Nga Entela Resuli
Një vit më parë, Eduart Ndocaj mori mandatin e deputetit në Parlamentin shqiptar. Deri atëherë ishte një personazh i njohur në fushën e biznesit të ndërtimit në Itali, por i panjohur si politikan. Hera e tij e parë në Parlament ishte ndryshe nga ajo e shumë të tjerëve që janë futur në atë godinë dhe janë ulur në karrigen e ligjvënësit.
I etiketuar nga mediat si “kaubojsi” për shkak të kapelës që mban në kokë, Ndocaj nuk erdhi i tillë në Parlament. Mbërriti me një makinë të famshme të Al Paçinos tek filmi “Kumbari”. Gjatë këtij viti është shfaqur disa herë në publik shpesh me deklarata që kanë ngjallur debat.
Për ata që janë ndjekës të aktualitetit me siguri kanë mësuar me tepër rreth Ndocajt gjatë këtyre kohëve, por shumë të paktë mund të jenë ata që njohin bashkëshorten e tij.
Valentina është bijë mirditore. Ajo ka lindur në fshatin Malaj, fshat ku është njohur edhe me Eduartin, pasi ai kalonte shpesh nga anët e saj për shkak të disa lidhjeve familjare.
Ajo nuk mund ta harrojë ditën kur është shkëmbyer për herë të parë në rrugë me Eduartin. Në atë kohë, ajo një gjimnaziste e hijshme, ndërsa ai një djalosh simpatik.
Sot ata janë prindër të dy vajzave dhe një djali. Vitet e fundit i kanë kaluar në Itali, atje ku kanë ndërtuar edhe punën, por edhe të ardhurat.
Për bashkëshortin e saj, tashmë edhe politikan, Valentina tregon se ka qenë një mbështetje e madhe.
Në këtë intervistë për Dita-n, ne jemi njohur me bashkëshorten e deputetit më të përfolur dhe komentuar në 2016 dhe kemi zbuluar diçka më tepër për Eduart Ndocajn, nëpërmjet nënës së fëmijëve të tij.
-Zonja Valentina, si po e kaloni këtë periudhë festive?
Festat janë gjithmonë momente të këndshme për këdo. Festat i kemi përjetuar gjithmonë në familje me fëmijët nuk kemi pranuar të shkojmë gjëkundi apo të dalim nëpër restorante.
-Do festoni në Shqipëri apo Itali?
Ne kemi fëmijët në Itali dhe normalisht që do të festojmë në Itali, të gjithë bashkë edhe pse Eduarti ka plot angazhime për shkak të detyrës së tij si deputet dhe si sipërmarrës. Eduarti është gjithmonë i pranishëm mes njerëzve dhe sidomos mes atyre në nevojë. Eduarti ditën e dytë të Krishtlindjeve për drekë e ka kaluar me emigrantët shqiptarë dhe me kryetarët e shoqatave. Ai nuk e harron kurrë faktin se përtej çdo suksesi në jetë është edhe emigrant.
-Prej më shumë se një viti, ju jeni gruaja e një deputeti, e një bashkëshorti i cili është bërë deputet. Ka ndryshuar gjë në jetën tuaj?
Në planin personal nuk ka ndryshuar asgjë. Në disa drejtime të tjera edhe kanë ndodhur ndryshime, Eduartit i janë shtuar shumë impenjimet e tashmë nuk ka vetëm sipërmarrjen, por edhe angazhimet e tij si përfaqësues i Parlamentit dhe si politikan. Pastaj, ai tashmë mund të them se është kthyer një emigrant i dytë, pasi tashmë i duhet të jetoj edhe në Shqipëri. Ai e kalon kohën mes Italisë dhe Shqipërisë. Megjithatë, Eduarti e ka pasion politikën dhe po ashtu i pëlqen shumë faktin se si deputet mund të ndihmojë shumë njerëz.
-Zonja Valentina, ju dhe z. Eduart jeni të dy nga e njëjta anë, apo jo? Si jeni njohur dhe sa kohë keni bashkë?
Eduarti është nga Manatia, një zonë me mbi 500 vjet histori, afër qytetit të Lezhës. Manatia është një nga 12 bajraqet e Mirditës e kështuqë ai është mirditor. Unë, po ashtu jam puro mirditore nga fshati Malaj, një fshat me historik dhe me vlera të rëndësishme tradicionale, intelektuale dhe kulturore. Eduarti vinte shpesh në Malaj, sepse atje ka ca të afërm të tij dhe një ditë prej ditëve, kur po shkoja në shkollë të mesme shkëmbehem rastësisht me Eduartin, djalë simpatik dhe po ashtu edhe ai më vuri re mua. Pasta, kështu filloj njohja e si mirditor në fund pasi ne ishim dashuruar ashtu siç e donte zakoni, jemi fejuar duke ardhur Eduarti në shtëpi duke më kërkuar dorën. Historia e dashurisë e imja me Eduartin është mjaft e bukur, sepse pasi u fejuam Eduarti emigroi në Milano dhe gjatë kohës që ka jetuar aty, kemi shkëmbyer qindra e qindra letra dashurie, të cilat i ruajmë edhe sot e ndonjëherë i lexojmë së bashku.
-Çfarë e ka mbajtur gjallë marrëdhënien tuaj?
Dashuria dhe vetëm dashuria reciproke që kemi me njëri-tjetrin dhe po ashtu në të mirë dhe në momente të vështira e kemi përballuar dhe sfiduar së bashku jetën. Tashmë kemi edhe fëmijët që janë një arsye dhe një emocion në vete. Jemi mirë në jetën tonë të thjeshtë dhe të bukur. Nuk na pëlqejnë gjerat e komplikuara dhe lukset e tepruara edhe pse me punë, jeta na e ka mundësuar.
-A është e vështirë të jesh nënë, duke pasur parasysh kërkesat që kanë fëmijët sot, shumë ndryshe nga ato çka keni kërkuar ju kur ishit fëmijë?
Fëmijët tanë janë të edukuar dhe janë mësuar me stilin e jetës tonë, të thjeshtë dhe të bukur. Nuk kemi fëmijë që bëjnë kërkesa të ekzagjeruara. Sigurisht edhe ata kanë nevojë për hapësirën dhe për nevojat e tyre, këto jemi munduar t’ua plotësojmë.
-Na tregoni pak për fëmijët tuaj…?
Kemi tre fëmijë, Ilenia, Eda dhe Kevin. Vajza e madhe tashmë është thuajse një shoqe e mirë për mua, ka shumë pasione si piktura dhe po ashtu ka shumë talent për të kënduar. Ajo studion në një ndër licetë më të mirë artistik të Milanos. Eda është një fëmijë i veçantë, shumë ndjeshme dhe me një zgjuarsi shumë të kënaqshme. Mendoj se kur të rritet ka shumë mundësi të ndjek rrugën e Eduartit. Ndërsa djali, Kevin është një dashur, ai është shumë i edukuar, inteligjentë dhe kur nuk na ka hapur probleme me sjelljen. Madje, ka një sjellje shembullore për moshën që ka. Fëmijët janë një dhuratë e Zotit dhe jemi shumë të lumtur.
-Po fëmijëria juaj si ka qenë?
Kam qenë një fëmijë i privilegjuar në familje. Ndoshta sot mund të them se kam qenë pak çapkëne. Më pëlqente të vishesha mirë edhe pse mundësitë nuk ishin të shumta. Brezi ynë ka pasur vështirësi të mëdha. Megjithatë, kam kujtime të bukura nga fëmijëria ime.
-A ka lënë ajo gjurmë në jetën tuaj?
Fëmijëria është baza e edukimit dhe formimit të personaliteti. Aty vazhdon rruga e secilit nga ne dhe ecuria e saj është baza për fazat e tjera të fëmijërisë. Ne, kemi pasur fatin të kemi prindër të mrekullueshëm, punëtor e të kujdesshëm dhe gjurmët e fëmijërisë i mbajmë me shumë krenari.
-Kur keni emigruar në Itali dhe si jeni ambientuar aty?
Kam emigruar sapo jam martuar. Eduarti jetonte në Milano dhe erdhi në Shqipëri për t’u martuar dhe për të më marr mua me vete. Një javë pasi u martuam udhëtuam drejt Milanos për nisur jetën si një familje e re me plot vështirësi e nevoja. Kemi përballuar vështirësi të mëdha dhe e kam ndjekur Eduarti hap pas hapi në punët e tij në Itali. Jam mundur ta ndihmoj, por pa harruar edhe misionin e nënës.
-Çfarë ke mësuar nga ai vend?
Nga Itali gjithkush ka çfarë të mësoj. Italia është vendi me zhvillim të lartë, me stil jetese që e ka zili bota. Ajo që dua të theksojë është fakti se: Askush nuk të dhuron asgjë e duhet të punojmë shumë për të jetuar normal. Pra, pa punë nuk ka jetë. Kjo është ajo që vlen të përmend për jetën e Italisë, të tjerat janë relative.
-Zonja Valentina, a ishit dakord edhe ju për hyrjen në politikë të bashkëshortit tuaj?
Në jetë vendimet e rëndësishme i kemi marrë së bashku. Kam qenë dakord dhe e kam mbështetur për të pasur sukses. Tashmë ai është një njeri shumë publik në Shqipëri, por përsëri konsultohemi së bashku në lidhje me angazhimin e tij në politik dhe jo vetëm.
-Ke menduar ta frenosh në këtë rrugë, ndoshta duke i thënë: ç’të duhet politika, mirë jemi kështu?
Jo nuk më pëlqen të ndërhyjë në ëndrrat apo hobe që ka Eduarti. Unë, si bashkëshorte jam e gatshme t’i qëndroj pranë në nismat e tij dhe ta mbështes.
-Çfarë mendoni se ka sjellë të re në politikën shqiptare gjatë këtij viti dhe çfarë mendoni se do të bëj në të ardhmen?
Eduarti ka bërë shumë gjëra dhe nisma në një vit. Megjithatë, mendoj se ka sjellë dimensionin më të bukur që mungonte në politikë, origjinalitetin dhe thjeshtësinë, të qëndruarit pranë njerke në nevojë dhe të thjeshtë.
-Ju pëlqen që i thërrasin kauboj?
Nuk më jep problem se si e thërrasin. Për mua është Eduarti dhe në këtë drejtim ai është gjithçka. Kemi qenë edhe në Amerikë, Teksas dhe atje kam parë shumë njerëz të nderuar dhe të fuqishëm që i thërrisnin kauboj.
-Cila është pjata e preferuar e Eduartit?
Eduarti ka bërë jetë të thjeshtë. Ai nuk ka pretendime dhe “naze” për ushqimin. Mendoj se jam një amvisë e mirë dhe herë pas here më bën komplimente. Më shumë i pëlqen ushqimi tradicional shqiptar.
-Po vesi që ju nuk do të donit që ta kishte?
Për fat të mirë nuk ka vese.
-Zonja Valentina sa e vështirë është të jesh grua e një burri të angazhuar?
Nuk ka vështirësi të jesh gruaja e një burri të angazhuar. Problem do të ishte po të mos t’i qëndroja pranë në angazhimet e tij! Eduarti, di të bëjë dallimet mes angazhimeve, bashkëshortit e kryefamiljarit.
-A është ai xheloz?
Për fat kemi një dashuri të mirë që ndërtohet mbi besimin reciprok. Mund të them se është një bashkëshort i kujdesshëm, por jo xheloz.
-Po ju për atë?
Jo, as unë nuk jam xheloze, edhe pse mjedisi politik në Shqipëri është i vështirë.
-Ju aktualisht me çfarë po merreni. Cila është përditshmëria juaj?
Përtej faktit se jam nënë me kohë të plotë, sapo kam mbaruar kursin e infermierisë.
-Ju jeni martuar dy herë apo jo, me të njëjtin bashkëshort. Si kanë qenë këto dasma dhe a po mendoni për një dasmë të tretë?
Media në Shqipëri kanë probleme të mëdha e vuajnë për gossip dhe kur nuk ka e shpikin. Nuk jemi martuar dy herë unë dhe Eduarti. Por, ne të dy në çdo dhjetë vjet apo diçka e tillë, bëjmë një ceremoni të ngjashme me martesën e kjo bëhet për hir të dashurisë tonë. Dy i kemi bërë, por do të bëjmë edhe të tjera me kalimin e viteve.
DITA/d.i.