Mimi Kodheli, ministrja e Mbrojtjes në një intervistë në Shih Programin, në TVSH flet për rrezikun e ISIS në botën shqiptare. Rrëfen sfidat e ushtrisë, për buxhetin e superministrisë, përgjigjet nëse ushtarët paguajnë nën dorë për të shkuar me trupat paqeruajtëse. Si anëtare e kryesisësë Partisë Socialiste komenton betejën e brendshmë në forcën e saj politike. Jep vlerësimin e saj për Ben Blushi dhe shpreh simpati për Mimoza Hafizin. Tregon si mbiu në politikën shqiptare Eduard Ndocajt, deputetit kauboj dhe nëse do të ketë zgjedhje brenda Partisë Socialiste.
Enkel Demi – A është e vërtetë që ushtria po shkurtohet?
Mimi Kodheli – Jo, nuk është e vërtetë
E. D. – Ata që duan të ikin jashtë Shqipërisë me mision a paguajnë nën dorë ashtu siç thuhet shpesh nën zë?
Paguanin. Tashmë asnjë nuk paguajnë më. Jam e sigurtë për këtë. Ka ndryshuar si lidershipi ushtarak ashtu dhe ai civil. Unë dhe strukturat përkatëse kemi në vëmendje për të verifikuar çdo informacion, çdo rast korruptiv .
E. D. – Ministres së Mbrojtjes i vjen dhe informacioni i klasifikuar?
I vjen i gjithë informacioni që ka lidhje me Forcat e Armatosura, përfshirë dhe ato të klasifikuara, si dhe i vjen dhe informacioni i klasifikuar ose jo nga NATO.
E. D. – Buxheti i ri a i ka shkurtuar fondet?
Vjet pati një rënie të buxhetit dhe kjo ishte e lidhur më së shumti me transferimin e pagesave të ish-ushtarakëve aty ku janë të gjitha pensionet e tjera, ndaj dhe u quajt rënie e buxhetit. Mua më është kërkuar nga sekretari i mëparshëm i NATO-s që të pastroja buxhetin nga fondet që nuk i përkasin shërbimeve ushtarake. Një ndër gjërat që kërkohet me zë të lartë është heqja e buxhetit të tepërt. Ndërsa për 2016 është rritur buxheti me 12%, do të harxhohet pra rreth 0.92-0.93% e GDP-së për ushtrinë. Pra, nuk ka rënie të buxhetit, por rritje derisa në 2020 të arrijmë në 2% të shpenzimeve të GDP-ë për shërbime militare. E rëndësishme është edhe sesi i shpenzon këto paratë. Deri dje ishin zero investimet e tjera, përveç blerjes së helikoptetrëve. Blerja e “Cougar” ishte një kontratë që u miratua në Kuvend, ku u hodhën 80 milion euro. Me mbarimin e kësaj kontrate tashmë buxheti shpërndahet për investime mes disa forcave të ndryshme. Tashmë për herë të parë Forca jonë e Armatosur ka armë automatike larg kallashnikovëve që kishim deri më tani. Përveç armatimit të lehtë, po blejmë dhe armatim të mesëm, që janë armatim që përdoren nga ushtarët dhe ushtarakët si snajper, mortaja.
E. D. – Si shkon karriera e komandove pasi rikthehen?
Ka një ligj karriere ku është shumë mirë i përcaktuar promovimi i secilit prej ushtarakëve tanë.
E. D. – A janë të siguruar të gjithë ushtarakët shqiptarë?
Ata që janë në mision patjetër. Kanë siguracione të kompanive shqiptare të sigurimit. Primi që paguhet nga shteti për secilin prej tyre është i lartë, ndaj dhe shpërblimi në rast fatkeqësie është i lartë.
E. D. – I keni vizituar komandot?
Unë jam shumë pranishme në repartet ushtarake. Kam vizituar dhe ata që janë jashtë. Kur janë në mision jashtë mund të shkohet dhe papritur. Kam qenë në Kabul, kam vizituar forcat tona ushtarake atje. Është intriguese sesi funksionojnë forcat e NATO-s dhe sesi arrihen të rakordohen të gjithë.
E. D. – Si shpjegohet që forcat shqiptaree nuk kanë humbje?
Nuk janë në skalionin e parë. Janë forca mbështetëse. Rrezikshmëria është e lartë sidoqoftë edhe në këto pozicione. Unë sot prita përfaqqësuesit e kontigjentit që sapo është kthyer nga Afganistani, ishin pjesë e kontigjentit që ruajti aeroportin e Kabulit. Ky aeroport, mos harroni, ka qenë pjesë e sulmeve të vazhdueshme të talebanëve. Por, sot në Afganistan nuk shkohet më për të luftuar, por shkohet për të instruktuar ushtrinë afgane.
E. D. – Ju merrni raporte të përditshme nga komandot tona?
Po. Sot kemi 42 komando në Afganistan, jemi pjesë e dy misioneve me BE në Mali nën komandën e focave gjermane. Kemi në Kosovë rreth 14 përfaqësues, në Bosnje kemi një.
E. D. – Si është kjo puna e ISIS, komandot tona kanë më tepër rrezik nga ISIS apo Al Kaeda?
Ne nuk kemi prezencë me trupa në luftën kundër ISIS-it. Kemi ndihmuar me donacione popullsinë peshmerga për të përballur mësymjen barbare të ISIS që është rrezik për vendet anëtare të NATO-s, është rrezik për vlerat e demokracisë dhe humane. Barbaria e treguar nga këto forca regresive është jashtë logjikës.
E. D. – A është Ballkani burim luftëtarësh për ISIS?
Ballkani përgjithësisht është burim luftëtarësh të huaj për fat të keq. Shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, por edhe qytetarë nga Bosnja dhe Hercegovina i janë bashkuar Shtetit Islamik. Ky numër sidoqoftë është i shumë i vogël po të krahasohen me xhihadistët që rekrutohen në Francë apo Angli. Pjesa e rekrutuar këtu mund të them me bindje se vijnë nga zona të varfëra. Por, ky kontigjent që mund të gënjehet është në vëzhgimin e strukturave shqiptare. Ndahet informacioni jo vetëm mes agjensive ligjzbatuese brenda, por edhe jashtë vendit tonë.
E. D. – A është Shqipëria një pullë e kuqe për hartën e rrezikut?
Jo, nuk jemi, por nëse nuk do të merreshin në vijimësi masa mund të ishim bërë.
E. D. – A e keni parë një shërbim tek “Corriere TV” për trafikun e armëve nga Shqipëria drejt ISIS?
Jo nuk e kam parë që të jem e sinqertë, por kam parë reagimin e ministrit të Brendshëm. Ka shumë që nuk shkruajnë të vërteta, por shkojnë pas titujve dhe scoop-it. A nuk u botua po në një gazetë italine dhe historia e stisur fund e krye e përfaqësisë shqiptare që la samitin dhe shkoi në kazino?!
E. D. – Shqiptarët që janë bashkuar më ISIS janë të indoktrinuar apo janë mercenarë?
Janë të indoktrinuar. Pjesa më e madhe e tyre janë nga zona të varfëra. Shumë institucione fetare kanë abuzuar duke indoktrinuar të rinj 14-18 vjeç. Imamë në Kosovë për shembull kanë patur një rol të tillë. Ata predikonin radikalizëm, prandaj dhe u arrestuan në Kosovë nga policia. Institucionet fetare duhet vetëm të predikojnë atë çka realisht librat e shenjtë mësojnë e kjo nuk është as as dhuna, as lufta e as vrasja.
E. D. – Kur përfundon lufta me ISIS?
Do vazhdojë gjatë besoj, fatkeqësisht. Kjo nuk ka lidhje vetëm me bombardimet e vendqëndrimeve të tyre.
E. D. – Në këto momente që flasim ka një presion mbi Turqinë në lidhje me refugjatët. A mund ta përballojë gjatë këtë situatë Turqia?
Në gjykimin tim Europa u kujtua vonë që të ndihmonte Turqinë për të përballuar fluksin e refugjatëve sirianë në Turqi. Sot, janë mbi dy milionë refugjatë sirianë brenda Turqisë, por kjo po sjell probleme jo vetëm për Turqinë, por edhe për Europën që po paguan çmimin e papërgatitjes së saj për fenomenin e madh të eksodit biblik të sirianëve. Si dhe çmimin e burokracisë së zyrtarëvetë saj që nuk llogaritën si problem as eksodin dhe as ISIS që kur nisën të dy vjet më parë këto histori. Italia e jugut prej vitesh kërkonte që Europa të mund t’i përgjigjej pamundësisë së tyre për t’i sistemuar refugjatët, por nuk u bë asgjë në kohën e duhur. Nëse kriza e refugjatëve do të ishte menaxhuar më kahershëm, sot problemet e Europës do të ishin më të vogla.
E. D. – Është e imunizuar Shqipëria nga aktët terroriste?
Askush dhe asnjë vend nuk është i imunizuar.
E. D. – A kemi kapacitete reagimi?
Po, kemi. Para disa javësh u bë edhe një stërvitje antiterrorizëm me ekspertë amerianë ku djemtë tanë dolën shumë mirë.
E. D. – Sa larg është Kosova nga anëtarësimi në NATO?
Forca e Sigurisë së Kosovës duhet fillimisht të shdërrohet në ushtri. Kosova po i ndjek me rreptësi hapat e saj dhe fazat e përcaktuar nga NATO. Ndihmesë po i jep dhe Shqipëria, por edhe aderimi në struktura rajonale.
E. D. – Qeveria rishikon shumë shpesh buxhetin, kryeministri flet për një Shqipëri që nuk e sheh rëmdom kur del në rrugë, sepse shqiptarët janë të varfër…
Gabon nëse mendon se nuk i dimë problemet e shqiptarëve. Por, të dhënat makroekonomike të Shqipërisë janë pozitive dhe shpresëdhënëse. Rritja ekonomike duhet të shoqërohet me disa të dhëna të tjera. Ka vende të zhvilluara që kanë disafish më shumë se ne borxhin. Në raport me FMN, unë kam qenë partizane e rikthimit të saj, por kthimi i këtij insitucioni duhet të ishte e moderuar. 16 milion euro fatura të papaguara kam gjetur vetëm në Ministrinë e Mbrojtjes. Imagjinoni sa ka qenë borxhi i fshehur nga ish-qeveria. Ne u detyruam sapo erdhëm në pushtet që të merrnim borxh për të shlyer borxhet që gjetëm të paktën tek biznesi. Duhej gjetur një mënyrë për t’i zhbllokuar dhe për t’i kaluar likuiditet edhe kësaj kategorie. Gjetëm mbi 300 milion borxhe vetëm tek biznesi.
E. D. – Ben Blushi po sulmohet me konferenca shtypi nga deputetët e forcës së tij dhe tuaj politike. A keni një koment?
Partitë janë pasqyra të shoqërisë, por unë besoj fort jo vetëm se jam pjesë e kësaj familje, se demokracia e brendshme në PS, diskursi politik, statuti i saj është larg, krahasuar me çdo parti të këtij vendi. Sigurisht, që kjo e bën akoma më të hapur diskutimin politik. Vërej në media se merren me këtë çështje, por nuk vërej që të merren me çëshje të demokracisë së brendshme me Partinë Demokratike, nuk vërej që të merren me skandalet e demokracisë të brendshme që ajo forcë prodhon.
E. D. – Brenda PS flitet për një proces, por ju nuk do të votoni, pse nuk do të ketë garë?
Nuk është me dëshirë, është me rregulla, statut dhe vendime kolegjiale. Çfarë zgjedhjesh duhet të këtë, kur është rikonfirmuar dy herë qeveria përfshirë zgjedhjet vendore?! Në kemi vendosur në Asamble si do të shkojmë në Kongres. Kemi votuar atje. Edhe po pate votuar kundër do i bindesh shumicës. Ky është rregulli.
E. D. – Çfarë është kjo mani për të sulmuar armikun e klasës?
Jo, nuk ka asnjë mani të tillë.
E. D. – Keni një konsideratë për Mimoza Hafizin?
Është një zonjë e jashtëzakonshme, grua e mençuar, majtiste par exelence.
E. D. – A rrëshkiti Hafizi që doli në mbrotje të Blushit?
Ajo nuk doli në mbrojtje të Blushit, por citoi statutin ashtu siç e interpretoi ajo. Unë e respektoj çfarë thotë ajo, por jam e bindur dhe tek opinion im që çdo gjë që ne kemi marrë përsipër vendoset në Kongres.
E. D. – Si ka mundësi që Eduard Ndocaj ka qenë i përfshirë në listat e Lezhës?
Ai ka qenë një djalë që ishte ofruar që të ishte pjesë e diskursit politik, ndaj dhe u pranua krejt dashamirësisht prej nesh në listë.
E. D. – Ai thotë se ka paguar për të hyrë në fushatë…
Për këtë pyesni zotërinë. Personalisht, drejtoja fushatën dhe nuk kam harxhuar asnjë lek. Fushatën në pikëpamjen decorative e mbuloi partia. Ky njeri në fushatën tonë nuk rezulton të ketë paguar, madje dhe pot ë jemi ulur për të pirë një kafe, një herë kam paguar unë, një herë ai.
27.al