Përfundon seanca e verifikimit ndaj dy të rinjve nga Levani i Fierit të ndaluar për vjedhjen e një “Benzi” dhe 100 milion lekëve një vit më parë, ngjarje e ndodhur në fshatin e tyre, në Levan të Fierit, të cilat arritën t’ju siguronin të rinjve një jetë luksi gjatë një viti.
Dy djemtë kanë blerë sende me vlerë dhe kanë shpenzuar para pa hesap, ndonëse ata ishin të papunë. Nga ana tjetër gjykata e Fierit ka mbledhur prova të pakontestueshme siç janë pamjet filmike të kamerave të sigurisë e tabulatet telefonike që i implikojnë të rinjtë.
BURG PA AFAT PËR DY TË RINJTË
Prokurori i çështjes, Dorjan Tafili, ka kërkuar që dy të arrestuarit, Renaldo Latifi 22 vjeç dhe Xhuljan Muça 24 vjeç të mbeten në masën e arrestit “burg pa afat” të caktuar pak ditë më parë nga gjykata e Fierit. Pas shqyrtimit të provave të siguruara gjatë hetimit një vjeçar që implikojnë dy të rinjtë në vjedhjen 100 milionëshe, gjyqtarja e çështjes Matilda Shalla ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë të caktuar më datë 11.04.2018 “Arrest me burg” pa afat për veprën penale “ Vjedhje e kryer në bashkepunim”.
KAMERAT E SIGURISË TRADHTUAN FIERAKËT
Kanë qenë pamjet e një kamere sigurie që kanë çuar në identifikimin e një prej dy të rinjve të arrestuar si autorë të dyshuar të vjedhjes së një autoveture tip “Benz” dhe 10 milionë lekëve të reja një banori nga Levani i Fierit. Një prej të arrestuarve të djeshëm, Renaldo Latifi 22 vjeç nga Levani i Fierit, është kapur nga kamera e sigurisë së një objekti, teksa ecte pranë vendit të ngjarjes, me në çelës të ngjashëm me atë të Benz-it të vjedhur.
Nga këqyrjet e pamjeve filimike është konstatuar se rreth orës 07.29 minuta me orën e kamera, ka kaluar Renaldo Latifi në drejtim të vendit të ngjarjes ku në anë të rrugës ka qenë parkuar makina e shtetasit Xhemal Kalemaj.
ÇFARË U ZBULUA NGA TABULATET TELEFONIKE
Nga këqyrja e tabulateve telefonike, ka rezultuar se i ndaluari Xhuljano Muça, më datë 29.05.2017 paradite ka qenë në Levan e në Panaja të Vlorës dhe jo në Vlorë, ashtu si ka deklaruar.
Ndërsa Renaldo Latifi rezulton të ketë qenë gjatë gjithë datës 29.05.2017 në fshatin Levan.
Nga hetimet ka rezultuar se Xhuliano Muçaj është bashkëpunëtor i Renaldo Latifit. Ky i fundit është kamerier në lokalin e Xhuliano Muçës.
Nga hetimet me metoda speciale dhe përgjimet ambientale e telefonike është arritur të sigurohen prova se dy të ndaluarit kanë kryer vjedhjen e Benzit dhe 10 milionë lekëve të reja të Xhemal Kalemajt.
Të dy të rinjtë kanë dhënë versione të ndryshme rreth veprimeve të tyre ditën e ngjarjes. Ndërsa Xhuliano Muça ka pretenduar se ka qenë së bashku me Renaldo Latifin të cilin e ka transportuar me mjetin e tij, Renaldo Latifi ka deklaruar se ka qenë në vendin e ngjarjes dhe është largua me autobus në drejtim të qytetit të Vlorës. Ata akuzohen për veprën penale “vjedhje me pasoja të rënda në bashkëpunim”.
NGJARJA
Më datë 29.05.2017, Xhemal Kalemaj me banim në lagjen Afrim i ri ka dalë nga shtëpia me mjetin e tij tip “Benz” me targa AA895 OY, bashkë me bashkëshorten e vetë rreth orës 06.20 të mëngjesit për të shkuar në punë si zakonisht te dyqani i mallrave bujqësore të cilin e ka në fshatin Levan Fier. Në bagazhin e makinës kanë futur shumën e rreth 100 milionë lekëve të vjetra brenda në një qese plastike, me të cilat janë shprehur se do të likuidonin borxhet që kishin, një kredi e do të kryenin të tjera shpenzime. Ka shkuar në fshatin Levan rreth orës 06.40 dhe ka parkuar makinën përpara dyqanit të tij në anën tjetër të rrugës kryesore të Levanit dhe ka nisur të shkarkojë mallin nga një kamion me pleh kimik që kishte mbërritur nga Kavaja. Kur ka mbaruar shkarkimin ka shkuar të marrë makinën e tij, por nuk e ka gjetur tek vendi që e kishte parkuar. Më pas, ka lajmëruar policinë dhe së bashku me një shokun e tij ka shkuar në shtëpi, për të marrë çelësat e makinës tjetër që e kishte të parkuar në magazinën prapa dyqanit në Levan. Kur ka shkuar në shtëpi ka parë se ishte prerë e shqyer zgara e dritares dhe ka konstatuar se mes të tjerave i kishin vjedhur edhe kopjen e çelësave të Benzit që ishte zhdukur./Balkanweb/a.m.