Pas nënshkrimit të marrëveshjes pako ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 25 gusht në Bruksel është përfshirë edhe çështja e telekomunikacionit. Qeveria e Kosovës bënë të ditur se Kosova merr kodin telefonik shtetëror 383 nga Organizata ndërkombëtare për telekomunikacion (ITU). Ndërkaq, Austria do të aplikojë në emër të Kosovës për të kërkuar që ITU ta ndaj kodin telefonik Kosovës. Megjithëse, kostot e përgjithshme të shkaktuara deri më tani nga mungesa e kodit telefonik ka arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.
Sipas marrëveshjes, Kosova do të ketë të gjitha të drejtat shtetërore që të administrojë me kodin e vet telefonik sikur gjithë shtetet tjera. Autoriteti rregullator i Kosovës (ARKEP) do të bashkëpunojë me ITU për realizimin e kodit telefonik.
“Tash e tutje Kosova do të ketë vetëm një kod, të gjitha kodet ekzistuese 381, 377, 386 do të kalojnë në kodin 383. Do të shuhen të gjithë operatorët ilegal të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë, për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999”, thuhet në njoftimin për pakon e marrëveshjeve të Brukselit.
Po ashtu thuhet se thirrjet nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas do të jenë thirrje ndërkombëtare. Do të ofrohet një lejim i përkohshëm për një fushë veprimtari të kufizuar për një kompani të re që regjistrohet sipas ligjeve të Kosovës. Nuk do të jetë një operator i tretë mobil në Kosovë, sepse për një gjë të tillë duhet tenderim ndërkombëtar me konkurrencë shumëpalëshe ashtu siç përcaktohet me ligjet e Kosovës.
“Ky lejim i përkohshëm për këtë kompani do të vlejë deri në hapjen e tenderit ndërkombëtar për operatorin e radhës. Do të ketë një marrëveshje roamingu dhe interkoneksioni mes dy shteteve, përkatësisht mes operatorëve të telefonisë mobile të dyja shteteve, për të ulur çmimet e shërbimeve për qytetarët dhe rritjen e të hyrave të përgjithshme për vendin tonë”, thuhet më tej në njoftim.
Me këtë sipas njoftimit, zgjidhen pengesat për kalimin e transmetimit nga ai analog në atë digjital, ku Republikës së Kosovës i hapet rruga për ndarjen e kanaleve në pika të mjaftueshme të transmetimit për mbulim adekuat të tërë territorit të vendit pa pengesa dhe interferime.
“Hapet rruga për arritjen e marrëveshjes teknike për shërbimet postare, Kosova fiton sovranitetin shtetëror në fushën e telekomunikacionit, sepse kodi telefonik e përcakton sovranitetin e sajë ndërkombëtar dhe njohjen e sajë në botë përmes kodit të sajë telefonik”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, kjo marrëveshje hap rrugën e anëtarësimit të Kosovës në ITU. Përfitimet ekonomike janë të mëdha pasi që operatorët në radhë të parë nuk do të jenë të detyruar që të paguajnë kosto të larta financiare, të cilat direkt i atribuohen mungesës së kodit, e që reflektohen edhe në ofrimin e shërbimeve më cilësore dhe më të lira ndaj konsumatorit.









