Nga Mero Baze
Kam dëgjuar shpesh javët e fundit që disa emra të njohur të PD-së së Berishës, të vendosur në siklet nga procesi i diferencimit që Berisha po bën brenda PD, nën moton “ose me mua, ose me Salianjin”, të dalin e të thonë që lëvizja e Salianjit “nuk është në kohën e duhur”.
Madje dëgjova dhe Genc Pollon ta thoshte këtë dhe mu duk fundi I botës.
Tani e kuptoj që është një lloj sikleti kur je brenda PD-së së Berishës dhe të kërkojnë të sulmosh Salianjin me akuza të tipit “mitingjet i organizon Suel Çela”, pastaj Roland Bejko, pastaj Benet Beci e kështu me radhë. Por kur nuk ta kërkojnë këtë, nuk ke pse thua budallallëqe.
Kjo ideja që “lëvizja e Salianjit nuk është në kohën e duhur”, nuk të shpëton nga situata. Çfarë ka kundër kohës lëvizja e Salianjit?
PD është në mandatin e katërt në opozitë, me një 82-vjeçar të korruptuar, non grata, dhe me një rreth kriminal ende në këmbë, të ushqyer dhe nga korrupsioni i socialistëve. Është shumë normale që opozita të kërkojë të vijë në pushtet, por me këtë garniturë në krye të saj, nuk ka asnjë shans, as kombëtar, as ndërkombëtar. Atëherë ndryshimi i lidershipit të PD-së do të ishte në këto kushte e vetmja shpresë për të ardhur në pushtet. Ta shtysh në kohë këtë ndryshim, do të thotë ta shtysh në kohë rrëzimin e pushtetit socialist dhe t’i japësh atij mundësi të rigjenerohet.
Lëvizja e Salianjit është një lëvizje e vonuar për PD, ose më mirë të themi: pason shumë lëvizje të dështuara për ndryshim në PD. Të gjitha, kur kanë nisur, u është thënë e njëjta gjë: “Jo tani, se kemi armikun përballë”. Opozita gjithmonë do të ketë një armik përballë, por nëse nuk ndryshon dot veten, nuk ka si ta ndryshojë Shqipërinë.
Duke qenë lëvizje e vonuar, lëvizja e Salianjit duhet ndihmuar të shpejtohet, jo të shtyhet në kohë, pasi çdo shtyrje në kohë e bën edhe më të madhe diferencën mes pushtetit dhe opozitës.
Turrja e gjithë lakejve të Berishës për ta anatemuar atë dhe pastaj dalja e këtyre të moderuarve që thonë se “nuk është në kohën e duhur”, është rruga më vdekjeprurëse për opozitën në këto kohë të arta për të. Domethënë: në një klimë të mbushur me akuza por edhe fakte për korrupsionin e pushtetit, shqiptarët duhet t’i hedhin sytë te ata që mund ta ndryshojnë vendin dhe jo te ata që mund ta kthejnë pas në vite.
Të frenosh sot ndryshimin e opozitës, do të thotë t’i bësh nder të njëjtit pushtet, nder që nuk ua bën dot as Suel Çela, as Benet Beci, apo këdo që shpik Berisha si “organizatorë” të tubimeve kundër tij.
E vërteta është se publiku shqiptar ka treguar së paku 10 herë më tepër interes për takimet e Salianjit në raport me ato të Berishës, çka do të thotë se ata e shikojnë si lëvizje të mirëpritur dhe jo të parakohshme.
Dhe arsyeja është se në sallat e tij nuk shkojnë zyrtarë të PD-së që ua kanë sjellë demokratëve në majë të hundës, por shkojnë demokratët e papërfaqësuar, ata që kanë humbur shpresën nga kalçifikimi i strukturave të PD-së. Kjo tregon se ka një opozitë dhe një PD tjetër, më të interesuar për ndryshim, se sa servilët e Berishës.
Meqë Berisha u rikthye me parullën “më të bashkuar, më të fortë”, ai ku ta gjente këtë lëvizje të Salianjit që i sjell opozitës njerëz që nuk i afrohen atij “se vjen era Flamuri dhe Albana”. E kundërta është e vërtetë: beteja kundër Salianjit e bën opozitën më të përçarë dhe më të dobët dhe ky është shërbimi real që I bëhet pushtetit prej Berishës.
Kjo ideja që sa herë dikush ngrihet kundër Berishës, duhet të thuhet “është i nxituar”, është arsyeja kryesore pse Partia Demokratike e ka udhëheqësin 82-vjeçar dhe pa shpresë për pushtet.
Nuk ka gjë më të përjetshme se sa përpjekjet për mbijetesë duke thënë “jemi të përkohshëm”, ndaj nuk duhen hequr.
Berisha ka prej vitit 1991 që është “i përkohshëm” në krye të PD-së, dhe kushdo që e kritikon apo kërkon largimin e tij, shpallet “i parakohshëm”.
E vetmja “kohë e gabuar” për të kërkuar ikjen e Berishës është kur ai të vdesë bashkë me PD-në. Atëherë do t’i turreni të gjithë si fajtorë, por ai s’ju dëgjon më dhe as PD nuk i duhet më askujt.











