Nga Xhevdet Shehu
1.
Duke ndjekur me vëmendje shtypin e sotëm, një sërë emisionesh dhe debatesh televizive e, mbi të gjitha letërsinë e bollshme publicistike të botuar pas përmbysjes së regjimit komunist, të krijohet gjithnjë e më fortë bindja se aksioma aq shumë e përhapur dhe tepër e moçme se “Historinë e shkruajnë fitimtarët”, nuk është plotësisht e saktë. Duket se ka ndryshuar diçka thelbësore në kuptimin e saj, një ndryshim që ka të bëjë me realitetin e ri historik që jetojmë.
Në një shoqëri të hapur dhe demokratike, si kjo që mëtojmë të ndërtojmë në vendin tonë pas vitit 1990, kanë ndodhur përmbysje dhe zhvillime të habitshme në rrafshin shoqëror dhe politik, por edhe në koncepte, në sjelljen tonë në raport me kohën, me njerëzit, me të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen. Ka ndryshuar për shembull, koncepti për luftën, për pasojë dhe ai i fitimtarit dhe të mundurit. Fitimtari i dikurshëm, pasi e mundte kundërshtarin në luftën me shpata, topuzë, pushkë e mitraloza, më pas ngjitej në Olimp dhe e quante veten Zeus, të plotfuqishëm dhe të përjetshëm. Pastaj ulej dhe e shkruante historinë si t’ia donte qejfi, ku përpiqej ta denigronte sa të ishte e mundur më shumë palën tjetër, madje ta groposte sa më thellë dhe të shuante çdo gjurmë të armikut apo armiqve të mundur, duke mbjellë vetëm urrejtje e përbuzje për ta. Kujtoni për shembull, si retushoheshin dikur fotografitë, sa me lehtësi burgoseshin e u priteshin kokat armiqve, si u dhunoheshin dhe zhdukeshin edhe varret, si portretizoheshin të deklasuarit, të ashtquajturit klasa të përmbysura në gazeta dhe letërsi, etj.
Mirëpo fitimtari i sotëm është ndryshe, sikurse është ndryshe edhe i munduri. Në një shoqëri demokratike nocioni i fitimtarit dhe të mundurit është relativ dhe i përkohshëm. Pikësëpari, nuk ka më fitimtarë të përjetshëm dhe, anasjelltas, as të mundur të përjetshëm. Pastaj, kemi kundërshtarë politikë, por jo armiq. Ata ia lënë vendin paqësisht njëri-tjetrit në pushtet sipas votave që u jep populli sa herë bëhen zgjedhje, ndërsa shfaqjet e dhunës dhe të denigrimit të kundërshtarit kritikohen si antidemokratike. Për pasojë ka ndryshuar edhe sjellja me historinë. Ajo nuk mund të shkruhet sipas qejfit të njërës palë në dëm të tjetrës. Ky është padyshim një zhvillim i madh në tërësinë e zhvillimeve pozitive që kanë ndodhur në shoqërinë tonë…
Një rol të madh emancipues në këto zhvillime pa dyshim kanë luajtur dhe luajnë gazetarët dhe shkrimtarët. Përpara se politikanët e ardhshëm të ngjiteshin në tribuna apo të merrnin pushtetin në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, ishin shkrimtarët dhe gazetarët që e përgatitën opinionin për ndryshimet që po ndodhnin. Kujtoni se demonstruesit e parë antikomunistë mbanin në duar portrete shkrimtarësh dhe jo politikanësh… (Këtu ka buruar mbase dhe dëshira që kanë qytetarët tanë për të parë sa më shumë njerëz të letrave që të merren me politikë, por nga ata që nuk e humbasin dashurinë dhe respektin ndaj fjalës së shkruar dhe që nuk i tradhtojnë idealet e lirisë dhe të qytetarisë…).
Ata pra, shkrimtarët dhe gazetarët janë dëshmitarët autentikë të asaj që ndodh përditë midis nesh, janë kronikanët që fiksojnë historinë. Janë ata që përballen me historinë, e jetojnë dhe, me guximin që i karakterizon, shpesh nxitojnë ta përshkruajnë të parët atë. Dhe gazetarët e shkrimtarët e vërtetë, me kulturën dhe formimin që kanë, me sjelljen dhe respektin që manifestojnë ndaj fjalës së shkruar, nuk mund të tallen me historinë, nuk mund të lejojnë që ajo të përbaltet, të deformohet apo, për më tepër, të fshihet, të zhbëhet. Historianët profesionistë pa këtë lëndë të parë dhe të begatshme që u japin me bujari gazetarët dhe shkrimtarët do ta kishin të vështirë ta shkruanin me vërtetësi dhe objektivitet historinë…
2.
Në fillim të viteve ’90 bëri një jehonë të jashtëzakonshme botimi i librit “Nga një dhjetor në tjetrin” i shkrimtarit Ismail Kadare. Libri u botua njëherësh në shqip dhe frëngjisht në Francë, në vendin ku kishte kërkuar strehim politik shkrimtari ynë i shquar. Ishte viti 1991, diktatura komuniste ishte dobësuar por nuk kishte rënë ende, kështu që libri hyri në një numër të kufizuar kopjesh në Shqipëri. Por ky fakt nuk e pengoi atë libër të zgjonte aq shumë interesim dhe të lexohej masivisht, duke u shumëfishuar me fotokopje dhe të qarkullonte dorë më dorë ndër bashkatdhetarët e shkrimtarit. Ai libër me vlera të mirëfillta shoqërore, politike dhe artistike, analizonte me mprehtësi, drejtpërdrejtë dhe nga një këndshikim origjinal fundin e diktaturës komuniste, paraqiste si të thuash një tablo të përmbysur të propagandës politike zyrtare dhe të zhvillimeve të deriatëhershme, por në të njëjtën kohë edhe hidhte dritë në perspektivën e ngjarjeve të pritshme në Shqipëri.
Mirëpo, përveç interesimit që ka ngjalluar gjithnjë botimi i veprave të Kadaresë, duke e përjetuar botimin e tyre si ngjarje të rëndësishme për jetën kulturore të vendit, në këtë rast libri “Nga një dhjetor në tjetrin” (së toku edhe me veprën pasuese “Pesha e kryqit” të të njëjtit autor) shpërfaqi edhe një dukuri tjetër: një lloj i ri letërsie po/do të lulëzonte në Shqipëri, letërsia publicistike. Dhe mbi të gjitha: Historia e shkruar gabim mund dhe duhej të rishkruhej duke e pasuruar me elementët e munguar, me emrat e denigruar e të harruar. Por kurrsesi për ta zhbërë.
Ishte thyer kështu një tabu! Po rikthehej vrullshëm një letërsi gati e harruar.
Se ja, u botuan kujtimet e Petro Markos dhjetë vjet pas vdekjes së autorit të tyre, të përmbledhura në veprën “Retë dhe gurët” (Intervistë me vetveten) dhe përshtypja qe e jashtëzakonshme: Kjo është jo vetëm nga veprat më të mira të Petro Markos, por edhe ndër më të mirat e letërsisë sonë, thanë studiuesit që ranë në “hall” se si ta emërtonin: që ishte publicistikë, kjo dukej hapur. Por që ishte edhe romani i jetës së autorit, pra një vepër e mirëfilltë artistike, edhe kjo qëndronte. Po edhe histori ta klasifikoje, nuk bëje asnjë gabim, sepse aty, tok me jetën e autorit parakalonte historia shungulluese, tragjike dhe e thiktë e Shqipërisë së shekullit XX.
Sidoqoftë, “Retë dhe gurët” mbetet një xhevahir në kurorën e publicistikës shqiptare. Sepse Petro Marko, sikurse ishte një shkrimtar i jashtëzakonshëm, ishte dhe një publicist i shkëlqyer. Ndaj dhe te Petroja shkrimtari dhe publicisti janë një.
3.
Kështu pra, nëse deri në fillim të viteve ’90 letërsia publicistike mund të quhej thuajse e atrofizuar, përderisa gjithçka ishte nën këqyrjen dhe censurën e rreptë të partisë-shtet, tashmë analiza, sprova, refleksione, kujtime dhe shënime për jetën politike të vendit mund të shkruante e botonte kushdo. Kjo letërsi premtonte shumë, përderisa në të u angazhuan shkrimtarë, gazetarë dhe krijues të tjerë nga më të shquarit e vendit.
Dhe është fakt se vitet e fundit vërehet një zhvillim i habitshëm i letërsisë publicistike. Janë shkruar e shkruhen libra për fillimet e demokracisë, për vitin e mbrapshtë 1997, për ardhjen në pushtet të opozitës antikomuniste dhe rënien e saj, për luftën e Kosovës, për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, për Çamërinë, për marrëdhëniet me fqinjët në rajon e deri me Amerikën, për politikat e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë, për emigracionin etj., etj. Dhe më tej, janë botuar me sukses refleksione për diktaturën komuniste, janë botuar kujtime të ish-të burgosurve të ndërgjegjes si dhe të mjaft figurave të anatemuara, janë botuar esé dhe studime shumë interesante që na kanë dhënë një tablo tjetër, shumëngjyrëshe dhe më të plotë të historisë sonë. Po ndërkohë janë bërë filma dokumentarë tronditës dhe janë realizuar emisione mjaft të suksesshme si ato për figurat e Ahmet Zogut, Enver Hoxhës, eliminimin e Mehmet Shehut, Princ Vidin, për pushtimin e Shqipërisë më 7 prill 1939, për Luftën Antifashiste etj., etj.
Duke lexuar këtë lloj letërsie, bindesh se ajo ka qenë, është dhe do të mbetet një burim dhe ushqim i pazëvendësueshëm për shkrimin me objektivitet të historisë. Letërsia publicistike në të gjitha format e saj i jep shpirt historisë, i jep ngjyra, freski dhe bukuri. Pa të historia do të ishte anemike, e zbehtë, e mërzitshme, e gjymtë.
Të gjitha këto tregojnë se është kthyer në domosdoshmëri nevoja e rigjykimit dhe rishkrimit me objektivitet të historisë. Edhe historia e letërsisë e ndjen këtë nevojë ndaj dhe studiues, estetë e kritikë kanë filluar të merren seriozisht me këtë punë. Libri i Prof. Alfred Uçit për pesë autorë të shquar të traditës sonë në optikën e një rivlerësimi është mirëpritur bash për këtë arësye…
4.
Po kështu ka ngjarë në të vërtetë në të gjitha kohët…
Shumë interesim dhe diskutime ka ngjallur vitet e fundit, fjala vjen, botimi i kujtimeve të Eqerem Bej Vlorës. Ndonëse referencat e tij historike i përkasin një periudhe të hershme të rreth një shekulli e ca më parë, kujtimet e këtij personaliteti të shquar u vlerësuan menjëherë si të çmuara për një rivlerësim dhe rishkrim të historisë së Shqipërisë. Po ndërkohë kanë dalë në dritë edhe mjaft libra të tjera me vlerë, si për fillimet e pavarësisë së shtetit shqiptar, për periudhën e mbretërisë, atë të luftës antifashiste dhe ngjarje të tjera kulmore të historisë sonë.
Gjatë këtyre viteve kanë vazhduar të shkruajnë e të botojnë lirshëm kujtime edhe ish-udhëheqës e protagonistë të spikatur të diktaturës komuniste, që mbrojnë idetë dhe regjimin që udhëhoqën dhe që pati një fund të mjerueshëm. Sepse pavarësisht nga sjellja e tyre në të kaluarën ndaj lirisë së ndërgjegjjes, kur qoftë dhe për një mendim apo fjalë të dyshimtë të hidheshin hekurat dhe përfundoje në burg, koha që po jetojmë i lejon edhe ata të shkruajnë e të botojnë lirshëm.
Po ndërkaq kanë parë dritën e botimit një sërë librash me vlerë të personaliteteve të shquara, deri dje të ndaluar, anatemuar e mallkuar keqas nga diktatura komuniste. Janë botuar libra të Mit’hat Frashërit, të Isuf Luzajt, të Sejfi Vllamasit, të Ismet Totos, të Branko Merxhanit, të Tajar Zavalanit e të sa e sa të tjerëve që janë përshëndetur dhe përcjellë me entuziazëm nga lexuesit tanë.
Periudhës së viteve 1910-1920 i përkasin, për shembull, librat e Mit’hat Frashërit “Çështja e Epirit”, “Shqiptarë dhe sllavë” si dhe “Mbresa udhëtimesh”, por distanca gati njëshekullore nuk i pengoi ato të lexohen me ëndje dhe të vlerësohen për objektivitetin dhe mesazhet atdhetare që mbartin dhe rrezatojnë në çdo faqe të tyre, pavarësisht se në vitet e fundit të jetës së tij veprimtaria politike e Mit’hatit, si kryetar i Ballit Kombëtar kolaboracionist gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe veprimtaria e tij në emigrim pas luftës është më së shumti e errët, e dyshimtë, madje e kundërt me ato që ai vetë kishte shkruar gjatë jetës së tij.
E, një shekull më parë Mit’hati shkruante kështu ndër të tjera në një nga shënimet e tij të udhëtimeve nëpër Europë: Në vendet që kanë zënë udhën e gjallimit dhe të përparimit, nuk sheh njeri pa punë, nuk sheh njeri të dergjet nëpër kafene ose të rrijë këmbëkryq me çibuk dhe me filxhan kafeje në dorë. Këtu s’gjen njeri pa punë; në Shqipëri s’gjen njeri me punë ose janë aq të rrallë sa nuk i sheh dot.
Po kështu pas rreth shtatë dekadash u (ri)botuan krijimet e njërit prej publicistëve më të shquar të viteve ’30, Ismet Totos, duke patur një freski e shkëlqim të habitshëm edhe për Shqipërinë e shekullit XXI. Ja, të citojmë diçka sa për ilustrim nga proza publicistike e Ismet Totos e përmbledhur në vëllimin “Bota e një djali kryengritës” (Tiranë, 1997): “Shqipëria jonë, s’mund të përparojë e të qytetërohet, nuk mund të bëhet një shtet oksidental, duke pasur në krye të punëve të ndryshme shtetërore e shoqërore njerëz me mentalitete të ndryshkura, njerëz të gatuar në klimat e ndyta të së shkuarës tonë orientale”.
Kështu shkruante Ismet Toto në vitin 1933, kur ishte vetëm 25 vjeç. Ndërsa, më 1937, një orë para se ta varnin në litar në burgun e Gjirokastrës, Ismet Toto shkroi një prozë poetike të denjë për antologjitë me krijimtari të zgjedhur të letërsisë sonë. Ajo prozë përfundonte me këto fjalë: “Sulmova jetën dhe më pushtoi vdekja… Edhe sot vazhdoj të rroj duke menduar… Sa je gjallë digju dhe, nëpër ato djegie lësho dritë dhe ngrohtësi. Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen”.
Ky Migjen i publicistikës sonë ishte 29 vjeç kur e mbylli kapitullin e jetës dhe të krijimtarisë së tij.
Qoftë edhe duke iu referuar shembullit të krijimtarisë së autorëve Mit’hat Frashëri dhe Ismet Toto mund të nxirren disa përfundime për “sekretet” e suksesit të kësaj letërsie. Dhe një nga sekretet e suksesit të kësaj letërsie mendoj se është padyshim vërtetësia dhe fryma progresiste e tyre. Mirëpo këto do të ishin të pamjaftueshme po t’u mungonte talenti dhe kultura e autorëve të tyre, po t’u mungonte guximi krijues.
5.
Ndërkohë sot kemi jo vetëm zhvillimin e kësaj letërsie, por është fakt se ajo është më e pëlqyeshmja, më e diskutuara në qarqet intelektuale, krijuese, politike dhe shoqërore të vendit. Ky interesim lidhet me faktin se letërsia publicistike pasqyron një realitet politik të caktuar të shkuar ose të tashmë, si dhe për shkak të interesimit ende të madh të shqiptarëve për politikën. Zhvillimi i kësaj letërsie mendoj se përbën një dukuri mjaft pozitive për shoqërinë tonë në kohën e sotme. Kjo periudhë pavarësisht nga një sërë mbrapshtish që e kanë shoqëruar, mund të konsiderohet si një rilindje e vërtetë kombëtare, e mbushur me shumë përpjekje dhe aspirata qytetëruese. Si e tillë, ajo është e mbushur me shumë zhvillime dhe ngjarje që janë përshkruar e përshkruhen nëpër libra që i përkasin letërsisë publicistike e dokumentare për të cilën po flasim. Botimi i tyre tregon se gazetaria e përditshme duket e pamjaftueshme për përshkrimin dhe analizën e plotë të saj.
Por letërsia publicistike aq e bukur dhe interesante, ka edhe kurthet e saj. Ka kornizat kufizuese të saj. Ajo nuk të lë të lëshohesh në një fantazi të shfrenuar dhe përshkrime imagjinare, sikurse ndodh në letërsinë tjetër që quhet fiction. Ngjarjet aty janë reale, konkrete, ndërsa personazhet më së shumti janë njerëz të gjallë dhe bashkëkohës të autorit dhe të lexuesve. Me ta ne takohemi përditë në rrugë apo i dëgjojmë në radio dhe i shohim në TV, sepse ata janë deputetë, ministra, kryeministra, presidentë, intelektualë, janë njerëz publikë që i njohin shumë njerëz, u njohin temperamentin, qëndrimet, deklaratat që bëjnë, gjestet dhe veset. Ndaj autori është i detyruar t’i përshkruajë personazhet e tij historikë sikurse janë në të vërtetë, ndryshe do të tingëllojë i pabesueshëm.
Sidoqoftë le të rikthehemi te vitet ’90, te periudha e tranzicionit postkomunist, për të cilën kanë shkruar shkruar dhe vazhdojnë të shkruajnë autorë të ndryshëm. Për pasojë, letërsia publicistike ka njohur gjatë këtyre viteve një prurje të paparë. Unë e quaj të gëzueshëm faktin që për këtë periudhë të rëndësishme dhe shumë problematike janë shkruar dhe botuar me shpejtësi shumë libra në Shqipëri dhe në vende të tjera. Secili nga këta libra është i ndryshëm nga të tjerët dhe si të tillë janë interesantë, pavarësisht nga kontestimet që mund të bëhen nga një palë ose një tjetër.
Është një periudhë nga më interesantet e historisë sonë si komb kjo që po jetojmë, mjaft e ngjeshur dhe e larmishme me ngjarje të bukura dhe dramatike, me të papritura dhe me plot shpresa, me kreshta dhe hapësira të jashtëzakonshme për të shkruar… Kjo periudhë duhet gjykuar dhe analizuar paanshmërisht. Puna nëpër gazeta apo media të ndryshme u jep dorë autorëve të ndryshëm të krijojnë vepra dinjitoze që mund të mbeten pika referimi për studiuesit në kohë të ndryshme.
Mirëpo jo të gjithë librat e botuar për këtë periudhë janë të vlershëm. Dhe këtu nxjerr krye dukuria e dëmshme e partishmërisë, e anshmërisë, e subjektivitetit nga e cila vuan jo pak gazetaria e sotme. Nga moria e librave të shkruar e botuar gjatë këtyre viteve për historinë postkomuniste të Shqipërisë po veçoj disa tituj që i konsideroj si më të mirët: “Shqipëria, rrënjët e krizës” të italianit Roberto Morozzo della Rocca, “Shqipëria, nga anarkia te një identitet ballkanik” si dhe “Çështja Shqiptare – Riformësimi i Ballkanit” të historianëve anglezë James Pettifer dhe Miranda Vickers. Këto libra të shkruar nga autorë të huaj të interesuar por edhe dashamirës të Shqipërisë, dallohen për vërtetësi dhe realizëm në trajtimin e historisë sonë të kësaj periudhe.
Një autor serioz kur ulet për të shkruar një vepër serioze sidomos për aktualitetin, duket se fillimisht i bën këtë pyetje vetes: Si do të tingëllojë kjo që po shkruaj pas dhjetë vjetësh? Po pas 30 vjetësh? Po pas një shekulli?
Sepse KOHA është gjykatësja më e rreptë dhe e pamëshirshme e kësaj letërsie.
Dhe një vepër që nuk synon jetëgjatësinë përtej kohës që shkruhet, nuk mund të quhet vepër. Sepse edhe në kohën e Faik Konicës e Ismet Totos kanë shkruar edhe plot të tjerë, por të paktë janë ata që kanë mbetur e kujtohen.
E të mos na vijë keq të përsëritim këtu se edhe nga gazetaria e sotme, nga artikujt e pafundmë që shkruhen dhe që një pjesë e tyre kontestohen sapo shohin dritën e botimit apo të publikimit, shumë do të harrohen e nuk kanë për t’u përmendur në burimet e historisë për arsyen e thjeshtë se janë shkruar nga grafomanë të paskrupullt, nga militantë të pandreqshëm, pra janë shkruar pa vërtetësi dhe me pasione të dëmshme, sipas koniunkturave të ditës. Autorët e tyre, qoftë edhe kur janë shkrimtarë, kanë harruar rolin që kanë përballë historisë, kanë humbur respektin për të.
Ndaj dhe historia hakmerret duke i anashkaluar.
Shumë artikull i mënçëm.
Bravo Xhevdet.