Çdo vit kanceri prek rreth 90-100 fëmijë të moshës 0-14 vjeç ku format më të shpeshta janë leucemia akute me 30% të rasteve dhe më pas tumoret e kokës. Duke qenë sëmundje që kanë normë të lartë të vdekshmërisë mjekët thonë se kapja e hershme e shenjave është gati një sfidë pasi shpesh ato nuk vlerësohen në kohë dhe fëmijët vijnë në stade të avancuara.
“Duke neglizuar ose duke shtyrë në kohë me idenë se je para një viroze , para një infeksioni, mund ta shtyjnë dhe të jenë pak të vëmendshëm dhe ndërkohë kur vijnë e paraqiten te ne sëmundja ka avancuara në stad të fundit. Nëse je përpara këtyre shenjave të cilat zgjasin në kohë si temperature, zbehje, bark I fryrë, rritje e mëlçisë dhe shpretkës apo gjëndrave limfatike atëherë duhet patjetër të adresohet tek pediatri e më pas me urgjencë tek ne”, u shpreh Prof.Asc. Mirela Xhafa – Onkohematologe pediatre, QSUT.
Profesoresha e asociuar, Mirela Xhafa thotë se tek moshat 0-3 vjeç faktorë kryesor ndikues të tumoreve lidhet fort me stilin e jetesës së nënës.
“Kryesisht shkaktari I këtyre patologjive në këto mosha janë dëmtimet që në embriogjeneze, pra gjatë kohës që fëmija është në barkun e nënës , jo në kuptimin e trashëgimisë por në atë të formimit të organeve dhe të strukturave gjatë kohës që fëmija është embrion ose fetus .Këtu ndikojnë drograt e ndryshme që përdorin, duhanpirja, patologji të ndryshme shoqëruese të nënës, medikamentet që ajo merr apo edhe ekzaminimet radilogjike që ajo bën gjatë kësaj periudhe”, tha ajo.
Sot nuk ka një regjistër të saktë për tumoret pediatrike dhe për këtë po punohet. Ndonëse protokollet janë përditësuar, shumë familje zgjedhin t’i trajtojnë jashtë fëmijët e tyre duke e bërë planifikimin e furnizimit me medikamente të vështirë.
”Përgjithësisht vijnë dhe paraqiten këtu dhe një pjesë mundet të marrin informacione dhe nëse shfaqet një shenjë apo një simptomë dhe shkojnë te mjeku imazherist, marrin informacion që siku është një masë tumorale në organizëm dhe menjëherë nisen jashtë dhe mundet që këto rrjedhje të këtyre rasteve të mos kapen nga ne , ndërkohë që pjesa dërmuese e rasteve paraqiten tek ne. Nuk mundet dot të parashikosh që ky fëmijë diagnostikohet dhe ikën apo do të qëndrojë. Rastet janë të ndryshme“, theksoi Xhafa.
Disa fëmijë ja dalin, disa të tjerë jo për fat të keq. Kjo zile e kambanës në klinikën e onkohematoliogjisë njofton fundin e periudhës dritare të monitorimit që nga kimioterapia e fundit që fëmija ka bërë e që zgjat plot 5 vite. Ky është momenti i triumfit të përbashkët ku mjekë dhe familjarë gëzojnë të përlotur sfidën e kapërcimit të një sëmundje tepër të rëndë me shpresën për të mos u rikthyer më.











