Kryediplomati kinez Wang Yi zhvilloi të shtunën dialogun e 28-të strategjik Kinë-Francë me këshilltarin diplomatik të presidentit francez, Emmanuel Bonne, në qytetin Datong të provincës Shanxi të Kinës Veriore.
Wang, zhvilloi diskutime të gjata dhe të thelluara me Bonne mbi forcimin e bashkëpunimit strategjik Kinë-Francë. Të dyja palët arritën një konsensus të gjerë dhe vlerësuan pozitivisht përparimin e arritur nëpërmjet mekanizmit të konsultimeve për tregtinë dhe investimet Kinë-BE.
Kreu i diplomacisë kineze theksoi që dialogu strategjik Kinë-Francë ka shërbyer për të mbështetur diplomacinë në nivel krerësh shteti dhe për të forcuar besimin e ndërsjellë politik. Pala kineze është e gatshme të bashkëpunojë me palën franceze për të zbatuar plotësisht konsensusin e arritur nga të dy krerët e shtetit, për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të marrëdhënieve Kinë-Francë e Kinë-BE, si edhe për të promovuar paqen, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin botëror.
Wang theksoi gjithashtu se Kina është e gatshme të ruajë shkëmbimet e nivelit të lartë me Francën, të zgjerojë dhe forcojë bashkëpunimin në fusha tradicionale, si aviacioni, industria hapësinore dhe energjia bërthamore, si edhe të zhvillojë bashkëpunimin në fushat reja, duke përfshirë prodhimin e përparuar, zhvillimin e gjelbër me emetime të ulëta karboni dhe inteligjencën artificiale. Kina shpreson që Franca do të ofrojë mbështetje politike dhe një mjedis të favorshëm për ndërmarrjet kineze që investojnë dhe zhvillojnë biznes në këtë vend.
Ai shtoi se pala kineze shpreson që pala franceze do të respektojë angazhimin e saj ndaj politikës së një Kine dhe do të mbrojë bazën politike të marrëdhënieve dypalëshe.
Nga ana e tij, Bonne vuri në dukje që Franca është e gatshme të punojë me Kinën për të vazhduar zhvillimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik, të karakterizuar nga respekti i ndërsjellë, miqësia, besimi, qëndrueshmëria dhe dinamizmi. Ai ritheksoi që Franca i përmbahet politikës së një Kine.
Bonne vuri në dukje më tej që pala franceze pret të forcojë shkëmbimet e nivelit të lartë, të zgjerojë shkëmbimet njerëzore e kulturore, si edhe të thellojë bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella në fusha të ndryshme me palën kineze, në të mirë të popujve të të dyja vendeve. Ai shtoi se Franca do të vazhdojë të ofrojë një mjedis biznesi të parashikueshëm për ndërmarrjet kineze.
Bonne vlerësoi pozitivisht nismat globale të Kinës dhe shprehu gatishmërinë e Francës për të forcuar koordinimin shumëpalësh me Kinën.
Wang shprehu shpresën që Franca do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në promovimin e bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella Kinë-BE.
Bonne nga ana e tij theksoi që BE-ja nuk dëshiron një luftë tregtare me Kinën dhe as synon shkëputjen ekonomike prej saj, por është e gatshme të jetë një partnere e besueshme dhe e qëndrueshme e Kinës

