Ai njihet për shpirtin e tij rebel, dhe nuk mund të ishte ndryshe as në këtë edicion të “Këngës Magjike”. Kantautori i njohur Endri Prifti, i cili rrëmbeu çmimin “Best Kontributi në Vite” me këngën me titull “Për ty”, shkaktoi zhurmën e radhës në postfestival, pas një komenti që kishte postuar në rrjetet sociale, ku shprehej kundër pjesëmarrjes në këtë festival të një kënge si ajo “Mirëmëngjes dashni”. Se pse ishin kundër ata e shtjelluan në programin e “E diela shqiptare”, ndërkohë që në këtë intervistë të parë për gazetën “Panorama”, Endri rrëfen detaje të tjera të pathëna…
Dy vëllezërit korçarë ishin qendra e diskutimit të “Këngës Magjike”. Çfarë ju motivon të merrni pjesë ende në gara mes kolegësh?
Nisur nga fakti se shumë gazetarë kanë dashur të dinë më shumë nga unë për “Këngën Magjike”, po e jap këtë intervistë për ju. Si fillim, arsyeja pse marrim pjesë në festivale është për faktin që të jemi sa më pranë publikut, që do të thotë se nuk shkojmë atje për çmim. E them këtë nisur nga disa fjalë që u hodhën nga disa (që nuk e di si t’i emërtoj), e që thanë se “kështu bëni ju kur vjen puna e çmimeve”.
Absolutisht jo, por të vërtetën ne do ta themi, sepse nuk jemi si të tjerët, që varen nga të tjerët dhe nuk flasin fare për atë që i shqetëson. Para çmimeve unë akuzova edhe regjinë e festivalit, që po të nisesh që e bëra për çmim, të gjithë e dini se vetëm veten dëmtojmë në këtë mënyrë lidhur me çmimet, por jo të vërtetën tonë. Pra vetëm nga kjo nisuni, që ne nuk jemi ata që ngremë zërin për çmimet, por për një të drejtë të vërtetë për të gjithë, jo si të tjerët, që s’dinë si e si të bëjnë lobingjet për të marrë sa më shumë pikë.
Kujt i referoheni kur thoni “të tjerët”?
E kam për kompozitorët që kanë te ky festival nga 7 këngë, dikush tjetër 8 këngë, dikush tjetër 10 etj. Ja pra pabarazia e një festivali. Si mund të konkurrojnë në mënyrë të barabartë, kur një produksion ka vetëm një këngë (në rastin konkret unë dhe Stefi) dhe të tjerë mbase me një produksion që ka 10 këngë? Pra kjo është një çudi, që vetëm këtu mund të ndodhë. Aty janë dy kompozitorë që kanë gjysmën e festivalit, siç doli dhe konkretisht, 6 vendet e para i morën ata, deri sa erdhi radha jonë 7. Si mund të quhet ky një festival i barabartë. Pra mua nuk më shqetëson vendi në të cilin dolëm, po më shqetëson ironia dhe intrigat që thuren aty për javën që zhvillohet ky festival. Mua më shqetëson tek ata, pikërisht ajo çfarë janë. Më mirë ta them… e dini atë shprehjen: “Këta të vrasin natën e të qajnë ditën”.
Mund të përmendësh një nga intrigat?
Po ju them një ndër dhjetëra intriga, që na ndodhnin gjatë atyre ditëve. Për shembull, Rozana Radi. Kemi bërë së bashku mbi 5 bashkëpunime shumë të suksesshme, kemi ngrenë e kemi pirë bashkë, kemi qarë halle e kemi ndarë shumë gëzime së bashku. Mund të më thoni si mund të na japë ne 0 pikë, dhe pastaj të thotë kam harruar, kujtoni se kështu është vërtet? Jo. Ja kjo intrigë nuk më pëlqen mua në këtë vend e këtë dua ta luftoj. Unë dua pastërti, vërtetësi, çiltërsi dhe buzëqeshje të vërtetë. Ka shumë këngëtarë që s’kanë forcën të vënë lapsin për asnjë pikë, por ua marrin fletën e votimeve, dhe i vendosin pikët kompozitorët, e këtë ma thanë vetë disa këngëtarë. Ky është festivali me këtë lloj vlerësimi. E papranueshme, një lojë bixhozi e padrejtë.
Për fitoren e Rozana Radit ç’mund të thuash, e votuat me 20 pikë…
I dhashë 20 pikë Rozanës, më dha 0 pikë. Ia dhamë vetëm për mesazhin dhe patjetër për respektin si bashkëpunëtore, por nuk mund t’i jepja të parin si gjithë të tjerët, sepse ky është festivali i këngës, jo i aktrimit.
Ti dhe Stefi u shprehët publikisht se kënga “Mirëmëngjes dashni”, e kënduar nga Bruno e Artiola Toska, ishte për Festivalin e Gjirokastrës. Vazhdon të mendosh se Artiola nuk i përshtatet një festivali si “Kënga Magjike”?
Ku e shihni që unë flas gabim? Ngaqë them se kënga e Artiolës dhe Brunos është shumë e bukur, por nuk është për festival?! Kështu i bie që vitin tjetër të marrin pjesë edhe Valbona Mema Muharremi, Mandi i Nishtullës apo Tomi Reneneja (me gjithë respektin që kam për këta këngëtarë) dhe të kthehet festivali në një dasmë. Kështu doni ju të rrimë ne, pa folur?!
A mund të na e shpjegosh dhe një herë kontekstin e shprehjes që i hodhi benzinë zjarrit “Ngatërron … me dollarin?”
Më akuzuan s’di e s’di se çfarë shpifën para votimeve, duke thënë bën status Endri Prifti. Po çfarë statusi, more të paudhë?! Unë po flisja me një shok në Facebook-un e tij dhe, siç flasin dy miq, te muri i tij po diskutonim. Ai ishte i mërzitur dhe i irrituar, ndaj po përpiqesha ta qetësoja dhe i shkrova ato pikat që këta më pas u vunë dhe shkronja. Por, absolutisht nuk e kisha për këngëtarët, e kisha për festivalet. Ka festivale me këngë popullore dhe ka të tjerë të muzikës së lehtë. Kaq shumë po me ruanin mua këta, “viktimat”, që bënë namin portalet me gënjeshtra?!
Bruno ishte këngëtari që të kërkoi llogari për këtë koment në “E diela shqiptare”. Ç’mund të thuash për përballjen?
Ah, më pas bënë firmë edhe Brunon, të cilit Vera Grabocka ia ka gjetur shumë dinjitoz emrin artistik, “Qazimi”. Ata kishin bërë gjithç- ka me plan, ku e njihja unë më parë Qazimin, edhe kur bënim prova, nuk e dija çfarë ishte. Ku ka guxim ai të më bëjë mua debat dhe ballafaqime, por e kishte vënë ai tjetri… Aq të palexuar janë, sa na akuzuan se dhe një nga këngët tona të albumit është e vjedhur. Hapini sytë dhe lexoni çfarë shkruhet në albumet tona, e keni me shkronja të shkruar emrin e kompozitorit në kopertinat e albumeve.
Kujt do t’ia dëshiroje fitoren si profesionist i muzikës, po si mik?
Unë prapë jam i sinqertë dhe i drejtë në shijet e mia. Për mua ishte Valon Shehu, që edhe ai është nga studio e tyre.
Pas zhurmës së festivalit, cilat janë angazhimet tuaja?
Unë, kur të lexoni këtë intervistë, do të jem me punën time në turin tonë prej tetë koncertesh në tetë shtete të Amerikës. Për mua ky është çmimi, koncertet tona dhe gjithë populli që na ndjek anembanë vendit. Nuk kam asgjë me asnjëri, u dua të mirën të gjithëve. U uroj shëndet e dashuri dhe shumë suksese në rrugën e tyre.