Miss Iraku ka marrë një telefonatë kërcënuese nga ISIS, të cilët i kanë kërkuar t’i bashkohet Shtetit Islamik, në të kundërt, do ta rrëmbejnë.
Shaymaa Qasim Abdelrahman, 20 vjeç, është shpallur fituesja e parë e kompeticionit të bukurisë pas më shumë se 40 viteve.
Sipas Jerusalem Post, Shaymaa e ka marrë telefonatën menjëherë pas fitores. Organizatorët e konkursit thanë se 20-vjeçarja ishte mjaft e stresuar, por e vendosur ‘për të vazhduar përpara pavarësisht pengesave’.
Mbretëresha e bukurisë që vjen nga qyteti i Kirkuk tha për NBC News: “Dua të provoj që të gruaja irakiane ka vendin e saj në shoqëri, ka të drejtat e saj ashtu si edhe meshkujt. Nuk kam aspak frikë, sepse jam e sigurt se nuk po bëj gjënë e gabuar.”
Shaymaa Abdelrahman nuk është e vetmja konkurente që është kërcënuar nga militantët e ISIS. Fillimisht ishte menduar të merrnin pjesë 200 vajza, por më pak se 10 ishin në finale si pasojë e kërcënimeve me vdekje.
Drejtori i garës së bukurisë, Ahmed Leith, tha se një konkurs i tillë ishte i domosdoshëm për të krijuar normalitet në vend. “Iraku kishte nevojë për këtë”, tha ai. “Situata është delikate këtu dhe donim të festonim ashtu si Lebanoni apo vendet e tjera. Për të patur normalitet.”