Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec kanë shpallur në kërkim 56-vjeçarin Genc Llakaj, 56 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”.
Sipas Policisë, 56-vjeçari dyshohet se ka kanosur nëpërmjet telefonit dhe rrjeteve sociale drejtoreshën e Degës Territoriale të Shërbimit të Provës në Pogradec, Suela Llakmani. Kërcënimet pretendohet se lidhen me faktin se, sipas tij, zyrtarja nuk është paraqitur qëllimisht në gjykatë, çka ka sjellë shtyrjen e seancës gjyqësore ndaj bashkëshortes së tij, e cila aktualisht ndodhet me masën e sigurisë “Arrest në burg” në IEVP Pojskë.
“Jo shtet të ketë por perandori të ketë ti që ke shkelur ligjin e mbi gjakun e fëmijës sim. Mos mendo se do vesh te shefi i krimeve… ti borxhin e ke me mua, nuk ke respektuar ligjin. Mua vetëm plumbi më ndan. Ti do përfundosh si këllirë në koshin e plehrave, rrugëve. Do të përfundosh keq jo se të vras unë. Ose do kërkosh falje, ose do shkosh vetë atje ku e kanë vendin ata që shkelin ligjin vetë”, është shprehur ai në rrjetet sociale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna për kapjen e 56-vjeçarit.











