Nga Jakin Marena
Sali Berisha duhej ta kishte mbyllur ciklin e tij politik që në vitin 1997, kur për shkak të keqeverisjes së tij, rënies së firmave piramidale, dhe hapjen e depove të armëve të ushtrisë dhe armatosja e popullsisë, shteti ra për tre ditë dhe vendi për pak u zhyt në luftë civile.
Por Berisha lëvizi thjeshtë nga zyra e presidencës, për t’u rikthyer sërish në selinë e PD për të mbledhur forcat dhe organizuar grushtin e dështuar të shtetit më 14 shtator 1998, vetëm dy ditë pas vrasjes së liderit të dhjetorit Azem Hajdari, para selisë së PD.
Sërish nuk lëvizi, duke qëndruar në krye të opozitës, në pritje të një “rrëshkitje” të këmbës nga ana e qeverisjes së majtë, lideri i së cilës Fatos Nano ua dorëzoi “stafetën” e qeverisjes dy 30 vjeçarëve njëri pas tjetrit, Pandeli Majkos dhe Ilir Metës, për ta rimarrë sërish vetë në dorë qeverinë, në vjeshtën e vitit 2002 dhe duke u vetëemëruar kryeministër.
Ndarja e së majtës, u themelua LSI nga Ilir Meta dhe një grush mbështetësish të tij, si dhe falë kalkulimeve, por dhe problemeve të atëhershme të qeverisjes së Nanos, për habinë e të gjithëve Sali Berisha u ngjit në pushtet për të dytën herë, këtë radhë në krye të qeverisë shqiptare.
Pra kishte ndodhur e pamundura. Sali Berishën e larguan me revoltë popullore në vitin 1997, pasi kishte lënë prapa një shtet të rrënuar nga firmat piramidale, lufta mes vetes dhe mbi 4 mijë të vrarë nga armët që iu shpërndanë popullisë, dhe rikthehet 8 vite me vonë në krye të qeverisë shqiptare.
E mbajti për 8 vite me radhë pushtetin, mandatin e dytë në koalicion me LSI-në e Ilir Metës, ku 4 votat e marra në zgjedhjet e vitit 2009, për habinë e të gjithëve në vend që të kalonin majtas për të barazuar rezultatin mes të majtës dhe të djathtës, “flirtuan” fort me Berishën, duke qeverisur për katër vite bashkë. Pavarësisht se Berisha vinte pas aferës 230 milionë euroshe të Rrugës së Kombit, shpërthimit të “Gërdecit” ku i vranë 26 të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Bashkë me Metën qeverisja PD-LSI shënoi dhe rekorde të tjera negative, përfshirë vrasjen e 4 demonstruesve të opozitës më 21 janar 2011 dhe aferën CEZ-DIA ku shteti humbi mbi 500 milionë euro. Kjo solli dhe rrënimin e qeverisjes së Berishës.
Do të vinin zgjedhjet e vitit 2013, që Sali Berisha të humbasë përballë koalicionit Rama-Meta dhe për herë të parë të jepte dorëheqje nga drejtimi i PD. Me lot në sy ama, por postin e kryetarit të PD ia dha “dhuratë” beniaminit të tij politik Lulzim Basha, që fitoi me mbështetjen e Berishës përballë të ndjerit Sokol Olldashi.
Megjithëse për shqiptarët por dhe demokratët cikli i Berishës, i mbushur me zullume dhe vrasje nga më makabret cilësohej i mbyllur përfundimisht, dhe tashmë në pension politik do t’i takonte vetëm historisë ta vinte në “provë” dhe ta shpjegonte si fenomen. Por nuk “shkulej” kaq kollaj Berisha nga politika, sikurse e pranon dhe vetë se e ka “pasion”. Ndoshta pasion nga halli.
E kemi thënë dhe herë të tjera që kryetari real i PD ishte Sali Berisha dhe të gjitha shpresat e shqiptarëve se një ditë ai do të dilte në pension politik u shuan, sa për shkak të këmbënguljes së tij për të drejtuar PD-në në prapaskenë si pronë të tij, sa për shkak të paaftësisë proverbiale të Lulzim Bashës, i cili ia lejoi vetes të qëndronte si kukull në krye të PD. Qëndroi 8 vite madje.
Ndonëse publikisht Basha ka deklaruar se të gjitha vendimet e marra në 8 vite në opozitë, që nga “çadra”, marrëveshja e majit 2017 me Edi Ramën, ku mori gjysmën më të rëndësishme të qeverisë dhe të gjitha institucionet e rëndësishme që prodhonin lekë, e deri tek djegia e mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve vendore, pra të gjitha këto vendime i ka marrë vetë dhe me vullnet të lirë, askush nuk e ka besuar.
Madje dhe vetë Basha në takimet e tij nëpër ambasadat më të rëndësishme të akredituara në Shqipëri, me në krye ato të SHBA dhe BE, ka deklaruar se ai vetë ka “çelësat e kashtës” në PD dhe se vendimet i merr vetëm ai, Doktori. Sa i sinqertë ka qënë, e di vetëm Basha vetë, ndonëse kjo nuk i jep pikë përballë demokratëve e shqiptarëve.
Për hir të së vërtetës Berisha e donte Bashën vetëm për një ditë, për ta mbrojtur përballë akuzave të drejtësisë apo partnerëve ndërkombëtarë, për shkak të zullumeve të shumta në qeverisjen e tij 8 vjeçare, ku mund të themi se nuk ka shpëtuar pa e “ngjyer” gishtin as Lulzim Basha.
Vetëm pas humbjes së 25 prillit tyë këtij viti kreu aktual i PD vendosi të luajë për vete, dhe menjëherë sapo SHBA e shpalli “non grata” Berishën dhe familjen e tij, Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar, me vendim personal.
Pikërisht këtu ndodhi “zgjimi” i Berishës, i cili doli nga “shinat” dhe u vu hapur në kërkim të postit të kryetarit të PD, dhe përmes “Foltoreve” dhe tashmë Kuvendit Kombëtar të thirrur prej tij më 11 dhjetor me 4200 firmat e delegatëve sipas pretendimit të tij dhe kërkon kokën e Bashës.
Pra si në kohën e Fatos Nanos kur Berisha cilësohej i vdekur politikisht, ai gjen mundësinë për të shfrytëzuar keqqeverisjen e socialistëve dhe konfliktet mes tyre për lidershipin, për të përfituar dhe për t’u ricikluar në pushtet, edhe tani Berisha të njejtën gjë bë, po tenton lidershipin e PD.
Po shfrytëzon më së miri paaftësinë e Bashës për të shënuar qoftë një fitore të vetme në 8 vite opozitë përballë Ramës, qoftë dhe zgjedhjeve vendore, apo për të qënë alternativë serioze që të pakësojë votat e PS, e cila nga zgjedhjet në zgjedhje po konsolidohet në mbështetjen e plus minus 800 mijë votave të shqiptarëve. Që i garantojnë në qeverisje si parti më vete pa koalicion.
Ka shkaktuar habi fakti se si Berisha gjen akoma mbështetje në PD, pjesa më e madhe e analistëve, politikanëve dhe shqiptarëve e pranojnë se ka mbështetje më të madhe se Basha tek radhët e anëtarësisë. 8 vite jo realisht në krye të PD, i mënjanuar në politikën aktive por aktiv përmes rrjeteve sociale, Berisha ka arritur të mbajë mbështetjen në radhët e PD.
Nëse në vitin 2005 shqiptarët ishin në një mendje që qeverisja e Fatos Nanos e kishte “qelbur” aq shumë me korrupsionin dhe shpërdorimin e pushtetit sa panë si alternativë zgjidhjeje në qeverisje Berishën e larguar me “armë” më 1997, në vitin 2021 mbetet ende i pashpjegueshëm fakti se përse ka gjetur hapësira në radhët e PD për të rrezikuar postin e kryetarit të PD, apo për të arritur ndarjen e PD në rastin më të mirë, në dy pjesë afërsisht të barabarta.
Kaq shumë e ka “qelbur” Lulzim Basha drejtimin e opozitës sa demokratët shohin si alternativë të vetme shpëtimi dhe shprese për të ardhur në pushtet Sali Berishën, me 77 vite mbi supe, 8 vite larg lidershipit zyrtar të PD dhe mbi të gjitha të shpallur person “non grata” nga SHBA?!
Pra pa asnjë mundësi mbështetjeje nga aleati ynë më i madh, e “certifikuar” kjo mungesë mbështetjeje dhe me deklaratën e ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila nënvizoi se me një PD të drejtuar nga një person “non grata” SHBA nuk mund të bashkëpunojë.
Demokratët janë të bindur, madje dhe ata që ka afër dhe e mbështesin tashmë pasi janë prurje të vetë liderit aktual të PD, se me Lulzim Bashën kryetar partie, opozita nuk vjen kurrë në pushtet. Kanë hyrë në mandatin e tretë në opozitë, duke rrumbullakosur plot 12 vite larg pushtetit, dhe pa asnjë këshilltar, kryetar apo zyrtar të vetëm bashkie që firmos bordoro dhe që ka siglën e PD.
Me sa duket një pjesë e demokratëve, për fatkeqësinë e PD, kanë besuar të gjitha akuzat e hedhura në media, tashmë dhe të përsëritura nga Berisha foltore më foltore, se Basha e ka përdorur postin për interesat e tij personale.
Nuk ka ditë që grupi i Berishës nuk i përmend akuzat e artikuluara më parë nga kundërshtarët politikë se Basha vijon marrëveshjen me Edi Ramën, për interesin e tij personal. I përmendin 13 milionë eurot e pallatit të vjehrrit në Vlorë, ndonëse ia dha Strasburgu mundësinë që ti merrte si dëmshpërblim, ia faturojnë pazarit me Ramën, në favor të dhënies së fitores PS në qershor 2017.
Kanë besuar akuzën se ka bërë katër vila bashkë me Kunatin në dy vitet e pandemisë dhe pasojave të tërmetit, si pjesë e pazarit për të “falur” zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti. Madje ndajnë të njejtën bindje se Lulzim Basha nuk ka çuar deri në fund asnjë kauzë, nuk ka realizuar asnjë premtim, qoftë dhe për të bashkuar opozitën dhe shënuar një fitore kundër Ramës.
Ndaj dhe akuzat e tjera për shkelje të statutit dhe mbi të gjitha përjashtimin e liderit historik nga grupi parlamentar, mungesa e përballimit të presionit si kryetar i PD, i kanë dhënë dorë Berishës që të “ngrihet nga varri” dhe të pretendojnë se ka shumicën e mbështetjes së demokratëve. Madje dhe të guxojë të përmendë fatktin se pasi të bëhet kryetar i PD, gjasat janë të pakta ta luajë këtë rol, të jetë dhe kryeministri i ardhshëm i PD. Ndonëse është e sigurtë se me të kryetar, PD e ka të pamundur ardhjen në pushtet!
Janë një sërë faktorësh që kanë ngritur Berishën nga “varri” politik, por dy janë ata që kanë ndikuar rëndshëm: Prekja e interesit personal të Berishës për shkak të shpalljes “non grata” dhe përjashtimit nga grupi parlamentar i PD, që ai e quan “besëprerje” të Bashës si dhe paaftësia totale e Bashës për të pasur në dorë dominimin mbi anëtarësinë e PD, shtuar këtu dhe lëvizjet e vonuara prej tij pas shpalljes së “Foltores” nga Berisha për t’i prerë liderit historik “rubinetin” e furnizimit me mbështetje demokrate, e mungesa e një fitoreje të vetme në 8 vite drejtimi të PD.
Eshtë fatale që PD të mos ketë një alternativë të re që të dalë mbi dy pretendentët për “pronësisë” së partisë më të madhe opozitare, që të bashkonte tërë sensibilitetet në PD e të rikthente shpresën tek opozita që të pretendojë për pushtet.
Të paktën të arrijnë nivelin e dy partive historike në Kosovë, LDK dhe PDK që pas largimit të liderëve të tyre historikë, mes shumë figurave zgjodhën dy 35 vjeçarë, Lumir Abdixhikun dhe Memli Krasniqin, të cilët në ballafaqimin e parë elektoral me Albin Kurtin e Vetëvendosjes, ia përgjysmuan votat 9 muaj pas fitores së shënueshme të 14 shkurtit 2021. Madje e nxorën parti të tretë përsa i përket fitores në komunat e Kosovës.
Pikërisht në këtë situata dramatike PD pret të shënojë dhënien fund të krizës në Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Berisha dhe atë të 18 dhjetorit të thirrur nnjga Basha, që pritet të kulmojë me ndarjen përfundimtare të PD në dy pjesë. Çka e largon PD-në dyfish nga pushteti.
Megjithatë, fakti që PD sheh si shpresë për ringritjen e saj Sali Berishën, është një tregues i qartë se Lulzim Basha ka “aksione” shumë të ulta politike në PD. Dhe nëse nuk të duan në partinë që drejton, është shumë e vështirë dhe thuajse e pamundur që të krijosh besim e të të dojë elektorati gri, pikërisht ai që të sjell në pushtet. I njëjti vlerësim për Berishën, i cili mund të dominojë anëtarësinë e PD, por elektorati gri s’ka asnjë shans ti japë mundësinë një individi “non grata” në SHBA që të “nusërojë” për herë të tretë.