U takuan sërish qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës. Nuk folën për problemet e të dyja vendeve, por argëtuan opinionin me parulla patriotike. Në ditën kur u takuan matadorët tanë politikë, Gjermania nga aeroporti i Düsseldorfit i dëboi me një avion 106 shtetas të Shqipërisë dhe 44 shtetas të Kosovës. Ata nuk shkuan nga qejfi në Gjermani, por për shkak të varfërisë.
Nga Enver Robelli
Edi Rama bën atë që di më së miri: performansa artistike në skenën politike. Gjatë takimit me kolegun e tij kosovar ai tha se duhet të bashkohen ambasadat e dy vendeve. Foli për rëndësinë e Skënderbeut. Paralajmëroi themelimin e një akademie të përbashkët të shkencave të Kosovës dhe Shqipërisë. Na tregoi se Ramush Haradinaj qenkësh bërë shtetas i Shqipërisë. (Sa për krahasim: një politikan zviceran, me prindër italianë, para se të merrte postin e ministrit të punëve të Jashtme të Konfederatës zvicerane dorëzoi pasaportën italiane). Me nonshalancën e tij tashmë të njohur Rama i dha një flakaresh Ramush Haradinajt sa i përket demarkacionit me kufirin me Malin e Zi, duke thënë se pret që shefi i AAK-së të shkëputet nga qëndrimi i tij opozitar lidhur me vijën kufitare me Malin e Zi. Ndërsa Haradinaj mund të jetë i lumtur me këtë kërkesë të Ramës, sepse mund të argumentojë para opinionit se edhe Shqipëria po insiston të tërhiqet nga pozicioni i tij, Lëvizja Vetëvendosje reagoi vakët – edhe pse shuplaka e Ramës e godet edhe këtë parti, e cila e ka kundërshtuar ashpër demarkacionin.
Në përgjithësi takimi i dy qeverive në Tiranë ishte një koncert me parulla patriotike dhe me përbetime simbolike, pa ndonjë vendim konkret. Ishte në vazhdën e takimeve, të cilave Edi Rama u jep shumë shkëlqim të rrejshëm, me flamuj me shkaba e me yje të Europës, me brohoritje për bashkim dhe me shtrëngim të muskulaturës atdhetare.
Për ekonominë nuk u fol. As për projekte të përbashkëta infrastrukturore. Ajo që quhet Rruga e Kombit ka mbetur e papërfunduar dhe sidomos segmente në rrethin e Kukësit janë tepër të rrezikshme për çdo udhëtar. Viadukte të mbetura në gjysmë apo të pafilluara fare, ndërprerje autostrade pa asnjë paralajmërim, lopë e kafshë të tjera që bëjnë korzo në autostradë, njerëz që ecin nëpër rrugën e shpejtë si të bënin një shëtitje në trotuar të bulevardit, vetura e kamionë që natën ecin pa drita dhe askund nuk shihet policia për t’i dhënë fund kësaj katrahure.
Për problemin e patateve të Kosovës që herë eksportohen në Shqipëri, herë bllokohen nga dogana shqiptare nuk u tha asgjë. Të dy vendet prodhojnë pak dhe importojnë shumë – nga Serbia, Greqia, Maqedonia, Italia, Kina, Gjermania. Nuk bëhet fjalë për teknologji, por për artikuj kryesisht ushqimorë, për biskota e makarona. Sepse kombi i madh shqiptar, kombi i Skënderbeut dhe i Edi Ramës dhe Ramush Haradinajt s’ka kohë të merret me zhvillim të vendit. Kombi ka tema të mëdha. Sepse temat e mëdha na bëjnë të harrojmë se në vitin 2013 është nënshkruar një marrëveshje mes Tiranës dhe Prishtinës për heqjen e romingut. Natyrisht, nuk është hequr ende.
Para Haradinajt në Tiranë ishte për vizitë ministri i Jashtëm. Pastaj vrapoi atje edhe ministri i FSK-së. Në ditët në vijim me gjasë edhe ministra të tjerë do të shkojnë në Tiranë. Pa plan, pa ide, pa projekte, pa marrëveshje. Thjeshtë sa për të dalë në media, sa për të krijuar përshtypjen se po bëhet diçka. Një ish-koleg imi dikur saktësisht e pati përshkruar këtë fenomen: ekipet tona politike janë bërë si pleqtë e Bokshiqit. Njëherë vijnë për vizitë pleqtë e njërës mëhallë te mëhalla tjetër. Kur e mbarojnë vizitën, pleqtë mikpritës i përcjellin mysafirët deri te mëhalla e tyre dhe vazhdojnë atje vizitën. Pastaj kur të mërziten kthehen në shtëpi, por të shoqëruar me pleqtë e mëhallës mikpritëse. Kështu vizitat nuk ndalen kurrë, as pritje-përcjelljet. Këto gjëra edhe kushtojnë, dorën në zemër. Kolona me vetura, delegacione të mëdha, truproje, bujtje në hotele, dreka, darka, kafe, mëditje. Të ngjan Kosova si të ishte e pasur si Japonia dhe Shqipëria e pasur si Singapori. Në të vërtetë janë ndër vendet më të varfëra në Europë sa i përket të hyrave vjetore për kokë banori (Kosova me 7800 euro, Shqipëria me 8700 euro). Po Sllovenia? 24’400 euro. Më larg nuk po shkojmë.
Në ditën kur u takuan matadorët tanë politikë, Gjermania nga aeroporti i Düsseldorfit i dëboi me një avion 106 shtetas të Shqipërisë dhe 44 shtetas të Kosovës. Ata nuk shkuan nga qejfi në Gjermani, por për shkak të varfërisë. Një zëdhënës i policisë federale gjermane tha se avioni ishte nisur në drekë.
Para se të takoheshin qeveritë e Prishtinës dhe Tiranës televizioni gjermano-francez emitoi një dokumentar mbi mbjelljen dhe kontrabandimin e kanabisit në Shqipëri – një biznes miliardash i mafias shqiptare. «Viteve të fundit vendi në brigjet e Adriatikut është shndërruar në prodhuesin më të madh në botë të kësaj droge – kjo favorizohet nga korrupsioni, drejtësia e dobët dhe varfëria e shtrirë gjithandej». Sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar Kosova dhe Shqipëria janë një, vëllezër dhe aleatë.
Meqë klasat politike mbesin kryesisht të kontrolluara nga grupet e oligarkëve ekonomikë dhe nga strukturat parapolitike, gjasat për t’u integruar në BE po zbehen për çdo ditë, përkundër retorikës së Edi Ramës në Twitter dhe vajtimeve pothuaj të përditshme të politikanëve të Kosovës se Brukseli «po na trajton padrejtësisht». Ballkani perëndimor sërish është zhytur në tollovi, por për këtë nuk mund të kritikohet Europa, por oligarkët lokalë, të cilët po e udhëheqin Ballkanin dhe po i dëmtojnë proceset demokratike. Kështu tha Judy Dempsey në një intervistë për Radion Europa e Lirë. Dempsey, ish-korrespondente e Financial Times në Bruksel, është hulumtuese në Carnegie Europe dhe kryeredaktore e Strategic Europe. Oligarkët tanë politikë këto mendime nuk i marrin seriozisht. Janë të zënë me recitim parullash. Deri në emisionin e radhës: «Ju flet Radio Edi Rama». Propaganda e përparimit dalëngadalë ka filluar t’i përngjajë emisioneve të dikurshme të Radio Tiranës.