Nga Laçi, në inaugurimin e hedhjes së themeleve në kantierin e rilindjes së qytetit pas tërmetit tragjik të nëntorit të kaluar, në bashkëpunim me Presidentin e Turqisë, kryeministri Edi Rama tha se qyteti do kthehet në mikpritës dhe kjo do i shërbejë edhe ekonomisë së tij.
Rama lajmëroi se ka nisur gjithashtu puna për transformimin e rrugës që të çon në vendin e shenjtë të Kishës së Shna Ndout.
“Ka nisur edhe transformimi i rrugës që shkon në vendin e shenjte në Kishën e Shna Ndout gjë që i shërben me siguri rritjes së mëtejshme të gatishmërisë së këtij qytet për të mikpritur njerëzit që vijnë në periudhën e pelegrinazhit.
Ky qytet, ata njerëz që janë me shifra marramendëse në ato javë të pelegrinazhit thjeshti i shihje të kalonin, ngjiteshin e iknin, se nuk ofronte asnjë mundësi për të qendruar e kaluar dhe një natë, me këtë rindërtim qyteti do bëhet mikpritës, e do ketë mundësi që mikpritjen ta ofrojë në funksion të ekonomisë së vet lokale”, tha Rama.
Kryeministri e vuri theksin dhe përsëriti rëndësinë që ka sistemimi i përroit të qytetit, që kthehej në dëm të madh për banorët e zonës për shkak të përmbytjeve dhe e bënte zonën të pabanueshme.
g.kosovari