Mbledhja e këshillit Bashkiak të Tiranës është shtyrë për shkaqe ende të paqarta. Në axhendën e diskutimeve në këtë këshill ishte dhe cështja e ndjeshme e parkimeve publike në kryeqytet dhe pagesës për këto të fundit. Sipas burimeve të News 24, këshilltarët e LSI nuk kanë votuar draftin për pagesën që duhet të kryejnë qytetarët për parkingjet publike. Po të njëjtat burime thonë se mbledhja është shtyrë për shkak të këtij drafti pasi përfaqësuesit e LSI në komisionin ekonomik pranë Bashkisë së Tiranës nuk ka pranuar materialin ligjor për parkingjet.
Në një reagim të Kreut të Këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Kryeqytetit, Leonard Olli, tha se edhe qëndrimi opozitës ka qenë kërkues në lidhje me detajet e draftit për parkingjet publike me pagesë. Sipas Ollit, nga Bashkia nuk është dhënë asnjë lloj materiali shpjegues.
“Për fat të keq edhe ne si këshilltarë, jemi po aq të paditur për arsyen e kësaj vonese. Dhe më lejoni që në këtë komunikim, të theksoj se është një situatë e paprecedent. Të hyjnë në sallë këshilltarët dhe për më shumë se 60 minuta të mos kenë asnjë lloj informacioni dhe pastaj tu thuhet se mbledhja do të fillojë në orën 19, kjo është një sjellje plotësisht e papranueshme.”- tha Olli.
Leonard Olli ka kërkuar shtyrjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak, teksa momentalisht, mbledhja e ndërprerë e këshillit është lajmëruar se do të rinisë në orën 19:00.