Përplasja mes drejtuesit të Agjencisë për Eficencën e Energjisë, Ani Hasa, dhe kryetarit të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, u shënua gjatë seancës dëgjimore parlamentare për mbikëqyrjen e veprimtarisë së agjencive ekzekutive.
Xhafaj kritikoi institucionin për vonesën në kthimin e përgjigjeve të kërkuara nga Kuvendi, duke e cilësuar këtë si një problem në raportin me Parlamentin.
Debati vijoi me një replikë të drejtpërdrejtë mes dy palëve:
Ani Hasa: “Ligji për eficencën e energjisë pritet që për këtë vit të miratohet. Kemi punuar me instalimin e karikuesve për automjetet elektrike. Jemi përqendruar në qytetet ndërlidhëse dhe në zonën e pikave kufitare. Kjo është një përmbledhje rreth veprimtarive tona, duke shtuar edhe faktin që ju kemi kthyer përgjigje me shkrim për pyetjet që ju keni pasur”.
Fatmir Xhafaj: “Jeni institucioni më aspak korrekt sa i takon raportit me Parlamentin, ju është dashur 5 muaj të ktheni përgjigje. Kjo ose tregon se nuk jeni korrekt, ose nuk njihni rolin dhe autoritetin e Kuvendit në Kushtetutën e Republikës. Këshilltarët më kishin thënë të mos e vazhdoja këtë gjë, por e thashë këtu meqë ju e përmendët. Gjithsesi, ne do të bëjmë raportin tonë dhe do ta dorëzojmë në institucionet tuaja eprore”.











