Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli,ka reaguar pas deklaratës së presidentit të Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, të drejtuara ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në një shkrim në Facebook, Veseli ka thënë se këto deklarata janë shqetësuese, sepse vijnë nga lideri i një vendi mik, mbështetja e të cilit shtet është dëshmuar në vazhdimësi para dhe gjatë gjithë ekzistencës së shtetit tonë.
“Jemi të befasuar me deklarimet e Presidentit te Republikës së Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan, të drejtuara ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, në një kohë kur institucionet e Republikës së Kosovës po trajtojnë në hollësi veprimet që çuan në arrestimin dhe deportimin nga Kosova në Turqi të gjashtë shtetasve turq.
Këto deklarata janë shqetësuese, sepse vijnë nga lideri i një vendi mik, mbështetja e të cilit shtet është dëshmuar në vazhdimësi para dhe gjatë gjithë ekzistencës së shtetit tonë. Andaj, deklarimet e tilla nuk i kontribuojnë forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit te ndërsjellë, për çka vendi ynë ka qenë dhe është i përkushtuar.
Veprimet e institucioneve të Republikës se Kosovës janë sovrane dhe si të tilla nuk mund t’u nënshtrohen presioneve të jashtme. Në këtë drejtim, edhe marrja në përgjegjësi e bartësve të institucioneve të sigurisë është çështje e brendshme dhe në diskrecion të lidershipit të Kosovës.
Republika e Kosovës do të vazhdojë pa kompromis rrugën e vet evropiane, të forcimit te vlerave perëndimore dhe demokratike, duke ofruar bashkëpunimin e vet me të gjitha ato shtete mike që duan raporte të respektit të ndërsjellë, duke përfshirë edhe Republikën e Turqisë”– ka shkruar Veseli në Facebook.
Lidhur me këto kërcënime drejtuar kreut të ekzekutivit nuk ka reaguar ende qeveria e Kosovës.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, të shtunën kërcënoi kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, për shkak të qëndrimit të tij kundër deportimit të shtetasve turq.
Madje, Erdogan gjatë një tubimi të Partisë Zhvillim dhe Drejtësi ka thënë se Haradinaj “do të paguajë” për këto veprime. Koha










