Nëse të punoni mesatarisht 8 orë në ditë ju duket shumë, atëherë si mendoni për 200 orë të tjera shtesë? Kjo është risia më e re që pritet të sjellë ndryshimi i Kodit të Punës, ku në një nga nenet e tij thuhet se punëdhënësi ka të drejtën të detyrojë punonjësin të punojë deri në 200 orë shtesë në vit. Kjo ngjalli debate edhe në mbledhjen e djeshme në Komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë.
Sipas kryetares së këtij komisioni, Albana Vokshi, ky nen i Kodit të ri shkel hapur të drejtat e punonjësit, ndaj duhet të ndryshohet. Por, sipas zv.ministres së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Gentjana Sula, orët shtesë do të negociohen në momentin e nënshkrimit të kontratës mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, çka do të thotë se do të bihet dakord paraprakisht për numrin e orëve shtesë që do të jetë i detyruar të bëjë një punonjës.
Por, sipas Vokshit, në këtë rast nuk bëhet fjalë për negocim, çka mund të krijojë situata deri në largim nga puna. “Nuk ka negocim, por urdhërim. Punonjësit duhet t’i ofrohet mundësia ‘o bëj punë shtesë, ose refuzoji këto orë’. Por, në këtë formë punonjësi hidhet në rrugë”, u shpreh Vokshi.









