Ka përfunduar edicioni i pestë i manifestimit letrar ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2017”. Në kuadër të “Ditëve të Diasporës”, karvani i shkrimtarëve të trekufirit, i cili përgjatë tri ditëve përshkoi komunat Istog, Shkodër dhe Tuz, ia ndau çmimin e përvitshëm për vepër jetësore “Teuta”, shkrimtarit dhe studiuesit të shquar shqiptar, akademik Moikom Zeqos, përcjellë KultPlus.
Dita e tretë përmbyllëse e edicionit të pestë letrar trekufitar “Muzat e Alpeve 2017”, i mbajtur në Tuz, filloi me vizitë në Muzeun Etnografik të Malësisë, në të cilin karvanin e shkrimtarëve të trekufirit i priti ikona e trashëgimisë kulturore, Shtjefën Ivezaj, i cili pëllëmbë pas pëllëmbë ka lëshuar shtëpinë e tij private për relikte trashëgimore, duke e shndërruar ndër muzetë më të pasur.
Xhubleta mijëvjeçare dhe flamuri kuq e zi, dy simbole të shenjta të trashëgimisë kombëtare shqiptare si dhe një publik i mrekullueshëm dhe në numër nga vendi dhe diaspora, ishin imazhi më dinjitoz me anë të të cilit karvanit të shkrimtarëve do mund t’ju ofrohej mirëseardhje në qytetin e Tuzit. Teksa ulur në karriget e radhitura nën hijet e drunjve të shtëpisë së dikurshme e luksoze të Shtjefën Ivezajt të shndërruar në muze të katërfishtë, vapën përvëluese sikur veç për ta shuante një erë e hollë vere përzier me freskinë e poezisë dhe këngës shqipe e cila po dëgjohet gjithnjë e më pak në këto hapësira që po shkretohen ditë pas dite.
Ndërsa, i madh gëzimi dhe po aq e madhe mirënjohja nga ky hero i trashëgimisë kulturore shqiptare i cili nuk ka një shembull të dytë në botë: “Unë jam i lumtur që keni ardhur në muzeun e Malcisë t’më nderoni mua dhe gjithë Malcinë dhe faleminderit për fjalët e bukura për Shtjefën Ivezaj dhe trashëgiminë tonë kulturore.
Jam mirënjohës për ardhjen tuaj nga të tria shtetet dhe shpresoj të vini prapë dhe besoj se do të vini këtu edhe pas vdekjes sime. Ky takim është shumë me rëndësi sepse na bashkoi ”, tha Ivezaj, duke falënderuar për kontributin rreth organizimit, Gjeto Kolën Camaj dhe Nikolle Camajn.
Elmi Kurti lexoi poezi kushtuar heroit të trashëgimisë kulturore shqiptare Shtjefën Ivezajt , përderisa poetja Shefqete Gosalci, para këngës “Thërret Prizreni mori Shkodër”, me të cilën solli një emocion të veçantë ndër të pranishmit, tha se: “Jemi të nderuar për këtë muze për këta njerëz fisnik i cili ka arritur të ruajë gjithë këto artefakte që është një kapital kulturor dhe ndoshta një ditë dot ë trokasë në ndërgjegjen e institucioneve që të mbrohen ato në mënyrë institucionale dhe sipas meje këta njerëz janë heronj që kane arritur t’i ruajnë këto vlera”.
Ndërsa Moikom Zeqon, i cili i ka kushtuar jetën studimit, shtegtimit pas gjurmëve të thesarit të trashëgimisë kulturore, promovimin e të cilit shoqata “Teuta” e ka pjesë të misionit, u shpreh se: “Shtjefeni është një shqiptar i cili tregon se atë që mund ta bëj një individ i vetëm nuk mund ta bëjnë as një strukturë e tërë njerëzisht. Pra, është një admirim i madh por i paartikulueshëm për këtë njeri”, tha Zeqo.
Karvanit të “Muzave të Alpeve”, të përbërë nga Sali Bashota, Anton Berisha, Ajetë Beqiraj, Smajl Smaka, Shefqete Gosalci, Mirash Martinoviq, Mexhid Mehmeti e Agim Desku, si dhe nga laureati i sivjetmë i Çmimit “Teuta”, Moikom Zeqo, në Tuz iu bashkëngjitën figurat më eminente të letërsisë së Malit të Zi, si Jevrem Berkoviq, Zuvdija Hoxhiq, Fran Camaj, etj.
Albert Kurtulaj, përfaqësues i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Republikës së Kosovës, deklaroi se mbështetja e institucioneve të Kosovës për ngjarje të tilla do të jetë gjithmonë e pranishme.
“Aktivitete të tilla janë të domosdoshme për promovimin e trashëgimisë kulturore dhe si dhe njohjen dhe këmbimin të larta letrare që prezantoni të gjithë ju të pranishëm, njerëz të letrave. Dhe, mbështetja e institucioneve të Kosovës nuk do të mungoj asnjëherë për prezantime të këtij niveli“, u shpreh Kurtulaj.
Përderisa, ndarja e Çmimit për Vepër Jetësore dhe dorëzimi i tij nga laureati i parë Jevrem Berkvoqi tek lauerati më i fundit Moikom Zeqo, ishte kurora e edicionit të V-të letrar ndërkufitar, “Muzat e Alpeve 2017”, me motivacion të cilin e solli të plotë Beqiraj.
“Erudit i rrallë i historisë dhe traditës së qytetërimit shqiptar, akademiku Moikom Zeqo me veprën e tij, iu takon pararendësve të brezit të lindur pas luftës së dytë botërore, duke shprehur me një kurorë të re mendimtari dhe njeriu të shqetësuar dykuptimësinë e njeriut të sotëm, pa pasur drojë të na japë përgjigje të pafundme në se është ky realiteti I thellësive historike që ka krijuar njeriun, apo është njeriu I pa epur për ëndërrim që krijon realitetin e një bote të përbashkët dhe universale”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e “Teutës”.
Moikom Zeqo, shkrimtar, piktor, studiues dhe arkeolog i shquar i hapësirave mbarëkombëtare duke marr në dorë “Teutën” e skalitur në gurë të Trepçës, tha se: “Është ndjenjë e veçantë të marrësh çmimin “Teuta” pas recitimit të poezisë kushtuar Teutës nga doajeni i letërsisë malazeze Jevrem Berkoviq. Ky sigurisht është një homazh me karakter të madh simbolik, siç është emri i Teutës.
Ne ende nuk jemi të ndërgjegjshëm pas 24 shekujsh se kush ishte në të vërtetë Teuta. Nuk jemi në gjendje ta kuptojmë sepse, pavarësisht se është shkruar, ne ende mbetemi skllevër të një historiani imperliasit të kohës dhe ne nuk e kuptojmë dot domethënien e kësaj figure. Teuta është një heroinë e madhe semantike, jo thjesht një mbretëreshë. Ajo duke kundërshtuar tregoi dinjitetin e një populli të madh siç ishin Ilirët. “, tha Zeqo i cili falënderoi shoqatën Teuta për ndarjen e këtij çmimi si dhe organizatoren Jeta Beqiraj për një eveniment kaq të dinjitetshëm.
Edicioni i pestë i “Muzave të Alpeve”u organizua në kuadër të “Ditëve të Diasporës” në bashkëpunim me Drejtorinë për Arsim dhe Kulturë të Istogut, me Bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër, si dhe me Muzeun Etnografik të Malcisë, në Tuz, mbështetur nga Ministria e Diasporës se Republikës së Kosovës, pasuar edhe nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës, si dhe komuna e Istogut, ku edhe filluan aktivitetet. Paraqitja dinjitoze e “Muzave te Alpeve 2017” në Istog, Shkodër dhe në Tuz, i cili në masë të madhe u përcoll nga mediat e të tria shteteve, la pas vetes një rreze drite si meteor.
Ndërsa, në gjirin e këtyre tri qyteteve të kulturës dhe traditës jehona e edicionit të V të manifestimit letrar trekufitar “Muzat e Alpeve 2017” manifestimit rajonale të shkrimtarëve “ do të jetojë edhe kohë të gjatë, përderisa karvani i këtyre shkrimtarëve do të vazhdojë misionin e tyre fisnik nëpër komunat e trekëndëshit kufitar: Kosovë-Mal i Zi-Shqipëri”. (b.an)