjidhjen e duhur ligjore. Ne kemi pasur raste mbi bazën e kallëzimeve të qytetarëve janë regjistruar procedime penale të suksesshme për korrupsion dhe janë në procese apo janë në gjykim apo vazhdon hetimi kundër tyre.
-Sa është numri i referimeve të qytetarëve në SPAK gjatë këtij viti?
Ne gjatë këtij viti kemi filluar rreth deri tani 300 procedime penale dhe për këto 300 procedime penale, ju garantoj që dyfishi i atyre, kanë patur informacione nga publiku, letra nga publiku, apo kallëzime nga publiku. Jo të gjitha kanë qenë probleme që i takojnë Prokurorisë së Posaçme brenda kompetencave që ka ajo.
-Për çfarë veprash bëhet fjalë që kryesojnë në këto 300 procedime?
Janë të ndara për krim të organizuar, për korrupsion dhe vepra të tjera që i quajmë ne, që përfshihet qoftë shkelje e barazisë në tendera apo për subjekte që janë subjekte në bazë të ligjit. Por pavarësisht nga lloji i veprës penale që ata kryejnë. Por ajo që vërehet nga të dhënat statistikore n.q.s ne e kemi të trashëguar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe nga prokuroritë e tjera të rretheve gjyqësore një numër të caktuar të lartë të çështjeve që lidhen me krimin e organizuar dhe një numër të ulët të çështjeve që lidhin me korrupsionin për këtë vit. Ka ndodhur që ka kapërcyer. Ne kemi regjistruar rreth dy-fishin e çështjeve penale, më shumë për korrupsion sesa në rastet e krimit të organizuar. Kjo, d.m.th, që prioriteti ynë ka qenë që të vlerësojmë sa më shumë kallëzime për korrupsion dhe t’i bëjmë objekt hetimi patjetër.
-A kishte vështirësi SPAK për të hetuar ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla?
Prokurorët e SPAK janë korrektë në raport me ligjin, në raport me provat dhe kanë mbajtur një qëndrim që ju e dini është një qëndrim publik. Do shohim çfarë vendimi do japë gjykata.
– Ka gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë nën hetim?
Kemi filluar hetim edhe për një grup gjyqtarësh, që janë kompetencë e jona, të cilët janë shkarkuar nga vetingu. Është një proces që po vazhdon hetimi.
-Të gjithë ata që janë shkarkuar nga vetingu janë nën hetim?
Jo të gjithë ata që janë shkarkuar nga vetingu, një kategori e caktuar, sepse jo të gjithë ne i kemi në kompetencë. Ne kemi në kompetencë vetëm gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese dhe jo gjyqtarët e shkallëve së tjera.
-Sa është numri në total i të hetuarve dhe për çfarë vepre po hetohen?
Po hetohen për disa vepra penale. Bëhet fjalë për elementë të shpërdorimit të detyrës apo korrupsionit apo element të deklarimit të rremë të pasurisë. Por janë çështje konkrete dhe nuk duhet të futemi në shumë detaje. E rëndësishme është që po hetohen dhe do dalim me një rezultat konkret sa më shpejt që të jetë e mundur.
-Z. Kraja, çfarë panorame ka krimi i organizuar në Shqipëri?
Ajo që kam konstatuar unë në këtë vit është që krimi i organizuar është i ndërthurur shpeshherë edhe me strukturat e administratës shtetërore, të cilat krijojnë suportin dhe mbështesin njëra-tjetrën të dyja palët.
-Administrata shtetërore në njëfarë mënyrë janë ushtarët e krimit të organizuar?
Varet, në disa raste janë në shërbim të tyre, në disa raste i përdorin për nevoja të tyre. Janë mbi bazën e atyre çfarë ne kemi parë gjatë këtij viti dhe më përpara pak a shumë.
-Zyrtarët e korruptuar deri në çfarë nivelesh shkojnë?
Kodi Penal ka një ndarje korrupsioni, sipas subjekteve. Është një dispozitë që përfshin të gjitha kategoritë e nëpunësve zyrtarë, pastaj është një dispozitë tjetër që përfshin zyrtarët e lartë shtetërore dhe të zgjedhurit vendorë dhe ka disa dispozita që përfshin korrupsionin në sistemin e drejtësisë. Ky është klasifikimi i Kodit Penal.
-Sa shqetësues është zyrtari i korruptuar në Shqipëri? Sa shqetësuese është politika e korruptuar në Shqipëri?
Korrupsioni është një fenomen i përhapur. Ka studime, ka pafundësi dhe është pranuar nga të gjitha palët. Ndërtohen strategji, krijohen struktura që, d.m.th, është pranuar se është shqetësues. Kjo sepse deformon gjithçka, sepse e para deformon njeriun nga pikëpamja e sjelljes, e dyta deformon konkurrencën e lirë të biznesit. Nuk mund të funksionojë konkurrenca e lirë, nuk mund të funksionojë biznesi normalisht, ndërkohë që administrata është e korruptuar, marrim një procedurë prokurimi p.sh. Nga ana tjetër ndikon shumë korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Është shumë më negativ korrupsioni në sistemin e drejtësisë, sepse njerëzit kur kanë probleme i drejtohen sistemit të drejtësisë për të zgjidhur ato probleme dhe n.q.s ne do të kemi një sistem drejtësie jo efiçent apo të korruptuar, kuptohet që shumëfishohetn pastaj pasojat e këtyre sjelljeve korruptive.
-Me shumë mundësi, në muajin shkurt BKH do të plotësohet pjesërisht. Do të thotë kjo, që viti 2021 do të jetë një vit i vështirë për të korruptuarit dhe të krimit të organizuar?
Padiskutim. Unë garantoj që më i vështirë se 2020 do të jetë patjetër njëherë. Do të jetë më i vështirë sepse do jetë struktura më e konsoliduar, eksperiencë më e madhe, mundësi më shumë për të punuar, infrastruktura më e mirë dhe më shumë bashkëpunëtorë në kuptimin e homologëve apo të strukturave të tjera të drejtësisë me të cilët punojmë.
-Ndërkombëtarët kanë sjellë dosje për SPAK?
Është e pamundur të luftosh krimin e organizuar sidomos po nuk pate bashkëpunimin me strukturat homologe, me shtete afër, por edhe më larg. Ju e dini, në të gjitha raportet e Bashkimit Europian janë diskutuar vazhdimisht jo kriminaliteti shqiptar në Hollandë, jo në Gjermani, jo në Francë, jo në Itali dhe është bërë problem shqetësues për këto vende. Dhe në raporte është lënë si detyrë herë pas here, që duhet të goditet sepse po krijohen shqetësime. Në këto kushte ka qenë gjithmonë prioritet hyrja në kontakt me përfaqësuesit e tyre. Në takimet e para që unë kam bërë këtu, kam bërë takim me të gjithë përfaqësuesit qoftë të policive apo të strukturave të prokurorisë, se secili ka pika kontakti në Shqipëri, duke vendosur lidhje dhe duke garantuar në seriozitetin e institucionit. Një nga momentet e para që kam bërë ka qenë marrëveshja me Antimafian italiane. Në muajin shkurt të këtij viti në Romë është nënshkruar një marrëveshje midis prokurorisë së posaçme dhe Drejtorisë Antimafia të Italisë dhe rezultatet, ju i keni parë. Kanë qenë shumë shumë konkrete. Jemi në kontakte të vazhdueshme me autoritetet gjermane, autoritetet belge, autoritetet e Holandës, por dhe me të tjerët. Është e domosdoshme pa diskutim sepse vendosja e raporteve të mirëbesimit, garanton që të shkëmbehet informacion dhe garanton pastaj që në kohën e duhur të goditen edhe strukturat kriminale.
-Është bërë publike se SPAK i janë dorëzuar kallëzime të tilla si çështja e teatrit, padia e presidentit ndaj ministres së Drejtësisë, çështja e sterilizimit, kallëzimi ndaj ministrit të Brendshëm, hetimit për privatizimin e ish-kompleksit sportiv të Partizanit apo ndaj Ervin Bushatit. A është ndonjëra prej këtyre çështjeve dhe mund të konsiderohet ndonjëra si “çelësi” që do të zbërthejë korrupsionin?
Këto janë të gjitha rastet që janë nën hetim, janë procedime penale. Prokurorët janë duke kryer veprime, kërkojnë kohën e duhur. Keni parasysh që bëhet fjalë, ku vendimmarrja ka përfshirë shumë faktorë, ka përfshirë shumë procedura që duhet vlerësuar, duhet verifikuar dhe duhet vendosur pastaj nëse ka patur apo jo shkelje ligjore. P.sh, unë nuk mund të them konkretisht për asgjë, për asnjërën prej tyre, nëse është apo nuk është “çelësi” i suksesit, por ajo që unë iu garantoj është që të gjithë prokurorët janë shumë seriozë, me atë që kanë në këtë rast për t’i sqaruar deri në fund se çfarë ka ndodhur dhe pastaj për të vendosur në lidhje nëse ka apo jo përgjegjësi penale kushdo që të jetë.
-Cili do të jetë sekreti i SPAK për ta goditur korrupsionin?
Strategjia padiskutim është sa më shumë bashkëpunim me të gjitha strukturat, sa më shumë vlerësim të informacioneve që vijnë nga publiku dhe qoftë edhe nga media. Ne kemi filluar hetime bazuar edhe mbi publikimet që bën media. Do mundohemi t’i shfrytëzojmë të gjitha burimet e mundshme të informacionit. Sa më shumë informacion të kesh, aq më shumë ke mundësi për të përzgjedhur në rastet kur duhet të përfshihesh dhe kur duhet të hetosh, që të dalin edhe rastet e suksesshme. E rëndësishme tek korrupsioni është hetimi proaktiv, që do të thotë të hetosh bashkë me ngjarjen, të arrish të mbledhësh prova në kohën e duhur dhe të godasësh në kohën e duhur. Për ngjarjet që kanë ndodhur është pak më e vështirë t’i rikthehesh, të bësh hetimin historik për të provuar elementët e korrupsionit apo situata të tilla. Kështu që strategjia jonë është padiskutim të jemi më proaktivë.
-Veç pritshmërive ka pasur edhe kritika ndaj SPAK-ut, gjatë këtij viti, sa u takon disa pretencave për shtetas të akuzuar për korrupsion në vlera të vogla monetare nga 50 euro në 5 mijë lekë të reja apo dhe shpallje moskompetencash për çështje të tjera që ishin nën hetimin e Krimeve të
Rënda dhe SPAK-u ua delegoi rretheve. Po zhvillohen diskutime apo SPAK, do të jetë i vendosur edhe për korrupsionin me vlerë 5 mijë lekë të reja?
Ligji ka një problematikë, në kuptimin e kompetencës sepse ka përdorur dy standarde: Kodi i Procedurës Penale ku është përcaktuar kompetenca për prokurorinë e posaçme dhe gjykatën kuptohet, sepse në fushën e krimit të organizuar ka mbajtur kompetencën në nivel të grupit të strukturuar apo organizatat kriminale dhe rastet individuale nuk ia ka lënë kompetencë SPAK-ut. Ndërkohë tek korrupsioni është mbajtur një standard tjetër, të gjitha llojet e korrupsionit me përjashtim të korrupsionit në sektorin privat janë kompetencë e SPAK-ut, që d.m.th që edhe një 500 lekësh që një qytetar i jep policit është një vepër penale, e cila është në kompetencën e SPAK-ut. Duhet ta keni parasysh që ligji penal shqiptar, nuk njeh të drejtën apo mundësinë e prokurorit apo gjykatës për të shmangur një hetim për mungesë të rrezikshmërisë siç është rasti i shumave të tilla. Hetimi dhe gjykimi është i detyrueshëm. Çfarë do të thotë kjo? Për çdo prokuror të SPAK-ut është detyrim ligjor që këto raste t’i hetojë, është kompetenca jonë. Ne nuk kemi bërë asnjë rast publik, njoftime të tilla, sepse nuk ka as peshë dhe as rëndësi. Janë përdorur nga gazetarët, janë përdorur herë pas here njoftime për të dhënë imazhe. Megjithatë ne na kanë ndihmuar. Na ka ndihmuar sepse është krijuar kjo problematikë dhe po diskutohet pa diskutim nëpërmjet tavolina me grupet e punës, të shikohet mundësia që të kufizohet pak kompetenca. Megjithatë duhet të jetë shumë e studiuar, duke marrë edhe mendimin e partnerëve ndërkombëtarë, të gjithë faktorëve kur kanë qenë të përfshirë, kur është miratuar ligji për SPAK-un dhe kur është miratuar kompetenca e SPAK-ut. Megjithatë kjo problematikë na ka penguar këtë vit .