Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së të hënën që të mbajnë të pandryshuar politikën e sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa vijojnë diskutimet për heqjen e disa masave ndaj dy oligarkëve rusë.
Sanksionet ndaj Rusisë mbeten në “zemër” të politikës së Brukselit për të ushtruar presion ndaj Moskës që t’i japë fund luftës në Ukrainë, tha Kalas gjatë një konference për shtyp në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Disa shtete anëtare kanë kërkuar që disa individë të hiqen nga lista dhe për këtë arsye bisedimet janë duke u zhvilluar aktualisht”, shpjegoi zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian dhe shefja e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm.
Ajo shprehu pritjen që bisedimet të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur.
“Ne padyshim kemi nevojë për stabilitet, që do të thotë se këto sanksione do të mbeten në fuqi më gjatë. Kjo është arsyeja pse po punojmë për një sërë të re sanksionesh”, shtoi ajo.











