• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, April 2, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews

Kampioni shqiptar i botës vritet në Siri si ushtar i ISIS

by
06/07/2015 22:34
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Valdet Gashi, kampioni në sportik e kiks-boksit, është vrarë në Siri, ndërsa luftonte për ISIS.

Kjo është konfirmuar nga vëllai i tij përmes një statusi në rrjetet sociale.

20min.ch ka njoftuar se Gashi është vrarë të shtunën.

Historia tronditës/ Valdet Gashi, terroristi shqiptar që iku nga liqeni i Konstancës në Siri

Kampion botëror në kik-boks, kampion i Gjermanisë në tai-boks – dhe së fundi luftëtar i «Shtetit Islamik». Historia e tij është tronditëse, shkruan gazeta «Augsburger Allgemeine».

Tetorin e kaluar Valdet Gashi paralajmëroi se do të pushonte për një kohë të gjatë. «Më duhet një pauzë», tha ky tai-boksier 29-vjeçar nga Singeni buzë Liqenit të Konstancës. Ai kishte arritur të gjitha që në sportin e tij arrihen: kampion bote në kik-boks, kampion gjerman në tai-boks. Gashi, i cili është rritur në Oberpfalz, kishte thënë se do të shkonte në Tajlandë për të marrë frymë dhe për të trajnuar. Edhe familja e tij i besonte kësaj.

Por as familjarët e tij nuk e dinin një gjë: Gashi nuk shkoi në Lindjen e Largët, por në Siri. Si gati 700 selafistë të tjerë gjermanë edhe ky shqiptar nga Kosova iu ka bashkuar milicëve të Shtetit Islamik (IS). «Po, unë jam pjesë e sistemit», u përgjigj ky 29-vjeçar përmes postës elektronike. Ai thotë se nuk po merr pjesë në luftime, por është duke ndihmuar në rajonin Membij/Jartablus në mbikëqyrjen e kufirit pranë lumit Eufrat. «Këqyrim nëse ka kontrabandistë, që sjellin ilegalisht mallra, për shembull cigare, alkool dhe drogë. Këto janë të ndalura plotësisht këtu», shkruan Gashi.

Ai thotë se bart armë dhe ka qenë dëshmitar i prerjes së kokave. «Kam parë se si një spiuni, i cili i kishte dhënë armë dhe shitur informacione (partisë kurde) PKK, i është hequr koka». Ai shkruan se qëllimi i heqjes së kokës publikisht ka për qëllim frikësimin. Po ashtu ai thotë se patrullon në lokalitete të ndryshme dhe kujdeset që të respektohen ligjet e islamit, siç konsideron IS. «Shyqyr zotit, deri më tani s’kam qenë i shtyrë të përdorë armën», shpjegon ky ish-sportist i disiplinave luftarake.

Si bën vaki që një njeri nga një qytet i vogël i Gjermanisë jugore të marrë kallashnjikovin në dorë dhe t’i bashkohet një grupi të terrorit, i cili e frikëson dhe tmerron botën? Përse ai për hatër të IS e lë gruan dhe dy vajza të vogla në Liqenin e Konstancës? Gashi thotë se si mysliman i bindur ai dëshiron t’u ndihmojë vëllezërve të tij të fesë në Siri – «pleqve, të rinjve, vejushave apo të varfërve». Ai dëshiron «të hulumtojë se çfarë po ndodh këtu me të vërtetë». Dhe ai përbetohet: «Nuk kam asnjë njollë gjaku në duar dhe ndërgjegjen e kam të pastër».

Përgjigjet e tij nuk mund të verifikohen. Por ato mundësojnë një shikim në jetën shpirtërore të një të riu, i cili kërkon një kuptim të ri të jetës së tij dhe këtë e gjen te nxitësit fetarë. Edhe ky ish-profesionist i boksit nuk ka lindur si xhihadist. Valdet Gashi ishte 6-vjeçar kur familja e tij u arratis nga Kosova në Gjermani. Babai i tij ishte polic në atdhe, ai dëshironte ta shpëtonte familjen nga lufta, dëshironte t’u mundësonte bijve të tij një jetë të mirë, pa shqetësime, familja ishte mbi të gjitha. Gashi u rrit në Neumarkt në Oberpfalz, këtu ai jeton mbi 13 vjet dhe përmes një shoqate sportive nisë të merret me kik-boks.

Në shtëpi feja islame nuk luante rol të madh. Kuranin Gashi e zbuloi më vonë, kur në internet hasi në predikues të zhurmshëm si konvertiti gjerman Pierre Vogel. Në pjesën tjetër ndikoi aksioni i diskutueshëm i misionarëve të «Lies!» («Lexo!»), me ç’rast selafistët gjermanë në pranverën e vitit 2014 shpërndanë Kuranë në rajonin e Liqenit të Konstancës.

Sipas njohurive të shërbimit sekret gjerman çdo i pesti luftëtar gjerman në Siri është radikalizuar përmes këtij projekti. «Këtu janë shumë njerëz nga Gjermania», konfirmon Gashi. Ai thotë se në Siri flet pothuaj vetëm gjermanisht dhe anglisht, arabishten thotë se e njeh vetëm sipërfaqësisht. Shtysën e fundit duket se ia kanë dhënë qarqet selafiste në Winterthur (të Zvicrës). Atje Gashi themeloi vitin e kaluar një grup trajnimi, që quhej «MMA Sunna». Tre nga sportistët myslimanë po ashtu përfunduan në Siri. Njëri prej tyre vdiq në betejën për qytetin Kobane: Gashi shprehu publikisht pikëllimin e tij të thellë për këtë në faqen e tij në Facebook.

Gashi u radikalizua në shumë faqe në internet: rrjeti konsiderohet si makinë rekrutimi e Shtetit Islamik. Si asnjë grup terrori më parë IS ka mësuar që frontin virtual ta shfrytëzojë për qëllimet e tij. Në rrjet qarkullojnë video, të cilat brutalitetin më të madh të milicisë së IS-it e paketojnë në estetikën e filmave të Hollywoodit. Por ata janë vetëm pararoja, një shou i horrorit për Perëndimin. Një duzinë filmash të tjerë dhe seri me fotografi synojnë të tregojnë për jetën pa brenga në territorin e IS. Vetëm një pjesë merret me sukseset ushtarake, pjesa tjetër është propagandë mbi gjoja përditshmërinë që lulëzon në rajonin nën kontroll të islamistëve. Romantikë heronjsh. Dhe hero dëshiron të jetë edhe Valdet Gashi.

Trofetë shkëlqyese, të cilat i kishte mbledhur përmes sportit, me gjasë nuk i mjaftonin. Së paku kështu supozon psikologu Samuel Althof nga zyra për parandalim të ekstremizmit dhe dhunës në Basel të Zvicrës. Zvicerani Althof është duke e vëzhguar fatin e Gashit prej disa muajsh, atij i ka rënë në sy ky djalosh pas disa deklaratave islamiste në internet. Që nga atëherë ata mbajnë rregullisht kontakt. Althof përpiqet të flasë me të mbi mundësitë e kthimit, por shpresa e tij nuk është e madhe. Vetëm kur Gashi ta kuptojë se çfarë po i bën vetes, familjes së tij dhe fëmijëve të tij, ai ka shans. Gashit, thotë Althof, i duhet një mbështetje emocionale. «Por për momentin një gjë e tillë nuk vërehet», thotë Althof. Nëse një njeri lëvizë në një ngrehinë të përfunduar mendimesh, në një ideologji, dhe kështu i zgjidh të gjitha kundërthëniet, atëherë rreziku është i madh që personi në fjalë të mos arrihet të kontaktohet nga jashtë dhe të jetë i humbur për të tjerët. «Kjo është një histori krejtësisht e pikëlluar dhe dramatike», thotë Samuel Althof.

Miq dhe të njohur në Neumarkt në Oberpfalz dhe Singen reagojnë të tmerruar. Ralf Hasenohr njëherë mbetet pa fjalë kur e pyesim për nxënësin e tij shumëvjeçar Valdet Gashi. Drejtuesi i klubit të tai-boksit në Singen përpiqet të gjejë fjalë. «Jam i tronditur», thotë ai. «Kjo që bën ai e dënoj ashpër. Kjo është kriminale». Hasenohr ka qenë trajner i Gashit në shumë ballafaqime, ai e ka shoqëruar kur ka marrë tituj dhe kur është bërë kampion. Valdet Gashi nuk është njeri që sillet kokë më vete dhe ngurrues. Përkundrazi, ai duket i gjallë dhe i hapur, para dhe pas ndeshjeve të tij ai u ka dhënë intervista të serta kanaleve televizive të sportit. Ai vazhdimisht ka jetuar një kohë të gjatë në Tajlandë dhe si luftëtar profesionist ai atje ka fituar bukën e gojës. Ai ka zhvilluar 152 luftëra, Gashi – emri i tij luftarak ishte «Thundercat» – ishte një yll i skenës së sporteve luftarake. Në Tajlandë ai e ka njoftuar gruan e tij të tanishme. Ajo u konvertua në fenë islame dhe erdhi me të në Singen, ku lindën dy vajzat e tij.

Vëllai i tij më i ri, Lion Gashi, lufton mes zhgënjimit dhe dashurisë për vëllain. Dashuria për vëllain triumfon. «Nuk pajtohem më të sa i përket çështjes së besimit», thotë ai. «Por në fund të fundit ai është vëllai im». Ai thotë se familja është e frustruar dhe e dëshpëruar. Deri para pak ditësh ajo mendonte se Valdeti gjendet në Tajlandë duke ushtruar. Tek para dy javësh ai e ka mësuar të vërtetën, sepse Valdeti dëshironte të tregonte të vërtetën e plotë. «Pastaj unë duhej t’u tregoja prindërve, ata u tmerruan», thotë Loni Gashi. Ai tregon se nëna ndihet e shkatërruar, qan. «Dhe babai im nuk e kupton këtë fare».

Po aq pak se ai, ndonëse vazhdimisht përpiqet ta paramendojë veten në situatën e vëllait më të madh. «Nëse vëllai im ka një qëllim, atëherë ai hidhet në realizimin e tij». Kështu ka qenë në sportin e tij, kështu është edhe në fe dhe kështu është edhe me udhëtimin e tij në Siri. Pa marrë parasysh veten – dhe të tjerët. Familja e tij, gruaja e tij, fëmijët e tij, të gjithë vuajnë nga kjo situatë. Vuajnë që ai, të cilin mendonin se e njihnin, tash konsiderohet si i rrezikuar, vuajnë që shërbimi sekret gjendet para derës së shtëpisë. I vetmi ngushëllim, thotë Loni Gashi, është se njerëzit në Singen qëndrojnë prapa familjes: «Njerëzit këtu na njohin, ata e dinë që ne nuk e mbështesim atë që bën Valdeti»./Tema/

Next Post

Babai i 13-vjeçarit të vrarë nga Sokol Mjacaj: Çekët do ishin gjallë sot, po të kishte drejtësi

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Tronditen tregjet e investimeve pas kërcënimeve të Trump për ta çuar Iranin “në epokën e gurit”

Tronditen tregjet e investimeve pas kërcënimeve të Trump për ta çuar Iranin “në epokën e gurit”

April 2, 2026
“Çojini fëmijët në fshat, ekranet dhe betoni i dëmton”, këshillat e logopedit për prindërit

“Çojini fëmijët në fshat, ekranet dhe betoni i dëmton”, këshillat e logopedit për prindërit

April 2, 2026
Rama batuta për investitorët: Pini raki, do ju sjellë në qejf dhe s’do të vuani për problemet tona

“Korrupsioni më i madh në perceptim se sa në realitet”, Rama: Nuk çlirohemi prej tij vetëm duke dënuar të korruptuarit

April 2, 2026
Përfshihet nga flakët një makinë e parkuar në Pogradec, dyshohet se zjarri është i qëllimshëm

Dogji automjetin e një personi, arrestohet 39-vjeçari, në kërkim ai që porositi krimin

April 2, 2026
Rama: Ulja e taksës së qarkullimit do rëndonte qytetarët, do paguanin 4-fishin e asaj që paguajnë sot

A është ngadalësuar procesi i integrimit në BE? Rama: Jemi refuzuar 3 herë…

April 2, 2026
Trump falënderon Izraelin dhe aleatët e Gjirit: Nuk do t’i lejojmë të dëmtohen apo të dështojnë

Trump falënderon Izraelin dhe aleatët e Gjirit: Nuk do t’i lejojmë të dëmtohen apo të dështojnë

April 2, 2026
Kodi Zgjedhor/ “Listat e hapura domosdoshmëri”, Elezi: PD-në e drejtojnë hajdutë të certifikuar votash

Demokratët e Durrësit kërkuan ballafaqim, Ibsen Elezi: Berisha po zvogëlon PD, nuk ka më shumë se 25 mijë vota

April 2, 2026
Hoxha: Integrimi në BE kërkon angazhim të të gjithëve, të rinjtë në qendër të procesit

Hoxha: Integrimi në BE kërkon angazhim të të gjithëve, të rinjtë në qendër të procesit

April 2, 2026
Salianji: Në PD-në e Berishës prevalojnë interesat personale, jo të demokratëve

Gara për kreun e PD, Salianji: Frika e lidershipit ka baza reale, demokratët të dëshpëruar me Berishën

April 2, 2026
Integrimi, Rama: Shqipërisë sot i buzëqesh fati; yjet janë rreshtuar për ëndrrën shekullore

Integrimi, Rama: Shqipërisë sot i buzëqesh fati; yjet janë rreshtuar për ëndrrën shekullore

April 2, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In