Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve është mbledhur sot për të shqyrtuar ankimimin e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj të ADSHM, për tabelat e rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit për qarkun e Lezhës, të miratuara nga ana e KQZ-së.
Edhe pse PD e ka fituar këtë qark 4 me 3 mandate ndaj PS-së, edhe pse me një ‘grusht’ votash, selia blu ka ndjekur të njëjtën strategji si për qarqet e tjera, duke e ankimuar rezultatin.
Ky ankimim po shqyrtohet pas atyre në Kukës, Berat, Dibër, Vlorë dhe Gjirokastër.
Përfaqësuesi i PD-ADSHM kërkoi gjatë fjalës së tij edhe pavlefshmërinë e rezultatit të certifikuar nga KQZ dhe përsëritjen e zgjedhjeve në këtë qark, duke renditur edhe shkaqet që sipas tij konfirmojnë parregullsitë dhe shkeljet e Kodit Zgjedhor.
Logu mes të tjerash renditi edhe procedimet që ka bërë Prokuroria e Lezhës dhe SPAK për dia raste ku ka shoqëruar përfaqësues të PS-së dhe i ka marrë në pyetje, por ai nuk përfshiu këtu rastet e denoncuara nga PS për kandidatin e PD-së në këtë qark, gjyqtarin sheik Gjin Gjoni, tashmë i zgjedhur edhe deputet i Parlamentit.
Madje ai akuzoi Policinë se ishte përfshirë në fushatë elektorale, duke marrë në referim për procedim penal për shpifje ndaj Gjonit, pasi sipas tij uniformat blu nuk e kanë këtë kompetencë.
“Nuk mund të referojë Policia ndaj një kandidati të PD-ADSHM ndjekje penale për shpifje në Prokurori, e kjo tregon përfshirje të saj në fushatë. Madje edhe procedimi i kandidatit tonë pse i ka kërkuar votën një qytetari te shtëpia (rasti i denoncimit të Gjin Gjonit para 11 majit nga një qytetar i Lezhës), kjo është e pakuptueshme”, tha Logu mes të tjerash.
Sips Logut, edhe kryebashkiaku Pjerin Ndreu është përfshirë në urdhra të paligjshëm që nga asfalti elektoral, tek implikimi i zyrtarëve të lartë në fushatë elektorale, presion, përdorim të administratës, përdorim edhe të fondeve publike për efekte elektorale.
Logu akuzoi edhe policinë për përfshirje në fushatë elektorale. Një tjetër pretendim ishte vota e diasporës, që sipas përfaqësuesit të PD-së, ishte jo vetëm e orientuar, por edhe e manipuluar.
Logu në fund të fjalës së tij kërkoi përfshirjen si prova të të gjitha këtyre ankimimeve, që KAS-i t’i shqyrtojë më tej. Logu dorëzoi edhe kërkesën e PD për përjashtim të anëtarit të KAS, Ilirjan Rusmali, për shkak të konfliktit të interesit, pas debateve të javës së kaluar që patën në seancë shqyrtimi. PD pretendon se Rusmali është edhe këshilltar i Presidencës, teksa kërkon përjashtimin e tij nga të gjitha çështjet ankimore të opozitës.
Përfaqësuesja e KQZ, Pavlina Doçaj, u shpreh se asnjë nga pretendimet e PD-ADSHM nuk përbën provë serioze dhe bindëse, teksa ankimimi mbetet i pabazuar në fakte që çojnë në përsëritje të zgjedhjeve apo pavlefshmëri.