Nga Enkel Demi/
Te filmi “Nëntori i dytë”, një fshatar, ku ka bërë konak Ismail Qemali e pyet Plakun e Vlorës: “Po Evropi ç’thotë Ismail bej?”. Kurse në filmin “Ballë për ballë”, ose më mirë tek “Dimri i madh”, dy lebër, ish-partizanë, vendosin të bëjnë roje me armë natën, se mos na e merrnin sovjetikët bazën e Pasha Limanit. Falë heroizimit të këtyre katundarëve është bërë kjo Shqipëri që kemi sot, kaq e lumtur dhe e begatë, biles bazën e Pasha Limanit na e ka ënda ta kthejmë në vend për të luajtur kumar.
Këto dy episode të realizmit socialist më janë kujtuar këto ditë zhvillimesh politike të gëzueshme, kur po ngjan një proces konvertimi masiv i këshilltarëve bashkiakë të LSI-së në rilindas të vonuar. Pak a shumë si Arifi tek “I teti në bronx”, ose më mirë “Komisari Memo”, që u gënjye nga sofra e Ballit me mish qingji, por pastaj kaloi tek buka me gjizë e partizanëve.
Por, të gjithë këta personazhe që përmenda, përfshirë këtu këshilltarët e sotëm të LSI-së kanë një të përbashkët; mendojnë në mënyrë globale. E dallojnë dy orë larg që rreziku kësaj toke u vjen nga larg, siç ndodhte me Gjergj Elez Alinë e legjendës që përballej me bajlozin e detit. Këshilltarët e LSI-së e kanë kuptuar që duhet të ikin në anën e duhur, sepse partia e tyre, asëll-asëll shefja e tyre, është puqur me Partinë Demokratike dhe Lul’ Bashën që merr jo vetëm para nga Rusia, por tashmë dhe izëm nga Moska. Këtë thanë këshilltarët e Skraparit, këtë thanë këshilltarët e Laçit.
Nuk e di se si rrezikohen politikat e Çorovodës a Laçit nga martesa ruse e Lulit, por kjo tregon edhe një herë më së miri vigjilencën e lartë që ka populli ynë trim vendor apo qendror ndaj rrezikut revizionit sot e imperialist dje. Ndaj, Monika Kryemadhi, nëse ka dy pare mend në kokë, bën mirë t’i heqë spaletat, ta lëshojë Lulin në hallin e tij si tradhëtor e të bëhet rilindase, madje të futet në rresht si gjithë të tjerët, sepse ka nevojë për një dru të shëndoshë riedukues. Me këtë rast, nuk do të përfundojë në kamaren e turpit të historisë së Shqipërisë sonë që tëpkë si në Amerikë po heton burimet ruse të financimit në politikë, me qëllim ushtrimin e ndikimit të Moskës në këtë margaritar botëror që është atdheu ynë i ndritshëm.
Larg o Zot, nëse dikush mendon që pas këtyre këshilltarëve të ndërgjegjshëm gjendet kriza e vërtetë e partive politike shqiptare; fakti që ato kurrë nuk kanë qenë parti ideologjike, por forca që kanë përfshirë vetëm dhe vetëm interesa private, të sahanit si në qendër, ashtu dhe në lokalitet.
Larg o Zot, nëse dikujt i shkon ndër mend që LSI, ashtu si dhe plot parti të tjera, me PD-në në krye, tashmë janë viktima e intrigës ditore të Zotërisë 420. Këto koka të çartura mendojnë që pluralizmi, tashmë janë një tufëz partish, të kthyera në leva që i luan i Madhi fare, si ndodh rëndom në tokën e vëllamit sulltan. Këto janë dokrra!
E vërteta është e qartë si drita e diellit; këshilltarët po ikin, meqë nuk duan të marrin pjesë në një koalicion që është rreshtuar në anën e Traktatit të Varshavës. Ata, mund të jenë në provincë, por e duan NATO-n si buka që hanë. Prandaj, ata bëjnë shumë mirë, sepse patrioti duhet të jetë në anën e prosperitetit, në anën e marrëveshjes së detit, në anën e shtetit multit etnik që ne po e gëzojmë tani, në anën shtetit që kap drogë dhe nuk e trafikon rëndshëm si Luli, me shtetin që bën stadium me kullë dhe kulla me teatër, që ia nxjerr llogaritë gabim FMN-së për PPP-të, që nuk e shpall emergjencën në Shkodër, sepse nuk ka emergjencë, që naftëtarët i lë të lirë të bëjnë lart e poshtë pa kryq leku në xhep, po ashtu dhe minatorët.
Kush tha që këta këshilltarët duan të lyejnë bukën e kalamajve me gjalpë e sheqer? Ata, mor vlla, urrejnë Moskën, Rusinë dhe kopilat e saj si Luli me shokë.